Është koha për një kushtetutë paqësore

Kushtetuta japoneze është më pacifistja në botë. Parlamenti i Japonisë, fill pas Luftës së Dytë Botërore shpalli Kushtetutën japoneze më vitin 1947 dhe nuk ka bërë asnjë modifikim tjetër, veçmas kur bëhet fjalë për nenin 9, më i famshmi deri më sot, ku thuhet që “Japonia heq dorë përgjithmonë nga lufta dhe përdorimi i forcës si mënyrë e rregullimit të konflikteve ndërkombëtare”. Ajo këtë ligj mund ta ndryshojë vetëm nëse sulmohet drejtpërdrejtë.

Sa i përket Maqedonisë, për tri dekadat e fundit ka bërë tri herë ndryshime kushtetuese. Më 1991, me kalimin e republikës së Maqedonisë nga Federata jugosllave në shtet të pavarur, Kushtetuta e Maqedonisë u bë pa vullnetin e shqiptarëve, e që la hapësira të mëdha padrejtësie, e cila edhe solli konfliktin e armatosur midis UÇK-së dhe politikës shtetërore të Maqedonisë. Këtu u pa qartë se Kushtetuta e ndërtuar pa parime demokratike dhe pa drejtësi reale midis nacionaliteteve, qenka “nëna” e të gjitha të këqijave.

Pas konfliktit të dymijë e njëshit në maqedoni, u dashtë që me Marrëveshjen e Ohrit sërish të bëhet ndryshimi i Kushtetutës së vendit. Në këtë marrëveshje, problemi thelbësor ishte preambula dhe kësisoj në këtë marrëveshje u theksua qartë se në preambulë do të shkruhet përafërsisht kësisoj: “Republika e Maqedonisë është shteti i qytetarëve të saj”, pa u përcaktuar nacionalitet e ndryshme që jetojnë në te. Mirëpo, me kalimin e kohës, më 2002, kur edhe u përcaktua kushtetuta e re, përsëri u devijua Marrëveshja e Ohrit dhe u vendos që në preambulë të përcaktohet si bazë vetëm kombi dhe gjuha maqedonase dhe në kategorinë e dytë përmenden edhe nacionalitetet tjera si shqiptarët, turqit, romët, vllahët etj. Me këtë kushtetutë u avanca diçka “kombi mbi 20%”, që nënkuptoheshin shqiptarët. Pikërisht kjo kushtetutë sërish la zbrazëtira të mëdha për konflikte të reja, siç ndodhi rasti me Brodecin, Kumanovën etj. Për këtë, fajin më të mëdh e patën deputetët shqiptarë, të cilët e përkrahën propozimin e palës maqedonase që të ndryshoje preambula jashtë Marrëveshjes së Ohrit. Në këtë rast, nuk e devijuan Marrëveshjen e Ohrit vetëm maqedonasit, por edhe deputetët shqiptarë, në mesin e të cilëve nuk e votuan “tradhtinë kushtetuese” vetëm dy deputet shqiptarë, kurse të tjerët shkelën mbi vullnetin e popullit dhe gjakun e dëshmorëve. Themi kështu pasi ata deputet e kishin obligim ligjor e moral ta mbrojnë këtë marrëveshje të nënshkruar nga katër partive më të mëdha të Maqedonisë së atëhershme dhe nga Faktori ndërkombëtar. Për çudi, askush nuk e ngriti zërin për këtë shkelje, e cila mezi kishte fituar dritën jeshile në Marrëveshjen e Ohrit. Nuk ndërhyri as faktori ndërkombëtar, pasi kjo u bë edhe me përkrahjen e shumicës së deputetëve shqiptarë.

Këto javët e fundit, sipas debatit publik që po bëhet për kushtetutën e re (e treta me radhë në demokraci), Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut po lëngon edhe më shumë, pasi, siç kuptojmë nga mediumet e ndryshme, përcaktimet dhe të drejtat nacionale po shtrembërohen në mënyrë eklatante, veçmas kur kemi të bëjmë  me shqiptarët si popullata e dytë në numër dhe më autoktone në vend. Themi kështu, me aq sa ne kemi informata, se edhe shqiptarët do të thirren shtetas maqedonas, të cilët, në të gjitha kushtetutat e deri më sotme janë thirrur shtetas të Maqedonisë. Pse tani të thirren shtetas maqedonas, kur kuptohet qartë se me fjalën maqedonas, .kuptohet një identitet kombëtar,  në këtë rast kuptohet kombi maqedonas. Tani, dikush dëshiron që edhe identiteti shqiptar të identifikohet njësoj si ai maqedonas. Kjo nuk mban fare dhe nuk përkon me asnjë logjikë njerëzore e demokratike. Fare e thjeshtë. Pasi që ndërron emri i shtetit, atëherë shqiptarët dhe të gjitha nacionalitetet tjera duhet të thirren shtetas të Maqedonisë së Veriut. Pastaj, nëse ka nevoja të tjera, nacionalitetet munden të përcaktohen me ndonjë nen tjetër.

Siç duke, që në preambulë  fillon e keqja e kushtetutës së re. Prandaj, ua tërheqim vëmendjen deputetëve shqiptarë dhe faktorit politik shqiptarë në përgjithësi që të kenë kujdes, se nuk bëhet çdo ditë kushtetutë. Kjo duhet të merret shumë seriozisht, nëse duam që njëherë e përgjithmonë të mos kemi konflikte të reja midis palëve të ndryshme nacionale dhe për brezat e ardhshëm të krijojmë klimë të re, demokratike dhe me perspektivë për ata.

Deri sa në preambulën e kësaj kushtetute, e cila është në formim e sipër, është përmendur Marrëveshja e Ohrit, atëherë pse nuk mbetet mendimi bazë i kësaj marrëveshje, e cila për preambulën është fare e qartë: “Maqedonia është shtet i qytetarëve të saj” dhe pik. Kësisoj, kjo kushtetutë e re nuk do kishte lënë asnjë pasojë për të ardhmen.

Thjeshtë, neve na duhet një kushtetutë me karakter binacional dhe me frymë multietnike, transparente dhe e kapshme për të gjitha nacionalitetet në vend. Të jetë kushtetutë moderne, tolerante dhe me perspektiva të mëdha për të ardhmen e vendit. Në të kundërtën s’kemi bërë asgjë dhe vuajtjet do të vazhdojnë edhe pas tri dekadave të kësaj demokracie të brishtë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button