Japanagenda dhe “Universiada 2018”

Se njerëzit kanë në kokat e tyre paragjykime e ide fikse, stereotipa është një e vërtetë empirikisht e vërtetuar. Këtë e shijuam-përjetuam edhe para disa ditëve: në FB postuam një thënie të një mendimtari, filozofi të mirënjohur turk, Xhyndiogllu: Shenjë e madhështisë shpirtërore të një njeriu është modestia, kurse shenjë e shpirtvogëlsisë, mendjemadhësia.” Pa një pa dy, pasoi reagimi i një miku të rrjetit zuckerbergian: “TRagjenda”, që nënkupton agjendën turke, komplotin turk ndaj shqiptarëve, turkofilinë, filoturqizmin etj. Ia kthyem me: “Sophiagenda”, pra vija e urtësisë, e cila nuk njeh ngjyrime, të cilën e vërteton edhe vetë autori i thënies në një vepër të veten: “Linda si njeri, më pas u bëra turk, më pas mysliman, mundohem të jem njeri.” Pra vlerat humane janë thelbi apo substanca që e bën një qenie njeri. Në postimin paraprak patëm një fotografi në një nga bibliotekat e Tiranës ku para kishim një vepër të japonezo-amerikanit Francis Fukuyama, “Fillesat e rendit politik nga kohërat paranjerëzore deri te Revolucioni Francez” (2012). Në fakt verës, gjatë një konferencë në Bullgari, brenda dy ditëve, në plazh e lexuam romanin “Në jug të kufirit, në perëndim të diellit” të shumëshiturit globalisht Haruki Murakami. Nga këto dy ikona duhet të dalë një neologjizëm tjetër: “Japanagenda”. Po nëse e lexon ose publikon diçka nga Jesenjini apo shikon filmat e Tarkovskit, çfarë bëhesh, me çka duhet të etiketohesh: “Me rusagenda”. Dhe sëra mund të vazhdojë deri në pafundësi. Nëse lidhesh me poetët e famshëm grekë Kavafis dhe Elitis del me agjendë greke, HELLagenda (!)… Nuk di pse gjithherë jemi të prirë që të mbyllim dyer jo të hapim, pse kemi një qasje totaliste ndaj gjërave. Mund të mos pajtohemi me politikat që zhvillon turqia e Erdoganit, por kjo nuk na e jep të drejtën që të shprehim një mohim apo refuzim ekskluzivist nga gjithë asaj që vjen nga ky vend. Dhe sërish, turku. Në një nga byrektoret e Kodrës së Diellit në Prishtinë, këtë të mërkurë, duke dyshen ayran dhe byrek, në ambalazhin e të parit “shije orientale”, i dyti vetëm për nga emri, tregojnë se sa oksidentalë të orientalizuar jemi. Nëse e ndajmë botën ashtu si shoku i sipërpërmendur, atëherë: mos ha bakllava, mos u mbulo me jorgan, mos pi ujë në shatërvan! Ndjenjë shumë e keqe është kur njeriu frikohet nga disa tipare të vetat që i ka, nga qarkullimi i lirë i gjërave në një botë të globalizuar, ku siç u shpreh një kolegë profesor “s’guxoj t’iu them studentëve rrini këtu, bëhuni patriotë, sepse bota e sotme nuk i toleron këto gjëra!” As zemërngushtësinë, as ngushtësinë gjeografike, as politike, as ekonomike, as kulturore.

Simbolika e dytë e kësaj kolumne: ngjarja që po trazon Ballkanit e këtyre ditëve të ftohta të dimrit është “Universiada 2018”, jo si zakonisht në sport, por në rrugë, protestat studentore që e kanë ngritur lartë shkallën e celsiusëve socialë në Shqipëri, ku zëri rinor po lëkund “Ramistanin”, revolta juvenile që po shfaq një kulturë të lartë të protestës që na duhet shumë në kohën e konformizmit, poltronizmit, korrupsionit, imazhit të rrënuar të universitetit dhe arsimit. Dihet se rinia universitare përbën një kategori të qytetarëve akademikë të cilët kalojnë fazën e mbindërtimit të tyre intelektual-profesional, drejt shtigjeve të reja të jetës, karrierës në sfera të ndryshme sociale, drejt përgjegjësive dhe benefiteve vetjake dhe sociale-kolektive. Ajo shumë herë ka treguar se është spiritus movens i shoqërisë. Rinia universitare është masë sociale ultra-mobile-dinamike siç është parë në SHBA në vitet 1960, në Paris më 1968, në Tienanmen 1989… Këtë mund ta ilustrojmë edhe me rastin shqiptar, demonstratat e vitit 1980 (Prishtinë) dhe ato studentore në Tiranë (1990) që çuan në shembjen e Jugosllavisë dhe të sistemit monist-enverist. Ky “dimër i nxehtë” shqiptar sikur ishte paralajmëruar në protestat e vitit 2014 kur nëpër rrugët e kryeqytetit qarkullonin parulla të ngjashme me ato të sodit: „Universitetin universitarëve, jo tregtarëve!”, “Student jo klient!”, “Dija s’është mall!”, “Reformim jo shformim!”, “Universiteti publik, rahmet pastë!” (“Reforma në Arsim”, Opinion, TV Klan 4 qershor 2014) Dita ditës, krimi brenda viteve është trashur, gjë që vërehet edhe nga shënimet nëpër media „Diktatura e krimit“ (ABC News), „Diktatura mafioze“ (Koha Jonë), nga prononcimet e shumë figurave publike, të intelektualëve etj. Zëri i studentëve është zëri më autentik i popullit, i ardhmërisë, është furtunë me të cilën s’ia del asnjë politikan e pushtetar, në veçanti kur ata janë në terrenin e vet ku kanë të drejta të patjetërsueshme dhe në kohën kur kemi akademi-universitet në të cilën ndodhin edhe fenomene si ”Unë jo, s’kam paguar, por tjerë po: 50 euro një notë; i ka nxjerrë studentët si në treg për të gjetur myshterinj” (29 vjeçar, student i juridikut, 2012), “Një nga shokët e mi i ka paguar faturat e rrymës elektrike të një profesori” (25 vjeçar, student i ekonomisë,  2012), lidhur me të cilën dalin shkrime ”Qençe nuk studiohet më!”, parulla “Zbritje: Publikojmë punime shkencore vetëm për 59.99 euro në Indinë ekzotike!” (2014), ”Studente ekselente me 5.9”, ”Duam libra, jo google translate”, ”Make university great again!”, kushte të ilustruara me: “Kjo është një nga dhomat e konvikteve ku jetojnë 3 studentë mes lagështisë në 15m². ‘Kemi vetëm një lavaman, ku lajmë enët, sytë e dhëmbët në mëngjes. Dhe nuk mjafton, besoj, për tre goca në një ambient kaq të vogël’” (2018). Studentët qartë kanë treguar se janë në fundin e durimit, se s’kanë para as për pankarta, e lëre më për tarifa të larta. Arsimi nuk është privilegj vetëm i të pasurve, është e drejtë e çdokujt, e çdo qytetari. Studentët kërkojnë transparencë dhe rritje të buxhetit për arsim me 5 % të BPV-së, rritje nga 10 % në 50 %  të peshës totale të votës studentore për dekan e rektor, rishikim të titujve akademikë dhe verifikim të të doktoraturave dhe teksteve mësimore, bibliotekë europiane, libra universitarë online, falas… Këto i kanë shpallur ta panegociueshme dhe çdo qeveri racionale do të duhej t’i pranonte, t’i korrigjonte gabimet dhe të ndiqte agjendën në fushat e tjera të jetës. Me rini, në veçanti me atë universitare s’ka shaka. Këto protesta janë një vërejtje shumë domethënëse si për politikanët ashtu edhe për mësimdhënësit, profesorët që të kthjellohen, t’i përveshin mëngët dhe t’ia japin hakun pozitës, detyrës dhe profesionit. Edhe për ata andej kufirit, por edhe për ata në Kosovë e Maqedoni. As politika, as arsimi nuk maten me jubile e improvizime; ndryshimet nuk nënkuptojnë makiazhe, por reforma substanciale që do ta vënë universitetin shqiptar në platformën gjitheuropiane të arsimit cilësor. Zërin e studentëve duhet dëgjuar si pulsin e zemrës!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button