Shoqëria e spektaklit dhe diktatura e banalitetit

Pas lamë një vit të mbisunduar nga mendjecektësia, që flet vetëm me mendime të gatshme.

Jetuam në shoqëri spektakli dhe marrëzie, ku u numëruan suksese të paqena dhe u përsëritën refrenet e zakonshme për një të ardhme të ndritur.

Kudo zhurmuan maestrot e demagogjisë dhe u harruan ata që jetojnë larg rrëmujës dhe rrëmetit.

Në shoqërinë e spektaklit nuk kujtohen vetmitarët që punojnë në heshtje dhe në paqe me ndjenjat dhe mendimet e tyre.

Në shoqërinë e spektaklit letërsia, arti, e bukura, shkenca mbeten në plan të fundit.

Në plan të parë janë të lumturit e kësaj bote.

E arti nuk krijohet nga të lumturit.

Në vitin që lamë pas kemi qenë nënshtetas të Perandorisë së Banales dhe Qytetërimit të Kiçit.

Kemi jetuar brenda dimensioneve të njëtrajtshmërisë ngulfatëse.

Jemi ushqyer me banalitetet e gjithçkaditësve dhe maestrove të llafollogjisë.

Jemi ngulfatur nga tirania e aktualitetit dhe jemi mahnitur nga retë kalimtare.

Cikërrimat e ditës na janë paketuar si gjëra të vlefshme.

Kauzat personale na janë paketuar si kauza të përgjithshme.

Kemi adhuruar botën njëngjyrëshe dhe të mbyllur, ku anatemohet madhështia e veçantisë.

Kokat tona janë rënduar prej emrave të përkohësisë së neveritshme, që i bëri të lavdishëm ekrani dhe jo puna vetmitare.

Jetuam në kohën e çekuilibrimit ndërmjet faktorit shpirtëror e material.

Jetuam në kohën e filozofisë së trishtë të barazisë.

Jetuam në kohën kur trivialiteti dhe filozofia e provincës e ngulfatën krativitetin.

Jetuam në kohë kroesusësh, herostratësh, kardashianësh, sponzorushash.

Kam refuzuar dhe refuzoj të bëhem pjesë e kësaj bote mjerane.

Nuk kam dashur dhe as nuk dua të përmend emra politikanësh.

Nuk kam dashur dhe as dua të bëhem kronist ngjarjesh të kotnasikotshme.

Nuk më kanë trazuar dhe nuk më trazojnë banalitetet e aktualitetit, sepse me dhjetëvjeçarë i dëgjoj të njëjtat deklarata.

Asnjëherë nuk jam angazhuar të zëvendësoj një politikan me një tjetër, por një sistem me një tjetër sistem qeverisjeje.

Do të shkruaj atë që ma thotë mendja ime dhe jo mendja e huaj.

Do të punoj me përkushtim për një botë më të mirë, në të cilën nuk do të shënoheshin ikje dhe eksode, por kthime masovike.

Dua që përgjatë këtij viti të shkruaj më shumë për libra, për ekspozita, për koncerte, për filma, se sa për politikë.

Dua që përgjatë këtij viti të shkruaj më shumë për teatrin, i cili, ndonëse në kushte të vështira, po mbahet gjallë nga ëndërrimtarët, që paguhen pak dhe kanë realizuar shfaqje shumë të mira.

Kësi shkrimesh lexohen më pak, veçanërisht kur “ekzistenca i paraprin esencës”, por dua ta afirmoj të bukurën në kohën e spektaklit dhe marrëzisë.

Qoftë ky vit më i paqtë se sa viti që iku!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. I dashur Profesor Salajdin Salihi, ju pergezoj per keto shprehje koniciane me te cilat vleresoni kohen e sotme te tranzicionit.

Leave a Reply to THANAS L. GJIKA Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button