Hypatia

Lajmi i parë në vitin e ri 2019 është që në qytetin e Shkupit është paraqitur epidemi e fruthit apo Morbilit. Me vendim të Ministrisë për punë dhe politikë sociale kopshtet e fëmijëve nuk do të punojnë deri sa gjendja të vendoset nën kontroll. Në shekullin 21, në një qytet në Evropë, paraqitet epidemi e një sëmundjeje që ka kohë që nuk shfaqej sepse disa njerëz shumë më të mençur se ne kanë zbuluar diçka që quhet vaksinë pikërisht kundër sëmundjes Morbili. Është vaksina që fëmijët e marrin në moshën njëvjeçare, menjëherë pas ditëlindjes së tyre të parë. Është vaksina për të cilën para një kohe një mjek paraqiti një studim ku e lidhte atë me shfaqjen e autizmit tek fëmijët. Studimi u popullarizua aq shumë përmes internetit dhe rrjeteve sociale, sa që shumë njerëz vendosën ta besojnë NjË studim përkundër viteve të gjata të hulumtimeve mjekësore dhe përkundër eksperiencës së gjertanishme ku miliarda fëmijë nuk e përjetojnë më këtë sëmundje e cila ishte vdekjeprurëse deri në momentin e paraqitjes së vaksinës.

Me një nonshalancë aq të thjeshtë, shumë njerëz e shumëzuan me zero gjithë arritjen e gjertanishme të vaksinës në bazë të një studimi skajshmërisht të dyshimtë i cili u hodh poshtë nga të gjithë autoritetet e shkencës medicinale. Për më tepër, pas studimeve disa vjeçare, përfundimisht u vërtetua që kjo vaksinë nuk ka fare të bëjë me shfaqjen e autizmit, i cili është një fenomen që duhet shikuar ndryshe, me tjera argumente dhe me tjetër trajtim që nuk ka të bëjë fare me vaksinat. Në medicinë nuk flitet pa pasur studime të thella dhe të përmbajtura me prova të mbledhura me shumë kujdes. Në medicinë nuk flitet përmendësh dhe ajo nuk është një shkencë që mund të absolvohet duke lexuar në internet. Ata që bëjnë studime medicinale kanë studiuar gjithë jetën e tyre dhe ia kanë dedikuar të njëjtën shkencës. Ata që bëjnë studime të tilla dhe arrijnë të zbulojnë vaksina si kjo e Morbilit, nuk e kalojnë kohën e tyre të çmuar në Facebook duke u munduar të mbledhin më shumë pëlqime për postimet e tyre. Studimet e këtyre njerëzve janë aq komplekse sa që ne të tjerët, që jemi laikë në këtë sferë, vështirë se mund t’i kuptojmë. E megjithatë, laikët marrin guximin dhe marrin vendime për fëmijët e tyre që pastaj kanë pasoja të pakthyeshme si për ata, ashtu edhe për fëmijët e prindërve të përgjegjshëm që i vaksinojnë me kohë fëmijët e tyre. Nuk është rastësi që në shkollë fëmijët nuk pranohen pa dëshmi se i kanë pranuar të gjitha vaksinat. Nuk është rastësi as fakti që në shumë shtete ka dënim me gjobë për prindit që refuzojnë ti vaksinojnë fëmijët e tyre. Por jo, ne megjithatë do i besojmë rrjetet sociale, sepse ata e dine më mirë çka është e saktë e çka jo.

E gjithë kjo situate ma kujtoi tregimin e filozofes Hypatia, e cila ka jetuar në Aleksandri në shekullin IV të erës së re. Ka qenë filozofe, matematiciente dhe astronome e shquar e cila ka studiuar, ka interpretuar dhe ka ligjëruar për veprat e klasikëve të filozofisë antike. Disa prej veprave edhe i ka korrigjuar dhe plotësuar me njohuri dhe zbulime të reja. Njëra ndër teoritë në të cilën ka punuar ka qenë edhe sistemi gjeocentrik planetar i Ptolomeut. Sipas këtij sistemi, toka ka qëndruar në qendër të universit ndërsa të gjithë planetet tjera janë rrotulluar rreth saj. Por Hypatia e ka ditur që kjo nuk është kështu sepse ka studiuar sistemin heliocentric të Aristarkut nga Samos i cili ka qenë filozofi i parë që ka shkruar se në fakt, toka rrotullohet rreth diellit dhe jo anasjelltas, gjë që është vërtetuar poashtu nga Koperniku në shekullin XVI. Për Hypatian një fakt i tillë ka qenë i njohur që në shekullin IV. Për më tepër, ajo arrin të zbulojë se sistemi i orbitave cirkulare të rrotullimit të planeteve rreth diellit nuk i përgjigjet realitetit. Pasi që në antikë rrethi është konsideruar si formë perfekte, është menduar që planetet rrotullohen në formë të rrethit. Por Hypatia me matjet astronomike ka vërtetuar që dielli gjatë vitit merr dy pozita, një herë është më afër tokës dhe një herë më larg saj. Kjo në një qarkullimin rrethor të tokës ka qenë e pamundur, kështu që, pas studimeve të shumta ajo zbulon se toka rreth diellit nuk rrotullohet në qarkore të rrethit por të elipsës. Këtë ajo e ka zbuluar në shekullin IV ndërsa Johanes Kepler e ka ri-zbuluar në shekullin XVII. Nëse na intereson të dimë përse janë dashur 1300 vjet që një zbulim i bërë nga një fikozofe të jetësohet, duhet të kujtohemi se çfarë ka ndodhur gjatë atyre 1300 viteve. Ka ndodhur mesjeta, të dashur lexues, koha kur shumica e njerëzve kanë besuar se toka në fakt nuk rrotullohet fare por është një pllakë e rrafshët e cila qëndron mbi shpinën e tri balenave. Dhe me një thjeshtësi të frikshme, vitet e shekujt e studimeve antike janë shumëzuar me zero, pergamenat e librat janë djegur dhe dituria e tyre është zhdukur sepse njerëzit kanë vendosur ti besojnë konceptet iracionale dhe mitike mbi ato shkencore. Për më tepër, studiuesit e tillë si Hypatia, janë dënuar rëndë për mendimet e tyre. Ajo është shpallur shtrigë dhe magjistare dhe është dënuar me vdekje duke u ekzekutuar me gurrë. Ngjashëm si më vonë kur Xhordano Bruno e të tjerë janë djegur në turrën e druve si heretikë. Janë dashur plot 1300 vite të rizbulohen të vërtetat që njerëzimi i ka ditur që në antikitet.

Dhe ajo që është më e ironike është se ka edhe sot e kësaj dite njerëz që mendojnë se toka është e rrafshët. Sot, me të gjitha arritjet teknologjike, kur satelitët zbersin dhe bëjnë selfie në Mars, ka ende që besojnë se toka është e rrafshët! Për më tepër, shumica prej tyre që e kanë shpallur veten si flat-earthers, besojnë poashtu se vaksinat janë pjesë e një sistemi të konspiracionit të lartë që ka për qëllim zhdukjen e njerëzimit, dhe prandaj nuk lejojnë vaksinimin e fëmijëve të tyre. Shumica prej tyre kanë mbaruar Universitetin e Google-it dhe kanë njohuri shumë më të avancuara shkencore se sa ata që kanë dedikuar jetën e tyre në këtë drejtim! E keqja është se kjo formë e mendimit mesjetar dëmton fëmijët e tyre të pafajshëm. Poashtu dëmton edhe fëmijët tanë sepse në kopshtet e fëmijëve dhe në shkolla riparaqiten sëmundje të cilat kanë shekuj që janë zhdukur.

Injoranca vret të nderuar, prandaj bëni kujdes se çfarë dhe kujt i besoni.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button