Protesta, pasojë e moskryerjes së obligimeve të institucioneve dhe shkak i ndryshimit dhe reformimit të tyre

Protesta si koncept është shprehje e kulturës qytetare dhe e drejtë elementare e shprehjes së pakënaqësisë me mos-punën e institucioneve shtetërore të cilat kanë dështuar në kryerjen e obligimeve të tyre ligjore, dhe është mjeti i fundit për “këndelljen” e bartësve të funksioneve publike, të cilët tashmë të akomoduar dhe rehatuar në kolltukët e tyre kanë harruar se përse janë të ulur aty dhe kujt i shërbejnë me ushtrimin e kompetencave të tyre ligjore.

Protesta është kulminacioni i humbjes së durimit nga ‘veshi i shurdhër’ i pushtetit, i cili është përhumbur nëpër privilegjet e tij dhe ka harruar apo është vonuar në kryerjen e përgjegjësive që i bart me vete posti udhëheqës. Kur udhëheqja mungon pason vet-udhëheqja e të gjithëve dhe kjo sjell deri në çrregullimin dhe dezorganizimin e punëve, që në fund përfundon në një anarki sistemore dhe kaos institucional, në kuptimin e mos-mbajtjes së përgjegjësisë ligjore për mbarëvajtjen e punëve dhe ushtrimin e kompetencave përkatëse.

Prandaj, protesta kuptohet si mbushja e kupës së pakënaqësisë dhe të durimit, por njëkohësisht shërben si shtytës për rikuperimin e punëve nga bartësit e pushtetit. ‘Shkundja’ e pushtetarëve dhe rikujtimi i tyre për kryerjen e domosdoshme të punëve dhe obligimeve është qëllimi parësor i protestuesve, por nëse protestat hasin sërish në vesh të shurdhër dhe mospërfillje, ata e kanë të drejtën legjitime të përshkallëzohen (nëse për këtë e gëzojnë mbështetjen e masës së gjerë dhe popullatës), deri në vetëdijesimin definitiv të pushtet-mbajtësve dhe gjetjen e zgjidhjes dhe realizimin e kërkesave të parashtruara nga protestuesit.

Kostoja politike për të paguhet nga pushteti që e ka provokuar protestën dhe pakënaqësinë, ndërsa opozita ka të drejtë legjitime dhe ligjore shfrytëzimin politik të protestave të iniciuara nga organizata apartiake por politike, dhe këtë nuk mund t’ua mohojë askush, përderisa kauza është e drejtë dhe qëllimi final është epilogu i suksesshëm i tyre.

Partitë opozitare për nga definicioni e kanë për detyrë të solidarizohen me pakënaqësitë qytetare, dhe kjo nuk është mangësi por është pasuri në skenën politike, sepse kjo demonstron ekzistencën e një shoqërie të shëndoshë dhe kritike, që i rin mbi krye pozitës si shpata e Demokleut, me qëllim që të justifikojë të drejtën e mbajtjen e pushtetit ose në pamundësi të kësaj, të tërhiqet dhe t’ua lëshojë rrugën të tjerëve.

Sa më parë të kuptohet kjo, aq më të padhembshme janë pasojat, pasi zvarritja e zgjidhjes së kërkesave qytetare shpien në autoritarizëm dhe diktaturë, dhe kjo detyrimisht shkakton pasoja të pariparueshme për shoqërinë, por edhe rrezikon përfundimin e saj me rrëzim të dhunshëm nga pushteti…

Kush është pushtetar i mençur, nuk e lejon që situata të vijë deri në këtë shkallë….

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button