Viti i shpresave të mëdha

Viti 2018 për Maqedoninë do të mbahet mend pa dyshim si viti i Marrëveshjes së Prespës. Ky moment do të mbetet i shënuar në historinë e këtij shteti të vogël që dekada me radhë është përballur me probleme të mëdha. Nuk është rastësi që pikërisht lidhur me kontributin esencial në arritjen e kësaj marrëveshje kryeministrat e dy vendeve, Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras janë nominuar për Çmimin Nobel për Paqe. Shumë gjëra tjera të përditshme lidhur me këtë shtet do ti mbulojë pluhuri i harresës, por data 12 Qershor 2018 do të mbetet e paharruar. Kjo marrëveshje u përshëndet nga të gjitha shtetet që janë partnerë strategjikë të Maqedonisë, dhe i gjithë ndikimi i tyre u koncentrua në një qëllim, që kjo marrëveshje të implementohet sa më parë dhe Maqedonia përfundimisht të bëhet anëtare e NATO-ss dhe të hapë bisedimet për aderim në BE. Viti 2018 është viti i kthesës, viti kur ky qëllim u bë prioriteti kryesor. Deri në këtë vit vetëm deklarohej se integrimi në NATO dhe BE është prioritet, por në fakt nuk ishte ashtu. Prioritet ishte diçka tjetër, si për shembull mbajtja me çdo kusht e pushtetit dhe privilegjeve që ofron ai dhe përparimi i bizneseve të ndryshme lidhur me atë pushtet, që siç u kuptua më vonë, ka qenë veprimtari shumë lukrative për pushtetmbajtësit.

Historia do të shkruajë edhe për referendumin e 30 Shtatorit 2018. Ky poashtu do të mbetet një moment interesant historik, i interpretuar në shumë mënyra. Në fund të ditës, ai ishte një referendum ku më shumë se 90% e qytetarëve që votuan u shprehën pro integrimit në NATO dhe BE me pranim të Marrëveshjes së Prespës. Në fund të ditës, edhe pse me një dalje të ulët prej 37%, ky rezultat tregoi qartë që mbi 600.000 qytetarë dolën dhe votuan me bindje të pastër për një drejtim pro-perëndimor, pa presione politike të cilat zakonisht lidhen me zgjedhjet parlamentare ose lokale. Ishte ky një votim i lirë që tregoi gjendjen reale të listave zgjedhore, të politikës ditore dhe të bindjes së një numri të konsiderueshëm të qytetarëve që vendi i Maqedonisë është në NATO dhe BE, pa marrë parasysh sakrificat që duhen bërë për t’u arrirë kjo. Ishin pikërisht këta 600.000 qytetarë që në vitin 2016 votuan pro ndryshimit të pushtetit të atëhershëm. Janë këta 600.000 qytetarë përfaqësues të mendimit progresiv në shtet të cilët munden dhe gjithmonë bëjnë ndryshimin në këtë shtet me shumë dilema dhe me shumë forca regresive.

Viti 2018 do të mbahet mend edhe për fillimin e procedurës parlamentare për ndryshimet kushtetuese që lidhen sërish me Marrëveshjen e Prespës. Do të mbahet mend ky vit sepse u arrit një shumicë e kualifikuar në Kuvend e cila mundësoi hapjen e procesit për adoptimin e amandamenteve të reja kushtetuese. Diçka që dukej e paarritshme dhe e pamundur, u tregua se mund të jetë e mundur. Por ky proces ende nuk ka mbaruar dhe mbetet të shihet si do të ecë deri në moment të fundit. Në fillim të vitit të ri do e përjetojmë edhe një herë pritjen para ekranit të televizorit për të parë se a do të tregojë sërish numrin 80 numëruesi i votave në Kuvend.

Viti 2018 do të mbahet mend edhe për arratisjen spektakolare të Gruevskit. Do të mbahet mend edhe për atë që Sasho Mijallkov, Orce Kamcev, Mile Janakievski, dhe të tjerë shkuan urgjent në paraburgim pas ikjes së Gruevskit, por sipas shumë gjasave dhe siç duket, me kërkesë të vetë Prokurorisë Speciale, të njëjtit do të lirohen nga paraburgimi dhe do të dërgohen në paraburgim shtëpiak për të pritur festat e fundvitit në gjirin familjar. Viti 2018 do të mbahet mend edhe si vit i Ligjit për Amnisti lidhur me ngjarjet e 27 Prillit 2017. Do të mbahet mend edhe për kërkesat për ndryshim të Kodit Penal me qëllim që të akuzuarit e PSP të marrin dënime më të ulëta ose të lirohen nga ndjekja. Viti 2018 do të mbahet mend për sakrifikimin e drejtësisë në altarin e politikës së lartë, në emër të një farë pajtimi i cili vështirë se do të ndodhë ndonjëherë.

Viti 2018 na mësoi që në vendet politikisht jostabile dhe në udhëkryq, prioritetet politike janë gjithmonë më të forta se ato që lidhen me sundimin e së drejtës. Ky vit na mësoi që qëllimi arsyeton mjetet, edhe kur ato janë tërësisht të paarsyetueshme. Viti 2018 na mësoi që nuk mund t’i fitojmë të gjitha betejat në të njëjtën kohë, dhe që duhet t’i zgjedhim ato që janë më prioritare. Në vitin 2018 ky prioritet u vendos mbi politikën dhe përgjegjësia penale për raste të caktuara që involvojnë të akuzuar të kalibrit të lartë, mbeti sërish e padefinuar.

Viti 2019 do të na tregojë nëse kjo sakrificë ia ka vlejtur. Do të na tregojë nëse kemi bërë mirë si shtet që i kemi mbyllur sytë sërish dhe kemi lejuar që disa persona të shpëtojnë pa u përgjigjur penalisht. Viti 2019 do të na tregojë nëse është e mundur që ndonjëherë dikush vërtet të përgjigjet për krimet e bëra. Viti 2019 do të na tregojë nëse drejtësia do të jetë ndonjëherë e mundur ose do të mbesë përgjithmonë një utopi.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button