Erdoğan: Turqia do të vazhdojë të jetë në solidaritet me Pakistanin

 Ankaraja do të vazhdojë të jetë në solidaritet me Pakistanin, tha presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, raporton Anadolu Agency (AA).

“Turqia qëndron me Pakistanin sot dhe nesër, siç ka bërë edhe dje, dhe do të vazhdojë të qëndrojë me të”, tha Erdoğan në një konferencë të përbashkët shtypi me kryeministrin pakistanez Imran Khan në Kompleksin Presidencial në Ankara.

Erdoğan tha se edhe “vëllezërit pakistanezë” gjithashtu janë në solidaritet të fortë me Ankaranë.

Presidenti i Turqisë përshëndeti shpalljen e FETO-s si organizatë terroriste nga ana e gjykatës së lartë në Pakistan dhe dorëzimin e shkollave të kësaj organizate nën kompetenca të Fondacionit Maarif.

“Shpallja e FETO-s si organizatë terroriste nga ana e gjykatës së lartë në Pakistan dhe dorëzimi i shkollave të kësaj organizate nën kompetenca të Fondacionit Maarif janë hapa të mirëseardhur”, tha Erdoğan.

Turqia themeloi Fondacionin Maarif në vitin 2016 për të marrë përsipër administrimin e shkollave jashtë shtetit të lidhura me FETO-n, ndërsa ajo gjithashtu themelon shkolla dhe qendra të saja edukimi jashtë vendit.

FETO dhe udhëheqësi i saj me bazë në SHBA, Gülen, orkestruan tentativën për grusht shteti në korrik të vitit 2016, nga e cila 251 persona ranë dëshmorë dhe rreth 2.200 të tjerë u plagosën.

Ankaraja gjithashtu akuzon FETO-n për zhvillimin e një fushate të gjatë për të përmbysur shtetin përmes infiltrimit në institucionet turke, veçanërisht ushtri, polici dhe gjyqësor.

FETO ka një prani të konsiderueshme jashtë vendit, duke përfshirë edhe shkollat ​​private që shërbejnë si burim i të ardhurave për grupin terrorist.

Turqia, Pakistani dhe Afganistani samit në Stamboll 

Presidenti i Turqisë Erdoğan paralajmëroi mbajtjen e një samiti trepalësh Afganistan-Pakistan-Turqi në Stamboll pas zgjedhjeve lokale të 31 marsit.

Ai po ashtu i inkurajoi afaristët turq të investojnë në Pakistan.

Nga ana tjetër, kryeministri pakistanez Khan tha se Pakistani dëshiron t’i avancojë në një nivel edhe më të lartë marrëdhëniet bilaterale me Turqinë.

“Tani e tutje, Pakistani dhe Turqia do të jenë dy vende më të afërta”, theksoi ai.

Ai shprehu shpresën që takimi trepalësh do të kontribuojë për paqen në Afganistanin fqinj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button