ANALIZË: Pothuajse 74% e shpenzimeve mujore – për ushqim dhe për pagesën e faturave mujore!

Për ushqim, më të varfrit shpenzojnë 74 euro në muaj, ndërsa më të pasurit 340 euro. Mesatarisht, një familje ka nevojë për 528 euro për ta kaluar muajin – gjegjësisht për t’i mbuluar shpenzimet e nevojshme të jetesës. Në periudhën e kaluar, megjithëse inflacioni është në termat e parashikuar, ndërsa sipas parashikimeve, ai do të rritet në dy vitet e ardhshme, që do të thotë se ka mundësi të ketë një valë të rritjes së çmimeve. Përqindjet e inflacionit në nivel prej rreth 2%, sipas ekonomistëve, nuk janë shqetësuese, por në kushte kur rrogat rriten ngadalë, çdo shtrenjtim ndikon në standardin jetësor, shkruan analiza javore e Portalb.mk.

Rrogat kundrejt shpenzimeve…

Vetëm për ushqim dhe për pagesën e faturave, një familjeje i nevojiten rreth 400 euro në muaj. Të dhënat më të fundit për shpenzimet mujore përmes shportës minimale të sindikatës tregojnë se në tetor, 73.5% e shpenzimeve mujore përfundojnë për të plotësuar nevojat themelore – ushqim dhe pagesën e faturave. Krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar, të njëjtin muaj, shpenzimet ndoshta janë rritur për shumë pak, për rreth 190 denarë, megjithatë kjo tregon se ato janë në rritje.

Sipas asaj se sa para nevojiten për t’i plotësuar nevojat themelore të jetesës, përmes shportës minimale të sindikatës – të dhënat tregojnë se për ushqim dhe pije, çdo muaj duhet ndahen nga 13.486 denarë, për banim 10.407 denarë, për higjienë 2.300 denarë, për transport 2.386 denarë, për veshje dhe këpucë 2.168 denarë, për kulturë 1.070 denarë dhe për ruajtjen e shëndetit 686 denarë.

Kundrejt këtyre të dhënave që i mat Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë, të dhënat zyrtare nga Enti i Statistikave tregojnë se familjet më të varfra, gjegjësisht ato me të ardhura më të ulëta, vetëm për ushqim shpenzojnë 900 euro në vit ose 74 euro në muaj, ndërsa ata me të ardhura më të larta, për ushqim shpenzojnë 4.5 herë më shumë, 4.044 euro në vit ose gati se 340 euro në muaj.

Mesatarisht, nga paratë e përgjithshme që përdoren brenda një familjeje, gati se 38% shkojnë për ushqim, 11.4% për pagesën e faturave, për qira, ujë, rrymë elektrike, gaz, 5.4% e mjeteve të përdorura shpenzohen për mobile dhe mirëmbajtjen e shtëpisë, 5,1% për veshje dhe këpucë dhe po aq për transport.

Përndryshe, sipas të dhënave të fundit, në nëntor të këtij viti, në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, çmimet e jetës janë rritur për 1.2%, me ç’rast rritje më të lartë prej 4.8% ka në grupin “pijet alkoolike, duhani dhe narkotikët”, shpenzimet për “shëndet” janë rritur për 2%, ndërsa për “transport” rritja ishte 4.7%. Rritje të shpenzimeve të jetesës ka edhe për rekreacionin, kulturën, restorantet, hotelet.

Të dhënat nga publikimi më i fundit i Entit të Statistikave “Shpenzimet e amvisërive në Republikën e Maqedonisë, 2017” tregojnë se për madje 61.1% të familjeve burimi i parave që i kanë në dispozicion është rroga nga marrëdhënia e rregullt e punës, ndërsa te 18,5 % ai është pensioni, që do të thotë se mbi dy të tretat e familjeve jetojnë nga rroga, transmeton Portalb.mk.

Inflacion i moderuar – çmimet e naftës do të rriten …

Me parashikimet për ekonominë në vitin e ri 2019, institucionet kompetente parashikojnë inflacion të moderuar, i cili do të jetë rreth 2%. Këtë vit, sipas vlerësimeve të Bankës Popullore, në tremujorin e tretë ka pasur një përshpejtim të rritjes së çmimeve të energjisë, ndërkohë që ka pasur një ngadalësim të rritjes së çmimeve të ushqimit.

“Në tremujorin e tretë të vitit, vazhdoi ngadalësimi i rritjes vjetore në çmimet e ushqimeve, rritje kjo e cila ishte 0.2%, duke e reflektuar rënien e çmimeve të pemëve, si dhe rritjen më të ngadalshme të çmimeve të perimeve dhe të mishit. Ngadalësimi i rritjes vjetore të çmimeve të ushqimit është në përputhje edhe me linjë me rritjen e ngadalshme të çmimeve të huaja efektive të ushqimit, si dhe i rënies së çmimeve të prodhuesve vendas të ushqimit” – thuhet në raportin e nëntorit të BPM-së, në të cilin poashtu thuhet:

“Për dallim nga çmimet e ushqimeve, çmimet e energjisë në tremujorin e tretë u rriten më shumë në krahasim me rritjen vjetore nga tremujori i mëparshëm, që kryesisht shpjegohet me lëvizjen e çmimeve të brendshme të derivateve të naftës. Ky ndryshim në çmimet e brendshme të energjisë është në përputhje me lëvizjen e çmimit të naftës së papërpunuar dhe derivateve të saj në tregun botëror, rritja e të cilave është përshpejtuar dukshëm gjatë tremujorit të tretë. ”

Analistët ekonomikë presin inflacion të moderuar me tendencë për t’u rritur në periudhën dyvjeçare që vijon.

“Në vitin 2018, sipas analistëve ekonomikë, përqindja e inflacionit do të jetë 1.8%, ndërsa gjatë dy viteve të ardhshme, do të rritet minimalisht dhe do të jetë 2.0% dhe 2.1% në 2019 dhe 2020, respektivisht. Dinamikë të ngjashme të çmimeve në ekonominë vendase parashikohet edhe nga institucionet e tjera” – thonë nga Banka Popullore.

Buka u shtrenjtua – lëvizjet e çmimeve ndiqen me kujdes…

Përkundër vlerësimeve dhe pritjet të këtilla, publiku pa dëshirë e pritën lajmin se disa nga prodhuesit e bukës e rritën çmimin për rreth 20% ose për dy deri në tre denarë. Këtë veprim ata e arsyetuan me rritjen e çmimit të miellit dhe të grurit.

Nga Ministria e Bujqësisë thonë se situata monitorohet dhe nëse ndodh një rritje drastike e çmimeve të disa llojeve të bukës, që do të ndikonte në standardin e jetesës, atëherë do të intervenohet nëpërmjet Agjencisë për rezerva të mallrave, me çka do të ndikohet në stabilizimin e çmimeve të bukës.

Gjatë viteve të fundit, çmimet e derivateve të naftës në vend, të kushtëzuara nga çmimet në bursat botërore dhe nga kursi i dollarit në raport me denarin, ndryshonin, por tendenca kryesisht është rritëse. Një litër “Eurosuper” prej 95 oktanësh shitet për 63 denarë për litër, ndërsa “Eurosuper” prej 98 oktanësh për 65 denarë për litër. Më e theksuar është rritja e çmimit të dizelit, kështu që nëse një litër “Eurodizel” në nëntor të vitit 2015 shitej për 48,5 denarë, tani çmimi është 61 denarë. Rritje të çmimit ka edhe te vaji ekstra i lehtë për përdorim shtëpiak, i cili në vitin 2015 ka kushtuar 38.5 denarë, ndërsa tani shitet për 49.5 denarë për litër.

Autoritetet monetare dhe ato fiskale njoftuan se situata me rritjen e mundshme të çmimeve monitorohet, mirëpo nuk priten presione të theksuara inflatore edhe gjatë vitit të ri 2019.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button