Kryeparlamentari Xhaferi ka takuar eurodeputetin Kouloglou

 Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë,Talat Xhaferi, ka pritur në takim eurodeputetin grek Stelios Kouloglou dhe fituesen e Çmimit Nobel për Paqe për vitin 2015, Wided Bouchamaoui, të cilët qëndrojnë për vizitë në Maqedoni, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton kabineti i kryeparlamentarit të Maqedonisë, Xhaferi ka theksuar se edhe përskaj marrëdhënieve të shkëlqyera ekonomike ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë, çështjet e hapura politike janë reflektuar në mënyrë negative mbi marrëdhëniet bilaterale politike deri tani dhe se kjo vetëm ka dëshmuar se çështjet e hapura, në rast se lihen të pazgjidhura një periudhë më të gjatë, gjenerojnë pengesa.

Në takim, Xhaferi po ashtu ka informuar për proceset reformuese të Planit 18 dhe për pakon e ardhshme të ligjeve për nxjerrjen në fushën e gjyqësisë, sektorit të sigurisë dhe administratës, si pjesë e parakushteve për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).

“Ai (Xhaferi) shprehu shpresë se pas realizimit të procedurave të duhura në të dyja parlamentet, përsëri do të ketë takim me kolegun e tij Voutsis (Nikos Voutsis, kryeparlamentari grek) për ta konkretizuar bashkëpunimin bilateral në të gjitha nivelet dhe se hapat e këtilla do të kontribuojnë për paqe dhe stabilitet të gjithë rajonit dhe do të shërbejnë si shembull sidomos në kontekst të ngjarjeve aktuale në rajon”, thuhet nga kabineti e kryeparlamentarit Xhaferi.

Bouchamaoui, nga ana e saj, shprehu mbështetje për paqen, stabilitetin dhe sigurinë dhe i lavdëroi përpjekjet e të dyja palëve për evitimin e konflikteve dhe për gjetjen e zgjidhjes së qetë për çështjet e hapura, duke treguar në këtë mënyrë se problemet mund të zgjidhen nëpërmjet dialogut. Ajo e theksoi rëndësinë që të dy parlamentet t’i përfundojnë aktivitetet e filluara, për arsye se ky është model lartë i çmuar nga bashkësia ndërkombëtare dhe i njëjti duhet të shërbejë si leksion frymëzues për gjithë rajonin.

Ndërkaq, eurodeputeti Kouloglou e përsëriti mbështetjen e të gjitha partive politike në Parlamentin Evropian për Marrëveshjen e Prespës, për të cilën theksoi se nevojitej guxim politik, edhe përskaj bllokimeve në të dyja shtetet nga parti të caktuara politike.

Në lidhje me ratifikimin nga ana e Parlamentit grek, ai theksoi se procedura do të përfundohet në afat prej disa ditësh, menjëherë pas përfundimit të procedurës në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, me çka do të mund të zhbllokohen proceset e integrimit euroatlantik të vendit.

Eurodeputeti Kouloglou dhe fituesja e Çmimit Nobel për Paqe, Bouchamaoui, gjatë ditës do të priten në takim edhe nga koordinatorët e grupeve të deputetëve si dhe me grupin e pavarur të opozitës maqedonase VMRO-DPMNE dhe koalicionit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button