Politikë e lartë

Ligji për amnesti i cili u paralajmërua javën e kaluar, kaloi në parlament këtë javë me një shumicë të lakmueshme votash, gjithësej 95 pro dhe asnjë kundër. Është interesante në këto kohëra të ndjeshme kur shumica parlamentare shpesh ka probleme të sigurojë votat e nevojshme për të reformuar ligjet që kanë të bëjnë me reformat në gjyqësor, ose kur amandametet kushtetuese që duhet të na hapin rrugën për integrim në NATO dhe BE votohen me shumicë të ngushtë të kualifikuar me gjithësej 80 vota, një ligj për një amnesti selektive, për ngjarjet më të përgjakshme që kanë ndodhur ndonjëherë në historinë e parlamentarizmit të këtij shteti të vogël votohet me një lehtësi të çuditshme dhe me një shumicë komode që kap jo vetëm 2/3 por gati 3/4 e numrit të përgjithshëm të deputetëve pikërisht në atë parlament, pikërisht të atyre deputetëve që mezi shpëtuan të gjallë pikërisht nga ato ngjarje të cilat sot amnestohen pjesërisht. Dhe kjo ndodh pas një perudhe të shkurtër kohore, pas më pak se dy vitesh, kur shenjat në fytyrat e të sulmuarve ende nuk janë shëruar mirë, për të mos diskutuar për traumat shpirtërore që si shoqëri i përjetuam atë ditë e nga të cilat gjatë kohë nuk do të mund të çlirohemi.

Ashtu siç konstatova javën e kaluar, bëhet fjalë për politikë të lartë dhe vendosje të prioriteteve në aspektin gjeostrategjik të këtij shteti. Në vendosjen e atyre prioriteteve rregullisht në histori drejtësia ëstë sakrifikuar në altarin e politikës. Veçanërisht kjo është kështu në shtetet politikisht jostabile dhe në udhëkryq mes lindjes dhe perëndimit. Sa për kuriozitet, do ti referohem ngjarjeve të Luftës së Parë Botërore. Shteti i cili kishte sunduar mbi 500 vjet në këto troje hyri në këtë luftë si Perandori Osmane dhe doli nga e njejta si Republika e Turqisë. Në kohën e konsolidimit të këtij shteti pas kësaj lufte kishte shumë rëndësi se çfarë kahje do të merte i njejti. Në vitin 1915 pikërisht në këtë shtet ndodhi ngjarja që definoi nocionin e krimeve kundër njerrëzimit, e që sot njihet me termin Gjenocidi ndaj Armenëve. Ideja fillestare e forcave perëndimore ishte që shteti turk të mbajë përgjegjësi për këtë ngjarje. Por kur erdhi puna të vendoset lidhur me atë përgjegjësi, ishin kohëra politikisht turbulente ku shteti turk nuk dihej ende a do të shkojë me lindjen apo perëndimin, me SHBAnë apo me Rusinë. Kështu që forcat e mëdha perëndimore si fitimtare të luftës mbyllën sytë përpara kësaj ngjarje dhe e futën të njejtën në harresë, si gjithmonë, për çështje poltike dhe gjeostrategjike. Sot, pas më tepër se 100 vitesh, Turqia ende nuk pranon termin Gjenocid ndaj Armenëve dhe as që bën fjalë për bartje të përgjegjësisë për të njëjtin.

Nëse i dëgjojmë me vëmendje mesazhet nga partnerët tanë strategjikë lidhur me zhvillimet e fundit në Maqedoni do të sjellim përfundime të caktuara. Kështu, e dëgjova me vëmendje paraqitjen e përfaqësuesit më të lartë të Departamentit të Shtetit vizitues i Maqedonisë në këto 17 vitet e fundit, Zëvendës-sekretarit shtetëror John J. Sullivan. Ai kishte mesazh shumë të qartë lidhur me ndërmarjet shumë konkrete ruse në proceset politike në këtë shtet dhe dëmin që ato duan të shkaktojnë në procesin e demokratizimit dhe përparimit euroatlantik të vendit. Mesazhi përfshin përfundimin se SHBA e sheh Maqednoninë në NATO ndërsa Rusisë kjo nuk i pëlqen. Kjo është fotografia e madhe që mbingjyros të gjitha detjaet tjera dhe vendoset si prioritet kryesor për vendin, aq më tepër për një qeveri që haptazi është rreshtuar pikërisht pas këtij prioriteti dhe si që e shohim do të bëjë gjithçka, pra nëse duhet edhe do i varrosë sëpatat e luftës, vetëm që kjo të arrihet.

Nga ana tjetër dëgjova intervistën televizive me Ambasadorin e BE në Maqedoni, ku ai shumë qartazi u shpreh që nga Mqedonia pritet që të vendosë sundimin e ligjit por njëherit edhe të sigurojë procesin e pajtimit. Dhe shumë qartë tha që vija mes përgjegjësisë dhe pajtimit është shumë e hollë dhe që në këtë proces është i sigurtë që mesataren do ta gjejë komisioni parlamentar për pajtim. Komisioni e gjeti mesataren dhe të njejtin e propozoi si ligj për amnesti të pjesshme. Ajo që mund të shihet në këtë moment është se as UE dhe as SHBA nuk kanë problem me këtë mesatare, gjë që është shumë e rëndësishme për prioritetin tonë kryesor politik, integrimin në NATO dhe BE.

Problem kemi ne. Ne që mendonim se drejtësia është e mundur dhe tani e shohim sërish të sakrifikohet në altarin e politikës. Ne që jemi thellësisht të bindur se ata që i hapën dyert atë ditë në parlament janë poaq fajtor sa ata që e shkaktuan dhunën aty. Ne që besonim se ndoshta ai që iku mund të bartte përgjegjësi edhe si organizatori kryesor i këtyre ngjarjeve të përgjashkshme. Ne kemi problem edhe atë problem shumë serioz. Sepse në njërën anë e kuptojmë tërësisht momentin politik dhe rëndësinë e jetësimit të Marrëveshjes së Prespës, por nga ana tjetër e ndjejmë zhgënjimin enorm për atë se shteti i së drejtës nuk funksionon dhe nuk do të funksionojë edhe gjatë kohë.

Ndërsa kulmi i këtij problemit tonë madhështor është se i gjithë ky proces emërtohet me një emër të pafajshëm “pajtim”. Jo, të nderuar, mos e quani këtë proces pajtim sepse ai nuk është asgjë e tillë. Askush me askend nuk është pajtuar e aq më pak mund të pajtohet me një padrejtësi të këtillë. Por quani atë ashtu siç është: politikë e lartë, nga ato politika të larta në altarin e të cilës drejtësia është gjithmonë ajo që sakrifikohet.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button