Aktivisti holandez gati 5 vite proteston i vetëm kundër krimeve izraelite në Palestinë

Një aktivist holandez tanimë katër vite e gjysmë proteston i vetëm në kryeqytetin e vendit të tij, Amsterdam, për të tërhequr vëmendjen ndaj krimeve të Izraelit në Palestinë.

Simon Vrouwe çdo dy javë proteston të dielave në Sheshin Dam të frekuentuar nga turistët. Pavarësisht motit, ai shfaqet me biçikletën e tij me rimoriko, në të cilën vendos flamuj të Palestinës dhe pankarta në të cilat shpjegohen përjetimet e palestinezëve.

Vrouwe shpërndan broshura përmes të cilave shpjegon okupimin izraelit dhe bën thirrje për bojkot, ndërsa nuk heq dorë nga protesta e tij përkundër reagimeve dhe madje edhe sulmeve të simpatizantëve të Izraelit.

Aktivisti holandez, i cili deri më tani ka mbajtur mbi 500 protesta në qendër të Amsterdamit, thotë për Anadolu Agency (AA) se krahas tërheqjes së fokusit drejt përjetimeve në Palestinë, protesta paraqet edhe reagim ndaj qëndrimit politik të qeverisë së Holandës kundrejt çështjes Palestinë-Izrael.

Sipas Vrouwe, qeveria holandeze përpiqet t’i mënjanojë organizatat propalestineze duke i akuzuar për antisemitizëm.

“Ajo që unë bëj nuk ka aspak lidhje me antisemitizmin. Unë protestoj në Sheshin Dam nga dashuria dhe respekti për palestinezët e përvuajtur”, shprehet Vrouwe.

Ai e cilëson si shumë të keqe dhe trishtuese mizorinë në Palestinë.

“Veçanërisht, ngjarjet në Gaza janë të tmerrshme. Ne duhet të bëjmë diç për këtë situatë. Duhet t’i sensibilizojmë më shumë njerëzit në lidhje me ndodhitë në Palestinë. Kjo nuk arrihet vetëm duke organizuar disa protesta në vit”, vlerëson aktivisti holandez.

Vrouwe tregon se reagimet që i merr janë kryesisht të mira, ndërsa thotë se rregullisht sulmohet nga disa simpatizantë të Izraelit, të cilët, siç thekson ai, nuk respektojnë pikëpamjet e tij.

“Është një ish-ushtar izraelit që tashmë dy vite e gjysmë më shqetëson vazhdimisht në Sheshin Dam. Kjo është gjë e shëmtuar. Për këtë arsye, ai është arrestuar 15 herë deri më tani. Madje, është gjykuar të më paguajë dëmshpërblim për shkak të sulmeve të vazhdueshme dhe pasi më një herë më grisi xhaketën. Edhe pse është vendosur që ai të qëndrojë në distancë 35 metra larg meje, ai vazhdon ta bëjë të njëjtën gjë dhe policia detyrohet ta largojë. Përkundër të gjithave, unë do të vazhdoj të protestoj në shesh”, shprehet për AA aktivisti holandez Simon Vrouwe.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button