Shehu nga Tetova dhe shkrimtari nga Anglia

Kur publicisti britanik Henri Noel Brailsford (1873 – 1958) e vizitoi Tetovën në fillim të shekullit XX, u mahnit nga peizazhet e Sharrit veshur me petk dëbore, nga ajri i pastër, klima e mirë, nga lulet e maleve që lulëzonin edhe në dimër. Përkundër bukurive natyrore, kishte përshtypjen se gjendej në vendin më të humbur dhe më të nëmur të Europës, aty ku gratë jetonin në kushte të mjerueshme.

Publicistit i kishte bërë përshtypje patriotizmi shqiptar ndër këto vise, kurse më mbresëlënës për të kishte qenë takimi me një sheh të Teqesë së Tetovës, që e quan mik, nga i cili kishte marrë një leksion për moralin dhe mirëkuptimin ndërmjet kombeve e religjioneve.

Shehu nga Tetova ja kishte përkufizuar “të keqen e përgjithshme” me dy vargje të thjeshta, mbresëlënëse dhe të thella:

“Unë ha, ti je i uritur.

Unë jam i mirë, ti je i keq”.

Që ta shmangim të keqen e përgjithshme nuk duhet të mendojmë vetëm për dobinë tonë në dëm të tjetrit. Tjetrin duhet ta respektojmë dhe jo ta luftojmë.

Brailsfordi i krahason pikëpamjet e shehut tetovar për moralin me ato të Tolstoit. Ai thotë se “prej këtij teksti mund të ndërtohet një sistem i tërë moral”. Megjithatë, sipas tij, ky mësim morali, ishte shumë më i lartë se sa zhvillimi moral i shqiptarëve të asaj kohe.

Kjo formulë morale, sipas tij, mund të shërbente për mirëkuptim ndërmjet kombeve dhe religjioneve, mund të shërbente për respektimin e dallimeve etnike apo religjioze, mund të shërbente si sfidë kundër fanatizmave, që zakonisht nxiten prej strukturave shtetërore për qëllime jashtë religjioze.

Autori britanik këtë bisedë me mikun e tij tetovar e përshkruan në librin “Maqedonia, popujt e saj dhe ardhmëria e tyre” (Henry Noel Brailsford, Macedonia: Its Races and Their Future, Methuen & Co. London, 1906).

Autori ishte publicist, shkrimtar, profesor universitar, analist i disa revistave dhe gazetave prestigjioze, autor i romanit “Fshesa e Zotit të luftës” (1898) dhe anëtar i Komisionit ndërkombëtar, që më 1914 e publikoi librin “Raporti i komisionit ndërkombëtar të Karnegit për hulumtimin e shkaqeve dhe zhvillimeve të luftërave ballkanike“.

Në Ballkan, fatkeqësisht, mbizotëron morali i shekullit XIX, që parashihte dominim të burrit ndaj gruas, të mësimdhënësit ndaj nxënësit dhe prindit nga fëmijës. Ende nuk është mësuar formula morale e shehut të urtë se për ta shmangur të keqen e përgjithshme duhet solidarizim me më të dobëtin dhe respektim të tjetrit që është i ndryshëm nga ne.

Është kaq e thjeshtë: bota është e bukur sepse ka gjuhë, kultura, qytetërime, kombe e religjione të ndryshme. Ata që duan botë njëngjyrëshe janë pjesë e të keqes së përgjithshme dhe dëmtuesit më të mëdhenj të kulturës dhe kombit të tyre. Ata që duan ta ruajnë “pastërtinë” e një kulture kombëtare janë primitivë. Fatkeqësisht, bota është e mbushur me të tillë.

Nuk ka kulturë apo gjuhë të pastër. Kulturat dhe gjuhët bashkëpunojnë ndërmjet tyre. Marrin e japin mes tyre. Pasurohen nëpërmjet shkëmbimit. Ata që besojnë në kombe e gjuhë qiellore janë pjesë e së keqes së përgjithshme.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button