fbpx

Studentët e refuzuan UT-në për dialog, japin ultimatum 7 ditor për kërkesat (FOTO+VIDEO)

Studentët sot për të dytën ditë kanë vazhduar me protestat e tyre për të kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre. Ata sot u dhanë ultimatum 7 ditor universiteteve dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës që t’i plotësojnë kërkesat e tyre, pasi që në të kundërtën thonë se protestat do të përshkallëzohen, njofton Portalb.mk.

Me thirrje për depolitizim të arsimit, transparencë nga universitetet, heqje të taksave dhe më shumë të drejta, studentët sot kanë vazhduar protestën në Tetovë.

“Prej sot ne japim një javë ultimatum, nëse nuk plotësohen jo një orë, por 24 orë me protesta të përshkallëzuara përpara rektorateve të universiteteve dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës”, thonë studentët.

Ata gjithashtu deklarohen edhe për reagimet e universiteteve dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës në lidhje me protestën e djeshme.

Sipas tyre, universitetet dhe MASH, duhet t’i plotësojnë kërkesat dhe jo t’i komentojnë.

“T’i plotësojnë kërkesat, jo t’i komentojnë. Universitetet duhet të jenë në shërbim të studentëve dhe jo të partive politike dhe të keqpërdoruesve me të drejtat tona. Nuk jemi ndërmarrje private për pasurimin e klaneve dhe personave të caktuar”, thonë studentët.

Protesta filloi në sheshin “Iliria”, ndërkaq e njëjta ka vazhduar nëpër rrugët e Tetovës. Ata kanë marshuar deri te rektorati i Universiteti të Evropës Juglindore, ndërkaq më pas kanë vazhduar për tek Universiteti i Tetovës, por aty kordoni policor i ndaloi studentët që të futen brenda.

Përpara studentëve doli përfaqësuesi i UT-së, Kushtrim Ameti i cili i ftoi studentët që të dialogojnë për kërkesat e tyre, por studentët refuzuan.

Ndryshe, protestat nuk kanë organizatorë formal, por sipas studentëve organizatorë janë vetë studentët. Protesta ka ardhur si mbështetje e protestës së Shqipërisë, por kërkesat kanë dalë nga gjendja e arsimit të lartë në Maqedoni. Formati i kësaj proteste është i ngjashëm me ato të Shqipërisë, ku mijëra studentë po protestojnë rrugëve të Tiranës për t’ua plotësuar 8 pikat që ia kanë ua kanë parashtruar autoriteteve të atjeshme. Sikur studentët e Shqipërisë edhe studentët që sot protestuan në Tetovë kërkojnë që kushtet e parashtruara të plotësohen pa dialog.

Protesta studentore në Tetovë, 19.12.2018
Protesta studentore në Tetovë, 19.12.2018
Protesta studentore në Tetovë, 19.12.2018
Protesta studentore në Tetovë, 19.12.2018

Kërkesat janë siç vijojnë më poshtë:

1. Subvencionimi ose largimi i pagesës së praktikës dymujore nga Universiteti i Tetovës në vlerë prej 50 euro.
* Zvogëlimi i tarifës për studentët e huaj për 50%.
* Largimi i pagesës prej 100€ për çregjistrim nga universiteti.

2. Të financohet ekskursioni profesional ose largimi i saj si lëndë obligative.

3. Ndalimi i kushtëzimit me blerje të librave për nënshkrim nga ana e profesorëve të caktuar.

4. Furnizimi dhe renovimi i sallave, laboratorëve dhe mjeteve tjera të domosdoshme për studentët.

5. Publikimi i statutit të Universitetit të Tetovës dhe raport-vlerësimi i evoluimit të studentëve që bëjnë për profesorët të jetë në faqen e universiteteve.

6. Statuti i Parlamentit Studentor të jetë në faqen e universitetit. Parlamenti studentor të jetë i pavarur nga rektori dhe partia politike.

7. Largimin e profesorëve të denoncuar për kryerje të ndonjë vepre penale brenda institucioneve arsimore.

8. Rishikimi i titujve akademik dhe verifikimi i plagjiaturave. A është respektuar ligji, koha për kalim prej një titull në tjetër dhe punimet shkencore?

9. Ndalimi i diskriminimit të femrave dhe kushtëzimi i tyre me akte të turpshme në këmbim note.

10. Kërkojmë nga Revizioni Shtetëror, Komisioni për Antikorrupsion, Inspektorati i Arsimit dhe Policia Financiare që të hetojnë çdo shpenzim të buxhetit të universiteteve që plotësohet nga studentët dhe taksapaguesit.

11. Kuadri universitar të marrë mbi vete ndryshimin e plan programeve mësimore, diskriminuese, në të gjitha nivelet e arsimit shqip.

12. T’u ndërpritet ndikimi i emërimit të mësimdhënësve nga partitë politike.

13. Kërkojmë urgjentisht të çlirohen universitetet nga nepotizmi i skajshëm. Në vend të familjarëve, të punësohen profesorë të kualifikuar që do punojnë për interesin e studentëve, e jo për qëllime personale-familjare.

LEXO: Protesta studentore në Tetovë: Të depolitizohet arsimi, s’ka dialog, plotësoni kërkesat (FOTO+VIDEO)
LEXO: UT-ja për protestën: Është ndarë buka e gojës që shqiptarët të shkollohen në gjuhën amtare

LEXO: Protesta në Tetovë, MASH: Në rrugë zyrtare nuk jemi njoftuar për kërkesat e studentëve
LEXO: UEJL-i për kërkesat në protestë: Ka 2-3 elemente që mund t’i trajtojmë me studentët

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button