Në moshën 28 vjeçe nuk dinte të notonte, ndërsa në moshën 30 vjeçe mori pjesë në triatlon

Edhe pse kurrë nuk praktikoi sporte dhe nuk dinte të notonte, Nuxhejma Softiq nga Sarajeva në moshën 28 vjeçe filloi të vrapojë dhe për dy vjet ajo u bë një nga gratë e para në Evropë e cila me hixhab vrapoi maratonë dhe mori pjesë në triatlonin Ironman, shkruan Radiomof.

Historia e saj frymëzuese, e cila i motivoi shumë njerëz të ndryshonin, ishte një rast për një ekuipazh të vogël nga Kroacia dhe Bosnja dhe Hercegovina për të dokumentuar jetën e Nuxhejmës, të ndërthurur me pengesa dhe tragjedi, në një projekt filmik nën titullin “Ylli i vogël në ngritje “(Little Star Rising).

Drejtori i filmit Slagjana Luçiq, një gazetare në Al Xhazira Balkans, i tha Radio MOF se historia e Nuxhejmës i dha guximin të fillonte xhirimin e këtij dokumentari të parë rreth saj.

“Nuxhejma dhe unë jemi kolege në Al Xhazira Balkans në Sarajevë. Ajo është lektore ndërsa unë jam redaktore e lajmeve. Megjithëse ne jemi parë çdo ditë për tre vite, nuk mund të them se kemi shkëmbyer më shumë se disa fjalë. Por ndryshimi i saj ishte aq i fuqishëm sa që më inkurajoi të angazhohesha më tepër dhe për herë të parë të vrapoja një gjysmë maratonë, dhe nuk isha e vetmja. Është e thjeshtë, kur në botën reale përjetoni diçka për të cilën e lexoni në libra dhe shihni nëpër filma, atëherë nuk keni zgjidhje përveçse të fitoni frikën ndaj të panjohurës,” thotë Luçiq.

Pjesën më të madhe të fondeve të nevojshme për filmimin e filmit Luçiq i siguroi nga të ardhurat personale, së bashku me producentin Tamara Babun dhe me mbështetjen e bashkëprodhimit të Al Xhazira Balkans. Për postprodukcionin e filmit ata ngritën një fushatë crowdfunding përmes së cilës shpresojnë të mbledhin 12 mijë dollarët e fundit që u nevojiten për ta finalizuar dokumentarin.

“Mbaj mend se desha të heq dorë dhe të ik nga e tërë puna kur i pashë së pari llogaritjet e Tamarës për një dokumentar të metrazhit të gjatë. Megjithatë, arritëm para përfundimit. Më vjen mirë që ishim të guximshëm dhe këmbëngulës dhe se kishim mbështetjen e familjeve dhe miqve. Një numër i filmave nga rajoni po vendosen për crowdfunding për shkak të mungesës së parave për projektet që kërkojnë përgatitje dhe incizim shumëvjeçar. Ana e mirë e kësaj mënyre të mbledhjes së fondeve është që në të njëjtën kohë po ndërtojmë rrugë deri te audienca jonë derisa punohet në filmin dhe kështu edhe ata bëhen pjesë e ekipit. Ana e keqe është se nëse nuk mblidhen para të mjaftueshme, nuk do të mund të përfundosh atë që ke filluar “, thekson Luçiq.

Filmi është filmuar për dy vjet dhe ndjek ndryshimin personal të Nuxhejmës por edhe ndikimin e miqve, të njohurve, të huajve dhe të komunitetit më të gjerë. Në ato dy vite ajo bëhet ndryshimi që shkakton edhe të tjerët të bëjnë më shumë për veten e tyre. Por në atë rrugë ajo përballet me shumë kundërshtarë.

Luçiq shpjegon se planet janë që filmi të përfundojnë në fillim të marsit të vitit të ardhshëm dhe pastaj ekipi i filmit planifikon të tregojë filmin në festivalet e filmit në rajon dhe më gjerë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button