Ministrja izraelite që kërkonte vrasjen e nënave palestineze, mbështet PKK-në

Ministrja izraelite e Drejtësisë, Ayelet Shaked, e cila më herët ka shkaktuar reagime me shpërndarjen në media sociale të një shkrimi racist që bënte thirrje për vrasjen e nënave palestineze, kësaj radhe ka bërë propagandë njollosëse kundër presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, si dhe ka bërë thirrje për mbrojtjen e organizatës terroriste YPG/PKK, transmeton Anadolu Agency (AA).

Shaked, e emëruar si ministre e Drejtësisë në qeverinë e Benjamin Netanyahut pas shpërndarjes së shprehjeve skandaloze në vitin 2014, ku thuhej se “edhe nënat e dëshmorëve palestinezë duhet të vriten dhe fëmijët e tyre janë gjarpërinj të vegjël”, kësaj radhe ka sulmuar presidentin Erdoğan.

Duke folur në Radion Ushtarake, Shaked ka thënë se tërheqja e SHBA-ve nga Siria “do ta forcojë presidentin Erdoğan dhe do të jetë në dëm të Izraelit”, raportoi gazeta izraelite Jerusalem Post.

“Shpresoj që kurdët të fitojnë luftën kundër Turqisë. Shpresoj që komuniteti ndërkombëtar të parandalojë vrasjen e kurdëve nga ana e Erdoğanit”, është shprehur Shaked, duke iu referuar pranisë së organizatës terroriste YPG/PKK në Siri.

“Gjarpërinj të vegjël”

Ndryshe, Shaked, e njohur me pikëpamjet e saj radikale, në vitin 2014, kur ishte deputete e partisë Shtëpia Hebreje (Habayit Hayehudi), kishte bërë një postim skandaloz.

Sipas një lajmi të gazetës izraelite Haaretz, Shaked kishte shpërndarë në Facebook disa shprehje të vitit 2002 të ish-këshilltarit të Netanyahut, Uri Elitzur, në të cilat thuhej:

“Pas çdo terroristi qëndrojnë dhjetëra burra dhe gra, pa të cilët ata nuk do të mund të përfshiheshin në terrorizëm. Aktorët e kësaj lufte janë ata që bëjnë nxitje në xhami, të cilët shkruajnë kurrikulat vrastare për shkollat, të cilët strehojnë, ofrojnë automjete dhe të gjithë ata që i nderojnë dhe u japin atyre mbështetje morale. Ata janë të gjithë luftëtarë armiq dhe gjaku do të jetë në kokat e tyre. Kjo përfshin edhe nënat e dëshmorëve, të cilët i dërgojnë fëmijët në ferr me lule dhe puthje. Ata duhet të ndjekin bijtë e tyre, asgjë nuk do të ishte më e drejtë. Ata duhet të shkojnë, sikurse edhe shtëpitë e tyre fizike në të cilat i rrisin këta gjarpërinj. Përndryshe, edhe më shumë gjarpërinj do të rriten atje”.

Në një hap që i ngjante një shpërblimi nga ana e Netanyahyut në vitin 2015 pas shpërndarjes së postimit i cili i quante fëmijët palestinezë “gjarpërinj të vegjël”, Shaked ishte emëruar ministre e Drejtësisë, duke shkaktuar reagime të shumta.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button