Kosova i gëzohet emërimit të Engelit në krye të Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë
Ligjvënësi Eliot Engel, është zgjedhur kryetar i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë, dhe ka thënë se është i vendosur që t’i përmbush të gjitha përgjegjësitë.
“Jam i nderuar që kolegët e mi, unanimisht më zgjodhën kryetar të Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë. Kongresi do të luajë një rol të rëndësishëm në politikën e jashtme, dhe unë, jam i vendosur t’u siguroj se ne do t’i përmbushim ato përgjegjësi”, ka shkruar Engel në Twitter, transmeton Koha.net.
I’m honored that my colleagues have unanimously elected me chairman of the Foreign Affairs Committee. Congress has an important role to play in foreign policy, and I’m committed to making sure we live up to those responsibilities.
— Eliot Engel (@RepEliotEngel) January 4, 2019
Për këtë post e ka uruar Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli. Për Kosovën, Pacolli ka thënë se Engeli është hero.
“Lajm i shkëlqyeshëm në një moment të rëndësishëm nëpër të cilin po kalon Republika e Kosovës, është zgjedhja e Kongresistit, Eliot Engel, në krye të Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Kongresin Amerikan. Engel ishte me ne, kur miqtë nuk ishin të shumtë, Engel ishte pranë nesh, kur e ardhmja e jonë nuk ishte edhe aq e sigurt. Engel ishte me ne në luftë, në paqe, në okupim, në liri. Për Kosovën, Engel është hero i cili bashkëndjeu me të gjitha momentet tona, njëherësh maratonist i politikës përkrahëse të SHBA-ve, për popullin dhe shtetin më proamerikan në botë. Mirënjohje e përjetshme për përkrahjen e përhershme të Engel, miqve amerikan, dhe SHBA-ve, vendit dhe popullit të cilin e admirojmë pafund. Paq fat, shëndet e sukses, miku ynë, miku i Kosovës, Engel!”, ka shkruar Pacolli në Facebook.
Edhe kryeministri Ramush Haradinaj, ka thënë se “zgjedhja e Kongresistit dhe mikut tonë të madh, Eliot Engel, në krye të Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Kongresin Amerikan është lajm i shkëlqyeshëm për Kosovën”.
“Engel për dekada, deri në përmasa heroike, u angazhua për çështjen e Kosovës dhe të shqiptarëve. Për popullin e Kosovës emri i Engel është ikonë e miqësisë së përjetshme me ShBA-në dhe zgjedhja e tij, në kohën kur Kosova është në fazën e përmbylljes së konsolidimit ndërkombëtar, është krah i fuqishëm për ne. Urime mik!”, ka shkruar Haradinaj.
Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka thënë se nga sot, përkrahësi më i madh i Kosovës në Kongres, Eliot Engel, merr detyrën e rëndësishme të Kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve.
“Lajm shumë i mirë për vendin tonë dhe mundësi e shkëlqyeshme për thellim të miqësisë së përhershme mes Kosovës dhe SHBA”, ka shkruar ajo.