Qeveria: Sot po kurorëzohet rrugëtimi për konsolidimin e plotë të Kosovës

Qeveria e Republikës së Kosovë uron qytetarët e Kosovës pas miratimit nga Kuvendi të tri projektligjeve për transformimin e Forcës së Sigurisë(FSK) në ushtri, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Duke kujtuar dhe nderuar të gjithë burrat dhe gratë që bënë sakrifica të mëdha për lirinë dhe shtetin tonë dhe duke shprehur mirënjohje për misionin e NATO-s, KFOR-it, të gjithë trupave ushtarake të vendeve aleate: ShBA-së, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Francës, Italisë, e të gjitha atyre vendeve që i shërbyen paqes në Kosovë, Qeveria e Republikës së Kosovës thekson se sot po kurorëzohet rrugëtimi për konsolidimin e plotë e të brendshëm shtetëror të Republikës së Kosovës”, thuhet në një komunikatë nga Qeveria e Kosovës.

Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se “e drejta e Kosovës për ushtri, një forcë multietnike e profesionale të ndërtuar sipas standardeve më të larta të NATO-s buron nga sakrifica dhe liria, nga e drejta e shtetit, nga sovrani, vullnetit qytetar për të mbrojtur dhe promovuar vlerat pro-perëndimore në Kosovë dhe më gjerë”.

“Kosova është NATO dhe NATO është Kosovë. Për këtë askush mos të ketë asnjë dyshim. Së bashku me aleatët, NATO-n do të jemi vetëm në shërbim të demokracisë, sigurisë, paqes dhe zhvillimit në Kosovë, rajon e kudo që kërkohet”, thuhet më tej në deklaratën e Qeverisë.

Në seancën e sotme, Kuvendi i Kosovës me një shumicë absolute miratoi tre projektligjet për transformimin e FSK-së në ushtri, respektivisht projektligjin për formimin e Ministrisë së Mbrojtjes, projektligjin për transformimin e FSK-së në ushtri, si dhe projektligjin për shërbim në FSK.

Votimi i projektligjeve të sotme pritet të dekretohet nga presidenti Thaçi, pas së cilës Kosova zyrtarisht bëhet me ushtri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button