Vrasjet seriale!

Pas neglizhencës shtetërore që lejoi shovinistët grekë të organizojnë “kortezhe” brenda territorit shtetëror të Shqipërisë dhe të betohen në korr se do të marrin hak për vrasjen e vëllait të tyre terrorist Kaçifa-s, i cili guxoi të sulmojë me armë repartin special të policisë shqiptare, nuk duhej shumë mend për t’u kuptuar se paralajmërimi i organizatës terroriste “Agimi i artë”, do të realizohet shpejt. Dhe, ja ku po shtohet numri i shqiptarëve të vrarë brenda territorit grek, në rrethana akoma të pasqaruara.

Ironia më e madhe qëndron në faktin se zyrtarët e lartë të shtetit shqiptar, duken të painteresuar t’i kuptojnë detajet e vrasjeve të këtilla. Madje, vrasjet e kaq shqiptarëve brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore, nuk po marrin as çerekun e vëmendjes mediale që mori asgjësimi i një kokëkrisuri që guxoi të terrorizojë një fshat të tërë me armë lufte.

As mediet, as emisionet debative, që për rastin e terroristit të vrarë grek na njoftonin sistematikisht për çdo gjë, madje edhe për gjendjen shpirtërore të fqinjëve më të largët të Kaçifas, edhe me cikërrima, që në një shtet normal për ngjarje të ngjashme do të konsideroheshin abuzime mediale, nuk po na thotë gjë, njësoj si politika shurdhe, që pranon të luajë indiferentshëm karshi tmerrit të vrasjeve seriale të shtetasve të vet…

Shqiptarët që gjenden sot në Greqi, kanë ikur atje për bukën e gojës, të cilën nuk e siguronin dot në vendin e tyre. Ata kanë ikur atje me lot në sy, për të marrë hakun e djersës, jo për t’u ekzekutuar nga dora kriminale e strukturave antishqiptare e shtetit fqi.

Për fat të keq, atyre nuk ka kush u del zot, sepse klounët me kollare të politikës shqiptare, shtirren trima e luajnë në karta nacionaliste, vetëm kur ua do interesi. Ata e njohin euforinë e shqiptarëve të ngratë, që harrojnë shpejt, që veprojnë me instinkte turmash, që hipnotizohen rrufeshëm edhe vetëm nga një fjali e strukturuar bukur për të ndezur eufori, edhe vetëm nga një gjest, edhe vetëm nga një budallallëk…

Ndryshe është shteti serioz, shumë larg Shqipërisë që duam ne…

Shteti ka përgjegjësi kushtetuese, shteti duhet të kërkoj hesap të detajuar për çdo padrejtësi eventuale, jo më për kasaphane, jo më për ekzekutime klasike… Ama ne flasim për shtetin shqiptar, ku qeveritarët përgatiten se kush do ta tregojë barsoletën më të bukur në seancat e

kuvendit dhe kush do të shajë më bukur oponentin politik. Ne flasim për shtetin ku pushtetarët nuk arsyetojnë dot as çmimin e këpucëve, le më vilat e pashallëqet e tyre.

Ndoshta duhet të falim gjithçka, ta mbulojmë dhimbjen me turp dhe në fund ta hedhim si leckë në detin e falur pafytyrësinë tonë – në kilometrat e dhëna si peshqeshe diplomatike në shenjë falënderimi për shqiptarët që ikën në Greqi për bukën e gojës, e që ajo po na i kthen në arkivole.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button