BE do të sigurojë 68.6 milionë euro për modernizimin e hekurudhës

Qeveria ka nënshkruar Marrëveshje për grant me vlerë prej 68.6 milionë euro për bashkëfinancim, të ndarë nga Bashkimi Evropian nëpërmjet Programit Investues për Ballkan Perendior (PIBP), për modernizim të hekurudhës së Maqedonisë, njofton Portalb.mk.

Ky grant do të shfrytëzohet për bashkëfinancim të ndërtimit të përafërsisht 34 kilometra infrastrukturë hekurudhore, nga Belakovë deri në Kriva Pallankë, faza e dytë e projektit për Korridorit 8, i cili pasi që të finalizohet, do të jetë pjesë e rrjetit transportues transevropian, duke e lidhur Maqedoninë me Perëndimin e Shqipërisë dhe Lindjen e Bullgarisë.

Mbështetja vjen pas miratimit të dy krediteve të pavarura prej 46.4 milionë euro dhe 145 milionë euro nga Banka Evropiane për Rinovim dhe Zhvillim për Qeverinë e Maqedonisë, për zbatimin e mëtutjeshëm, nëpërmjet Ndërmarrjes Publike “Hekurudhat e Maqedonisë – Infrastruktura”.

Faza e parë e projektit, rehabilitimi i sektorit hekurudhor në gjatësi prej 31 kilometra mes Kumanovës dhe Belakovës, është në fazë të implementimit. Faza e dytë e aktiviteteve lidhur me furnizimin tanimë ka filluar, dhe do të zgjidhet kryerësi i cili do t’i realizojë punët lidhur me projektin.

PIBP siguron edhe grante për bashkëpunim teknik me vlerë prej 5.7 milionë euro, për përgatitjen e projekteve dhe implementimin. Zhvillimi i ekonomisë së Maqedonisë varet nga lidhja me rutat kryesore transportuese ndërkombëtare, nëpërmjet të cilave mallrat më lirë do të transportoheshin. Nëpërmjet vendit kalojnë edhe 215 kilometra nga korridori hekurudhor 10.

Në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes për grant kanë marrë pjesë ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugareski, ministri i Financave, Dragan Tevdovski, ambasadori i Delegacionit të BE-së, Samuel Zhbogar dhe Anka Joana – Jonesku, përfaqësues në Maqedoni nga Banka Evropiane për Rinovim dhe Zhvillim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button