Shqipëri, vazhdon protesta e studentëve

Studentët e universiteteve publike të Shqipërisë vijojnë të protestojnë duke insistuar në plotësimin e kërkesave të tyre dhe duke refuzuar dialogun me institucionet, raporton Anadolu Agency (AA).

Që në orët e para të mëngjesit studentët nisën të mblidhen nëpër fakultetet e Universitetit të Tiranës, Universitetit Politeknik të Tiranës dhe Universitetit Bujqësor të Tiranës, për të pezulluar zhvillimin e mësimit dhe organizuar protestën.

Mijëra studentë të universiteteve publike janë mbledhur para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Me pankarta në duar dhe me thirrje “Ejani mblidhuni këtu këtu”, “plotësoni kërkesat” studentët protestues deklaruan se kauza e tyre nuk është politike, ndërsa theksuan se nuk do të tërhiqen nga kauza e tyre dhe do të vazhdojnë protestat deri në plotësimin e 8 kërkesave.

Protestës së studentëve ditën e sotme i janë bashkuar edhe qytetarë, aktivistë të shoqërisë civile si dhe studentë nga disa qytete të tjera të Shqipërisë, si Elbasani dhe Shkodra.

Reagojnë Rama dhe Basha

Lidhur me protestën ka reaguar përsëri kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili nëpërmjet rrjeteve sociale u ka bërë thirrje studentëve për dialog.

“Ditët po na ikin shpejt e festat po vijnë, prandaj mos rrini po dukuni dhe t’ia nisim punës me dialog, bashkëpunim dhe këmbëngulje për universitetin”, shkruan Rama.

Ndërsa kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD), Lulzim Basha, duke folur për protestën e studentëve, në një deklaratë për mediat tha se “Partia Demokratike dhe unë e mbështesim me të gjitha format dhe mënyrat dhe natyrisht që jemi atje me mish, me shpirt e me mendje. Njerëzit tanë, fëmijët tanë, i mbështesim me të gjitha format dhe mënyrat. Prindërit janë atje për t’i mbështetur”.

Tetë kërkesat e studentëve janë, përgjysmimi i tarifës së studimit për çdo nivel studimi, transparenca me buxhetin nga Ministria e Arsimit dhe universitetet, rritja nga 10 për qind në 50 për qind e përfaqësimit të studentëve në bordet drejtuese të universiteteve, rishikimi i titujve akademikë dhe verifikimi i plagjiaturave të doktoraturave dhe teksteve mësimore, bordi i administrimit të universiteteve të ketë numër të barabartë votash, pajisja e të gjithë studentëve me kartën e studentit brenda vitit akademik 2018-19, ndërtimi i bibliotekave sipas standardeve evropiane, si dhe vlerësimi i performancës në mësimdhënie dhe kërkim shkencor i pedagogut.

Kujtojmë se protesta e studentëve të universiteteve publike filloi para selisë së Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë filloi më 5 dhjetor, ndërsa më pas protestuan edhe para selisë së Kuvendit të Shqipërisë dhe Kryeministrisë së Shqipërisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button