Raporti i SHGM-së: Sulmet ndaj gazetarëve janë zvogëluar, mosndëshkimi i sulmuesve ende ekziston

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë sot prezantoi raportin vjetor për shkallën e lirisë së mediave dhe sigurinë e gazetarëve në Maqedoni për vitin 2018, i përgatitur në kuadër të projektit: Platforma Rajonale e Ballkanit Perëndimor për Avokimin e Lirisë së Medias dhe Sigurisë së Gazetarëve, i financuar nga Bashkimi Evropian.

Në tre indikatorët kryesorë të raportit, siç është suaza ligjore për lirinë e medias, pozita e gazetarëve në redaksitë dhe siguria e gazetarëve, në vitin 2018 nuk ka ndryshime të mëdha në sferën mediatike.

Raportin e prezantoi Drejtori i SHGM-së, Dragan Sekulluvski i cili tha se Qeveria nuk ka arritur ta përmirësojë legjislacionin mediatik, ndërsa këtë gjë e paralajmëronin kohë të gjatë. “Ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele, që kishte për qëllim të krijojë ambient më të mirë për punën e mediave, nuk është miratuar në Kuvend. Kemi informata se Qeveria dhe opozita janë afër arritjes së marrëveshjes dhe deri në fund të vitit pritet që Ligji të votohet”, tha ai.

Sekullovski kritikoi Qeverinë se nuk ka arritur t’i realizojë edhe projektet tjera për ligjet mediatike, që i premtoi në kuadër të planit 3-6-9, siç janë ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për shpifje dhe fyerje dhe plotësimet e Ligjit për qasje të lirë deri në informacionet me karakter publik.

“Në vitin 2018, jo vetëm se nuk u përmirësua legjislacioni mediatik, por përkundër kishte edhe regres” theksoi Sekullovski dhe tha se gjatë pushimeve verore, pa debate dhe në mënyrë jotransparente, Qeveria miratoi ndryshimet dhe plotësimet e Kodit Zgjedhor dhe Ligjit për financimin e partive politike. “Këto ndryshime mundësojnë që partitë politike të mund të shpenzojnë para publike për të financuar propagandën politike në media gjatë kohës së fushatave zgjedhore dhe referendumeve”, tha ai.

Sipas SHGM-së, këto ndryshime do të ndikojnë negativisht mbi lirinë e mediave sepse kjo paraqet mënyrë alternative e kthimit të reklamave qeveritare, me të cilët në të kaluarën qeveria i fitonte simpatitë e mediave dhe ndikonte në politikën e tyre redaktuese.

Sekullovski foli edhe për punën e gjykatave në vend në lidhje me punën e tyre për paditë për shpifje dhe fyerje. Sipas Shoqatës, këtë vit  është regjistruar edhe moszbatimi i drejtë i ligjeve që rregullojnë median. “Kemi mospërputhje në praktikën gjyqësore për Ligjin për shpifje. Gjyqi Civil dhe i Apelit në Shkup refuzojnë paditë për shpifje dhe fyerje kundër mediave onlajn me shpjegim se ato nuk janë media, ndërsa gjykatat tjera të apelit veprojnë ndryshe. SHGM kërkoi nga Gjykata Supreme ta përafrojë praktikën gjyqësore, por deri më tani nuk ka qëndrim zyrtar nga kjo Gjykatë”, theksoi Sekullovski.

Këtë vit ka përmirësime në aspekt të sigurisë së gazetarëve, mirëpo politika e mosndëshkimit ende ekziston në shtetin tonë. “Numri i sulmeve është zvogëluar, ndërsa janë sjellë edhe vendimet e para në gjyq kundër atyre që sulmonin gazetarë në të kaluarën. Fatkeqësisht politika e mosndëshkimit në Maqedoni ka rrënje të thella. Nga 59 sulme, deri më tani janë zgjedhur vetëm dy” tha Sekullovski dhe shtoi se gazetarët nuk do të ndjehen të sigurt përderisa institucionet nuk i hetojnë tërësisht të gjitha sulmet e gazetarëve dhe deri sa dhunuesit nuk sillen para drejtësisë.

Në raportin është regjistruar se nuk ka përmirësime as në aspekt të pozitës së gazetarëve në redaksitë, etikës profesionale dhe nivelit të censurimit. “Në Maqedoni pothuajse gjysma e gazetarëve ka rroga më të vogla nga rroga mesatare në shtet, që në këtë moment është afër 24 mijë denarë. Shumica e gazetarëve nuk ka kontrata për punësime me afat të pacaktuar, ndërsa 19 për qind janë të angazhuar përkohësisht. Mbi 55 për qind të gazetarëve rroga u vonohet”, theksoi Sekullovski.

Së fundi Sekullovski apeloi Qeverinë që ta kuptojë seriozitetin e situatës me të cilën përballohen mediat dhe gazetarët dhe t’i kthejë reformat për media në Planin 18. “Pa lirinë e shprehjes Maqedonia nuk mund të bëjë progres të dukshëm në agjendën euroatlantike, ndërsa vendi do të mbetet në fund të indekseve botërore të lirisë së shprehjes”, tha ai.

Tërë raportin mund ta gjeni në këtë hallkë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button