Thaçi para nisjes për në New York: Ushtria e Kosovës proces i pakthyeshëm

Vendimi i autoriteteve të Kosovës për formimin e ushtrisë është historik dhe i pakthyeshëm, tha presidenti i Kosovës Hashim Thaçi para nisjes për në New York të SHBA-së ku do të marrë pjesë në takimin urgjent të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara pas formimit të Ushtrisë së Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).

Thaçi në aeroportin “Adem Jashari” të Prishtinës tha se vendimi për formimin e ushtrisë ishte në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor dhe se ai u miratua pothuajse njëzëri nga Kuvendi i Kosovës.

“Formimi i Ushtrisë së Kosovës, pavarësisht nga diskutimi që do të mbahet në Këshillin e Sigurimit, pavarësisht shqetësimit të këtij apo atij personi apo një shteti të caktuar, është një proces i pakthyeshëm, përkundrazi ajo vetëm se do të zhvillohet dhe fuqizohet”, tha Thaçi.

Sipas fjalëve të tij, Ushtria e Kosovës do të përçojë mesazhin më të mirë të mundshëm, tolerancën, harmoninë për të gjithë njerëzit.

“Sot paradite u takova me qytetarët serbë në vende të ndryshme në Kosovë, të cilët ndjehen mirë lidhur me vendimin e Kuvendit të Kosovës dhe ata duan t’i shërbejnë forcimit të multietnicitetit në të gjitha institucionet e Kosovës. Nëse Serbia është e zemëruar dhe e shqetësur nga vendimi për formimin e Ushtrisë së Kosovës, serbët e Kosovës janë rehat dhe komod dhe do të participojnë në institucionet dhe në Ushtrinë e Kosovës ashtu siç edhe janë aktivë”, deklaroi Thaçi.

Presidenti i Kosovës, Thaçi theksoi se përveç formimit të ushtrisë, lajm shumë i rëndësishëm është edhe rezoluta e votuar dje për dialogun me Serbinë në Kuvendin e Kosovës dhe formimin e ekipit negociator të spektrit të gjerë, i përbërë nga përfaqësues të qeverisë, opozitës dhe shoqërisë civile.

Ai shprehu bindjen se Kosova nga ky dialog do të dalë me sukses dhe se në këtë mënyrë përgjithmonë do të mbyllet periudha e errët e konfliktit, e cila çoi Serbinë në nivelin e gjenocidit në Kosovë, spastrimit etnik të shqiptarëve, vrasjen e 13.000 civilëve shqiptarë dhe përdhunimin e 20.000 grave shqiptare, e cila për fat të keq ende nuk ka marrë një përgjigje nga drejtësia ndërkombëtare.

Serbia, në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, me kërkesë të tij do të përfaqësohet nga presidenti, Aleksandar Vuçiç.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button