Tangi: Shpresoj që Maqedonia të nisë negociatat për anëtarësim në BE vitin e ardhshëm

Franca me interes të madh i ndjek ngjarjet në Ballkan e sidomos në Maqedoni, konfirmoi deputetja franceze, Liliana Tangi, e cila shpreson se Maqedonia do të fillojë negociatat për anëtarësim në BE, por për atë duhet të plotësohen kushtet, gjegjësisht zbatim i reformave, thotë ajo në një bisedë me korrespondentin e MIA-s, transmeton Portalb.mk.

Deputetja franceze Liliana Tangi, përndryshe me prejardhje maqedonase, nga babai i saj, konsiderohet si një nga njohësit më të mirë të situatës në vendet e Ballkanit. Për të dhe kolegët e saj është me rëndësi të informohen për ngjarjet në këto vende. Rasti i fundit që e pat ajo, ishte vizita e shefit të diplomacisë maqedonase Nikolla Dimitrov në mes të muajit në Paris.

“Patëm mundësi të shkëmbejmë pikëpamjet me të, së bashku me kryetarin e Komitetit të punëve të jashtme të Asamblesë Kombëtare Franceze për situatën në Maqedoni. Kryesisht biseduam për procesin e vlerësimit të procesit të marrëveshjes së arritur ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë lidhur me ndryshimin e emrit në Maqedonia Veriore, që po diskutohet në Kuvend. Ne deshëm të dimë se deri ku ishin diskutimet. E gjithë kjo është inkurajuese, sepse informacionet që na u dhënë janë se procesi është në rrugë të mbarë dhe se po zhvillohet debat publik në vend dhe se votimi në Parlament është paraparë rreth 15 janarit”, thotë ajo.

Sipas Tangi, veprimi dhe angazhimi i Francës në vendet e Ballkanit dhe sidomos në Maqedoni është gjithnjë e më i dukshëm, për atë se si Franca mund t’i ndihmojë Maqedonisë dhe vendeve tjera të Ballkanit.

Si referuese për vendet e Ballkanit Perëndimor në Komisionin për punë të jashtme, por edhe si Zëvendës-kryetare e komisionit për çështje evropiane në Asamblenë Kombëtare, unë jam direkt e përfshirë në shkëmbimet ndër-parlamentare që i kemi me këto vende. Kjo sidomos vlen me Maqedoninë, sepse kam prejardhje maqedonase nga babait im. Jam shumë e lidhur me këto vende, gjë që shpjegon se përveç pozicionit tim, dua që ato të avancojnë e bashkë me të avancojë edhe bashkëpunimi me ta dhe me fqinjët e tyre në Ballkan. Mendoj se, siç tha presidentja jonë de Sarnez, gjatë bisedimeve, “ky bashkëpunim duhet të jetë parakusht për fillimin e procesit të integrimit evropian dhe duhet të kontribuojë në stabilizimin e rajonit, diçka që është e rëndësishme për këto vende dhe për Bashkimin Evropian, theksoi Tangi.

Deputetja franceze shpreson se vitin e ardhshëm Maqedonia do të fillojë negociatat për anëtarësim në BE, por për këtë gjë, sipas saj, ka kushte që duhet të përmbushen.

“Shpresoj, por ka kushte që duhet të plotësohen. Mendoj se qeveria franceze, e unë s’do të flasë në emër të saj, por unë jam deputete dhe ne e inkurajojmë zbatimin e reformave që kanë filluar në Maqedoni, por edhe në vendet tjera të Ballkanit. Zbatimi efektiv i këtyre reformave do të kushtëzojë vendimin e Bashkimit Evropian dhe Francës si shtet anëtar”, porositi Tangi.

Për këtë qëllim, deputetët francezë janë të gatshëm të thellojnë më tej bashkëpunimin me kolegët nga Maqedonia për çka janë paraparë shkëmbime reciproke të përvojave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button