Kushtetuta demaskoi politikën e Zaevit dhe satelitëve të tij

Konstrukti mental i pareformueshëm i politikës së LSDM-së ndaj shqiptarëve po vazhdon edhe në kohën e ,,reformatorit“ Zaev, i cili bën që vazhdimisht të mbetet hero në fokus të Bashkësisë ndërkombëtare, por pa llogaritur në kohezionin e brendshëm politik midis popujve të ndryshëm për nga etnia. Me deklarimet : „Jetë për të gjithë“, „të gjithë të barabartë para ligjit“, “Shoqëri pa dallime“, Zaevi kujtoi se kjo demagogji do t‘i shërbente sikur Titos në ish- Jugosllavi, por ndryshimet kushtetuese e demaskuan shpejt politikën e tij.

Përkundër deklarimeve të tij demagogjike, Zaevi po vazhdon me politikën antishqiptare.

Pasi kushtetuta ishte pengesë për zyrtarizmin e gjuhës shqipe, pse me këto ndryshime nuk zgjidhet kjo çështje, pra këtu shihet qartë manipulimi i Zaevit me shqiptarët duke pasur në përkrahje edhe disa satelitë të tij shqiptarë, të cilët po arsyetohen se tani nuk është momenti.

Do të ishte mirë që Zaevi t’u sqaroj shqiptarëve se ku mbeti zhvillimi i barabartë regjional, investimet, infrastruktura që dallojnë dukshëm mes vendeve të banuara me shqiptarë dhe atyre të banuara me maqedonase. Derisa për proceset e montuara ndaj shqiptarëve nuk bëri asnjë lëvizje, kriminelët që shkatërruan ekonominë e shtetit dhe sulmuan parlamentin i amnistoi. Zaev me shumë veprime të tij na dha mundësinë të kuptojmë se kjo qeveri e re, me BDI-në e vjetër (përveç emrit të ri) nuk do të mundësojë ndërtimin e një Maqedonie të re dhe të një realiteti të ri shoqëror dhe shumëgjuhësor.

Papjekuri politike do të ishte sikur Zaevi të kishte menduar se gjithë shqiptarët i ka në hipoteka.

Zoran Zaev sigurisht ka harruar se çka ka deklaruar në një intervistë në vitin 2015 për partitë shqiptare: “Sipas meje e që mbase jam më i informuar, mund të them se incizimet tregojnë se dy partitë më të mëdha shqiptare, BDI dhe PDSH janë shërbëtorë të pushtetit dhe qeveria i kontrollon totalisht”.

Mirëpo misioni i partive të korruptuara po vazhdon edhe në qeverinë e Zaevit, ngase ndryshe edhe këta do të kërkonin që Deklarata e përbashkët e partive politike shqiptare në Maqedoni, e nënshkruar në Tiranë, të bëhet pjesë e kushtetutës, sipas së cilës gjuha shqipe duhej të zyrtarizohej me kushtetutë.

Partitë shqiptare që janë në qeveri le t’u tregojnë votuesve të tyre se pse u shkel kjo deklaratë për të cilën u bë shumë zhurmë? Ku u tretën sloganet e dikurshme „Shqip, shqip“?

Pastaj integristët të tregojnë sa herë deri tani e zyratarizuan gjuhën shqipe, po gjithashtu edhe tre deputetët që u ndanë nga Lëvizja Besa si arritën kaq shpejtë të bëjnë ridefinimin e Maqedonisë? A pse në këto momente të rëndësishme historike nuk ju dëgjohet zëri?

Nëse kjo qeveri është e gatshme të dështojë procesin e integrimeve për shkak të kërkesave të opozitës shqiptare, përgjegjësia i takon qeverisë. Në këto momente të rëndësishme historike, obligim moral dhe kombëtar i mbetet opozitës shqiptare të qëndrojë e palëkundur në mbrojtjen e kërkesave të tyre lidhur me këto ndryshime kushtetuese.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button