Universitete në Maqedoni pa statute të reja, studentët mbeten të përjashtuar nga shoqëria akademike

Në tryezën e rrumbullakët me tëmë “(Jo)organizimi studentor – problemet dhe zgjidhjet”, që u mbajt sot në Shkup, u përfundua se organizimi studentor duhet të sjellë ndryshime. U alarmua për atë se kaloi një semestër dhe ende nuk janë formuar trupat përfaqësuese, kurse të drejtat e studentëve janë bllokuar në labirinte institucionale, ndërkohë që nuk mund të ketë zgjedhje parlamentare të reja derisa universitetet nuk i miratojnë statutet, transmeton Portalb.mk.

Drejtori ekzekutiv i organizatës joqeveritare “Democracy Lab”, Sefer Selimi mori si shembull protestat studentore në Tetovë, dhe të njëjtat i sheh si rezultat i pamundësisë së studentëve që t’i kanalizojnë nevojat në universitete.

“Që të kuptohemi, thelbi i organizimin studentor, shembull është ajo që po ndodh me studentët momentalisht në Tetovë. Kemi studentë, të cilët në pamundësi që t’i kanalizojnë kërkesat, janë të detyruar që nëpërmjet protestave t’i shprehin nevojat e tyre”, tha Selimi.

Përfaqësuesi i Forumit Rinor Arsimor (FAR), Petar Barkallovski ka alarmuar se mosvotimi i statuteve të reja të universiteteve në Kuvendin e Maqedonisë, ka sjellë deri tek ajo që të vihet në pikëpyetje pozita e studentëve në shoqërinë akademike.

“Kuvendi kishte për detyrë t’i votojë statutet e reja të universiteteve, ashtu siç thotë ligji i ri për arsim të lartë, që të mund studentët të përfshihen në vendimmarrje. Studentët janë harruar dhe sërish nuk kanë mundësi të vendosin dhe të marrin pjesë, dhe është vënë në pikëpyetje pozita e tyre në vetë shoqërinë akademike”, tha Barkallovski.

Ndërkaq pjesëtari në grupin e punës për përpilimin e ligjit për arsim të lartë, Stefan Dojçinoski deklaroi se është vendosur modeli prej delegatësh, me qëllim që të gjitha fakultetet të kenë pjesëmarrje të barabartë në Parlamentin Studentor në universitetet e tyre.

“Kemi zgjedhur model delegatësh për të gjitha fakultetet që në mënyrë të barabartë të merret pjesë në Parlamentin Studentor të universiteteve. Studenti duhet që betejat e para t’i ndajë brenda në universitet”, tha Dojçinski.

Debati është organizuar nga OJQ Forumi Rinor Arsimor, në përkrahje të OJQ “Democracy Lab”, OJQ “Peacetech Lab” dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Maqedoni. Në debat morën pjesë edhe 30 studentë, profesorë dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme.

Tryeza e rrumbullakët “(Jo)organizimi studentor – problemet dhe zgjidhjet”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button