Presidenti Ivanov pranoi se 27 Prilli ishte i organizuar dhe jo spontan

Presidenti Gjorge Ivanov, sot derisa i demantonte deklaratat e të akuzuarve për rastin e 27 Prillit se edhe ai ka qenë i përzier në ngjarjen e përgjakshme të sulmit të organizuar në Kuvend, theksoi se këto deklarata vijnë me qëllim që ta kthejë vëmendjen nga kreatorët e vërtetë të ngjarjes ndaj shefit të shtetit dhe kabinetit të tij, edhe pse paraprakisht nuk ka folur asnjëherë për kreatorë të mundshëm të kësaj ngjarje, por dhunuesit i ka quajtur “persona që i ka marrë turma dhe emocionet”, shkruan Portalb.mk.

“Gishti po drejtohet nga unë, por kur Gjykata ta miratojë vendimin do ta dijë se kush janë aktorët kryesor, kush qëndron mbrapa 27 prillit, kush e ka planifikuar dhe kush ka qenë regjisor, por do të dihet edhe motivi”, thotë presidenti Ivanov.

17 maj të vitit 2017 Ivanov për herë të parë ndër reshta ka përmendur amnistinë për të dyshuarit dhe të akuzuarit për 27 prillin, ku ai nuk përment fare për mundësinë se këto protesta kanë organizatorë.

“Në vitin 2001 Kuvendi amnistoi kriminelët e luftës. Nëse ka qenë e mundur që të amnistohen kriminelët, atëherë përse të mos ju ndihmojmë njerëzve të cilët kanë mbledhur turmën ose njerëzve të cilët kanë marr pjesë në diçka që është më shumë shprehje e emocioneve”, deklaroi Ivanov.

Ivanov në vazhdimësi, asnjëherë s’ka theksuar se ekzistojnë organizator. Në një deklaratë të  tij më 28 nëntorit të vitit 2017, në lidhje me procesin gjyqësor kundër të akuzuarve të 27 prillit, ai thotë se protestuesit nuk duhet të trajtohen si terroristë pasi që kanë protestuar dy muaj e gjysmë paraprakisht në mënyrë paqësore

“E kam përkrahur dhe tani e përkrah iniciativën “Për Maqedoni të Përbashkët” e cila më shumë se dy muaj e gjysmë, në mënyrë paqësore dhe të dinjitetshme e ka treguar kujdesin për interesat nacional të Republikës së Maqedonisë. Qytetarët të cilët janë bashkuar dhe e kanë demonstruar idenë për bashkim nuk munden dhe nuk duhet të trajtohen si organizatë terroriste. Shpreh shqetësim për hakmarrjen politike që nxiti frikën dhe destabilizimin politik”, deklaroi Ivanov më 28 nëntor të vitit 2017.

Ndryshe, gjatë seancave për rastin gjyqësor të 27 prillit, i akuzuari Aleksandar Vasilevski – Ninxha, deklaroi se Ivanov, atë natë, sipas skenarit është dashur të shpallë gjendje lufte me qëllim që të parandalojë ndryshimin e pushtetit. Këtë informatë ia ka thënë përfaqësuesi i Kabinetit të Ivanovit, Boris Josifvski i cili ka atë natë, sipas të akuzuarit ka qenë në ndërtesën e selisë së VMRO-DPMNE-së, prej ku janë dhënë direktivat për sulmin e përgjakshëm. Por, sipas deklaratës së Vasilevskit, Ivanov nuk ka shpallur gjendje lufte për shkak të presionit të madh ndërkombëtar.

Ivanov, në karrierën e tij si president, njihet si personalitet kontrovers i cili ka qenë dorë e zgjatur e partisë VMRO-DPMNE, me të cilën derisa ka qenë në pushtet ka udhëhequr ish kryeministri, tanimë i arratisur, Nikolla Gruevski. Skandalet më të mëdha të presidentit, janë bërë kur i aboloi të gjithë funksionarët e VMRO-DPMNE-së që përndiqeshin nga Prokuroria Speciale e Maqedonisë, për krime të mëdha financiare dhe lëndë tjera.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button