Shkup, tryezë mbi parandalimin e ekonomisë gri në sektorin e zejtarisë

 Në qytetin e Shkupit ka 5 mijë zejtarë ndërsa vlerësohet se në të zezë punojnë dyfish më shumë, deklaroi Nikolla Petrov, kryetar i Odës së Zejtarëve nga Shkupi, në tryezën e sotme të rrumbullakët “Parandalimi i ekonomisë gri në sektorin e zejtarisë”, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas kryetarit të Odës së Zejtarëve nga Shkupi, qëllimi i tryezës së rrumbullakët është ngritja e vetëdijes për parandalimin e ekonomisë gri në zejtari dhe nxitjen e dialogut dhe bashkëpunimit me shërbimet e inspektimit.

Ai bëri të ditur se në Shkup ka 5 mijë zejtarë ndërsa në të zezë punojnë dyfish më tepër.

“Nga dita në ditë na zvogëlohen zejtarët e regjistruar legalisht dhe për shkak të kësaj kemi gjithnjë e më shumë zejtarë të paligjshëm që punojnë në treg, qoftë në rrugë apo në shtëpi. Kështu më nuk mundet”, tha Petrov.

Në pyetjen e gazetarëve se sa ekonomia gri po e dëmton biznesin, Petrov theksoi se humbja është e madhe ndërsa më së shumti pëson buxheti i shtetit.

Ai shpreson se do të vijnë ditë të mira për zejtarët.

“Gjithmonë në fjalimet e mia them se do të vjen dita kur zejtari do të paguhet më mirë se profesori i fakultetit, ditët vijnë”, tha Petrov.

Sllave Veljanovski, kryetar i seksionit të auto-artizanaleve theksoi se puna në të zezë më shumë i prek zejtarët të cilët janë regjistruar.

“Problemi kryesor në punën në të zezë është se ne të regjistruarit nuk jemi të mbrojtur. Ne luajmë një lojë në të cilën nuk ka rregulla, rregullat vlejnë për ne, kështu që ne duhet të jemi të regjistruar, të kemi të gjitha certifikatat për punë, të paguajmë kontribute mujore… Ndërsa dikush që punon në 10-15 metra nga ne lirohet nga të gjithë ato gjëra”, theksoi Veljanovski.

Biljana Sërbinovska nga inspektorati i tregut shtetëror vuri në dukje se gjatë vitit 2018 janë kryer 119 kontrolle në fushën e zejtarisë dhe janë ngritur 4 urdhërpagesa për kundërvajtje.

Sipas Sërbinovskës, mungojnë inspektorët.

“Mungojnë kolegë sepse momentalisht jemi 20 inspektorë, nga të cilët pensionistë potencial vitin e ardhshëm do të jenë 6-7, kështu që do të mbetemi shumë pak ndërsa kompetencat janë të mëdha”, tha Sërbinovska.

Në tryezën e rrumbullakët ku morën pjesë zejtarë, përfaqësues nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, inspektorët e tregut dhe të punës, u miratuan gjithsej 15 konkluzione për parandalimin e ekonomisë gri në sektorin e zejtarisë. Konstatimet do të dërgohen në të gjitha institucionet kompetente.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button