Fest’ 57/ Rruga drejt Tel Aviv-it mes zbehtësisë artistike dhe ngjyrave të paqarta vokale

Pianisti dhe dirigjenti Desar Sulejmani bën një analizë të edicionit të ’57-të të Festivalit të Këngës. Artisti shprehet se Fest’57 ishte i ndikuar nga Eurosong

Desar Sulejmani

Në fund të çdo viti, si përherë, ekranet televizive në vendet shqiptare përcjellin më së shumti imazhet e spektaklit më të rëndësishëm të këngës shqiptare, Festivalit të Këngës në RTSH. Edhe pse përherë shpresa dhe pritshmëria për një shfaqje kulmore në lëmin e muzikës moderne shqiptare është e madhe – kjo në fakt është ndoshta edhe përgjegjësia e madhe dhe e përhershme e gjithë organizatorëve të këtij konkursi të këngës – të paktën në vitet e fundit, mbresat e pasfestivalit janë shpeshherë të mbushura me një psherëtimë të thellë në lidhje me zhvillimet tërësore të këtij aktiviteti. Koha e zhvillimit të tij, e vendosur dhe e mirëmenduar prej shumë vitesh para Krishtlindjeve, përkon mrekullisht me një “liri” të shkurtër pune e angazhimesh personale, e cila gjithmonë ma lejon përherë luksin të ndjek me vëmendje dhe mbi të gjitha ta vlerësoj nga shumë dimensione një vlerë të padiskutueshme në fushën e muzikës profesioniste moderne shqiptare.  Duke mos dashur të ndalem në dy netët e para të Fest’57, kërshëria ime profesionale gjeti pak qetësi në natën finale të tij. Duke e konceptuar me të drejtë si një moment kulmor të të gjithë aktivitetit, nata finale pritet të mbledhë rreth vetes elementët më të mirë dhe nivelin më të lartë artistik të të gjithë festivalit, kjo e përkthyer në një skenar të zhdërvjellët, ritëm të mirë skenik nga të gjithë aktorët dhe elementët shtesë, veçori të cilat janë të pashmangshme në këtë rast ndërmjet momenteve monotone, si përshembull dhënia e pikëve nga anëtarët e ndryshëm të jurisë. E parë nën këtë prizëm dhe me planesh të ndryshme, me kalimin e minutave dhe orëve m’u desh të konstatoja dhe të vërtetoja edhe këtë vit atë ndjenjën fillestare që ndjeva gjatë dy netëve të para, psherëtimën personale, se edhe ky vit mund të quhet i humbur në rrugën drejt një profilizimi kombëtar të këtij aktiviteti. Ndjehet qartazi që Fest’57 dhe paraardhësit e tij vuajnë nga sindroma Eurovision Song Contest (ESC). E quaj me vetëdije sindromë, sepse kjo sipas mendimit tim është edhe pikënisja e problemit, është epiqendra e çdo zhvillimi artificial (siç ishte përshembull këtë vit gjoja prezantimi paraprak i këngëve nga këngëtarët përkatës, tek i cili kishte shpeshherë momente bile të dënueshme ligjore – selfie duke drejtuar makinën, një shembull i gabuar për një shoqëri akoma në kërkim të vetvetes), i cili më pas shpaloset në shumë dimensione artistike dhe organizative. Kam qenë personalisht gjithmonë skeptik në lidhje me pjesëmarrjen e Shqipërisë në ESC, sidomos kur mendoj edhe mungesat e mëdha që Shqipëria ka në drejtim të një mendësie globale, gjeopolitike dhe artistike për t’u përfaqësuar denjësisht në spektaklin evropian të këngës moderne. Përvojat e deritanishme në pjesëmarrjet shqiptare në ESC nga viti 2004, me përjashtimet e tyre të rralla, e tregojnë më së miri këtë gjë. Natyrisht që në këtë rast e drejta e çdo vendi evropian për pjesëmarrje në ESC është legjitime, ama jo çdo herë pjesëmarrja e përligj në vetvete këtë dëshirë artistike, politike dhe popullore. Festivali i Këngës në RTSH ka vite që lundron në ujëra të turbullta përsa i përket origjinalitetit të tij, forcës së tij të dikurshme artistike tek masa e gjerë e popullsisë. Ky spektakël i mirënjohur i këngës në një farë mënyre ka humbur rrugën vazhdueshme logjike drejt kërkimit profesional në lëmin e zhvillimit të këngës moderne (të lehtë) shqiptare. Sot, jo vetëm në skenën e festivaleve të RTSH-së, ne dëgjojmë në të shumtën e rasteve këngë, të cilat janë kopjime të hapura të krijimeve të huaja, shikojmë se si këngëtarë të rinj, apo edhe më të njohur për publikun, nuk kujdesen më për nivelin vokal të tyre, por më shumë për veshjen, “look-un” e paraqitjes, lëvizjet koreografike pa shije dhe mënyrën “me të bërtitme dhe vuajtje vokale” në prezantimin e këngëve të tyre. Parë nën këtë dritëhije edhe këtë vit nuk munda ta ndjej atë dorën e hollë e të kujdesshme artistike, e cila është domosdoshmëri për të sjellë te publiku shijet më të mira artistike të vitit që lëmë pas. Sipas botëkuptimit tim artistik dhe moral, ky është edhe misioni më i rëndësishëm i këtij aktiviteti. Duke u marrë konkretisht me elementët artistikë të Fest’57, nga ekrani i televizorit përjetova një natë finale me një skenar dhe regji të dobët, elemente këto të vakëta në mendime dhe ide, të cilat ashtu siç u sollën, më së shumti mund të kapërdihen disi tek kanalet private kombëtare, por kurrsesi nuk mund të lejohen si nivel përfaqësues i tillë nga institucioni më i lartë shtetëror radioteleviziv. Asnjëherë nuk munda t’i shijoja ashtu siç duhej dy prezantuesit e këtij viti, Ana Golja dhe Viktor Zhusti, të cilët ishin në shumicën e rasteve të ngurtë, të ngulitur pas ekranit mbrapa kamerave, duartrokisnin personalisht, apo kërkonin duartrokitje pa kuptim nga publiku (no gos në fushën përkatëse), pikërisht atëherë kur ritmi skenik kishte rënë nën nivelin zero. Jam i vetëdijshëm mbi faktin, që nuk është e lehtë të drejtosh një festival, pasi këtë e ka bërë një ikonë skenike si Adi Krasta, ama kjo nuk do të thotë që çdo prurje nga jashtë, apo të qenit aktor i arrirë dhe i nderuar, të bën automatikisht prezantues elokuent dhe të lirshëm me publikun. Pikërisht sindroma e të sjellit përherë diçka të re në skenë ka koston e saj të rëndë në lidhje me humbjen, ose më saktë ia heq mundësinë e krijimit të një profili artistik të vazhdueshëm të festivalit. Ndjenja që përherë duhet t’ja nisim nga fillimi e dobëson në palcë çdo arritje sado të vogël të viteve të kaluara. Në këtë kuadër, do e kisha parë si shumë të dobishme vazhdimësinë e Adi Krastës si prezantues i Festivalit, i cili patjetër do kishte reflektuar nga zhvillimet e vitit të kaluar dhe do të ishte kështu i kujdesshëm për një nivel të lartë profesional (jo vetëm) në prezantim. Pa dashur të ndalem në daljet e paargumentuara në skenë vetëm për të prezantuar thatë një këngë, apo batutat bajate mes prezantuesve, nuk mund të justifikohet sjellja nga Kanadaja si prezantuese e një të reje me vlera personale artistike, por që për arsye të mungesave të theksuara në artikulimin e lirshëm, rrjedhshëm dhe korrekt të gjuhës shqipe, linte në të shumtën e rasteve shijen e dobët të prezantueseve të huaja kukulla tek pasditet e të dielave shqiptare. Sita e përzgjedhjes (në çdo aspekt artistik) në institucionin më të lartë radioteleviziv shtetëror, i cili mbahet në shumicë me paratë e taksapaguesve shqiptarë, duhet të tejkalojë çdo njohje personale të drejtuesve të tij. Përgjegjësia e lartë artistike që mbart Festivali i Këngës në RTSH, tradita e tij e gjatë, shijet e holla muzikore/artistike që ai duhet të përcjellë vit pas viti, duhet të dalin përherë mbi çdo shije personale të grupit realizues. Ndryshe të gjithë bëhen qesharakë si në rastin e Mozart-it shok me Lasgush Poradecin e 2017-tës, apo rasteve të ngjashme më përpara. Duke u kthyer përsëri tek të qenit konkret, edhe këtë vit, nuk e kuptova pse muzikantët e Orkestrës Simfonike të RTSH (OSRTSH) duhet të ndaheshin vetëm për dekor aq larg njëri-tjetrit, kur realisht ato nuk luanin direkt muzikën e shkruar mbi pultet e tyre, apo pse një aktori karriere si Viktor Zhusti i duhet të manipulojë një opinion të tërë ndjekësish të Fest57, kur thotë me bindje se atje këndohet live, ashtu siç është bërë gjithmonë që në krijimin e tij! Mjaftojnë ndër të tjera vetëm pak sekonda vëzhgim drejt planeve të kamerës, kur ajo i drejtohet muzikantëve të orkestrës apo ansamblit rreth Elton Dedës, mjafton vetëm të dëgjosh ndryshimet teknike në zë, kur këngëtarët falënderojnë pas këngës, që të kuptosh se sa “live” prezantohet kënga e lehtë shqiptare në festivalin e RTSH. Të bërit muzikë “live” u eliminua totalisht nga regjia/drejtimi artistik dhe askush në skenar nuk u kujtua të vendoste raporte të barabarta prezantimi mes muzikës dhe koreografisë, edhe atëherë kur emocioni muzikor i drejtpërdrejtë do mund të gjente natyrshmërinë e forcën e tij të pashmangshme, si në rastin e prezantimit të pjesës së baletit modern nga balerinët shqiptaro – francezë (në këtë rast muzika e Franz Schubert-it me veprën e tij të mirënjohur “Ständchen – Pjesë/Ninullë” mund të luhej direkt në skenë përshembull nga solistja e violave të Orkestrës Simfonike të RTSH-së shoqëruar në piano nga njeri nga dirigjentët e pranishëm, duke sjellë më këtë rast një vlerë simbolike dhe padyshim edukuese për publikun). Dikur drejtuesit e Festivalit të Këngës në RTSH justifikonin të moskënduarin direkt në sallë me mungesën e një teknikë të përparuar, e cila do të mundësonte një cilësi të mirë të zërit në përcjelljen televizive. Por çfarë mund të thonë ato sot në epokën e transmetimeve digjitale, të cilat reklamohen egërsisht në çdo ekran televiziv? Duke u kthyer tek muzika e këngëve finale të Fest 57, në morinë konkurruese të tyre mund të shijoje sipas gjykimeve artistike personale, këngë interesante si ajo e Gjergj Lekës (ku mesazhi politik merrte një frymëmarrje të veçantë mbi realitetin e sotëm politiko – social jo vetëm në Shqipëri), Elton Dedës, Eliza Hoxhës, të grupit “Alarband” (një përzierje muzikore me ndikime të ndryshme ballkanike, ndoshta pak më afër staturës globaliste të ESC), Lidia Lufit, apo të një lloj estetike alla italiana tek “100 pyetjet” e Eranda Libohovës. Sidoqoftë tek këto të mësipërmet, apo edhe të tjerat në natën finale, nuk ndjeva diçka që mund të kishte dalë nga melosi shqiptar, një krijim i bazuar në teknika kompozicionale origjinale, siç jam gjithashtu i vetëdijshëm për vështirësitë profesionale që lidhen me çdo krijim të përveçëm. Nga ana tjetër gjithashtu nuk mund të dalloj atë vijën e hollë të drejtuesve e festivaleve të pas 90-tës drejt zhvillimit profesional të këngës shqiptare, nuk vërej ndonjë kujdes të veçantë për të kultivuar diçka të tillë, nuk ndjej rrugën e qartë të një vizioni artistik për të arritur tek origjinaliteti i një kënge moderne shqiptare, larg presioneve tregtare ditore.

Burimi: Shekulli 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button