fbpx

Luka Modric: mrekullia e bariut të dhive që arriti majën e botës

Sot ai është në krye të futbollit botëror, por shumë vite më parë askush nuk do të thoshte se kjo mund të ishte bëhej realitet. Kjo është mrekullia e Luka Modric, nga bari dhish, fëmijë i luftës, refugjat dhe i persekutuar nga serbët, të cilët i vranë gjyshin, te fitimi i “Topit të Artë”. Nga qielli i vrenjtur i Zadarit, përmes Bosnjës, Zeprenic, Zagreb, Londër dhe Madrid, ku ai gjeti skenarin më të mirë për të “puthur” trofeun e lojtarit më të mirë në planet.

Luka Modric është bërë i njohur edhe përmes dokumentarit të Pavle Balenovic, që i referohet kohës mes viteve ‘89 dhe ‘90. Një ekstrakt i këtij dokumentari u bë publik nga BBC, ku familja e Modric i​shte një nga protagonistet njerëzore të rrëfimit. Imazhet tregojnë një nga mjediset, në të cilat ai u rrit, duke ndihmuar familjen e tij në kullota me dhi. Një dokumentar që tregon kontrastin e thellë të atyre viteve me realitetin e sotëm të tij te Real Madridi, transmeton Telesport.al.

Pastaj erdhi fluturimi nga fshati për në Zadarin e tij, ku familja u vendos, duke ikur nga serbët. Jetuan si fillim në “Hotel Kolovare” dhe më pas në “Hotel Iz”, derisa gjetën një shtëpi. Luka kaloi orë në parkingun dhe oborrin e tij, respektivisht, me topin e futbollit. Atij nuk i pëlqen ta kujtojë atë kohë. Nga kujtesa preferon të shpëtojë imazhet me një top futbolli në këmbë dhe familjen, në ato momente.

Nëse Modriç duhet t’i dedikojë suksesin e tij dikujt, ky është trajneri i parë, mbrojtësi më i madh dhe “babai i tij sportiv”, Tomislav Basic, i cili vdiq në vitin 2014, kur Luka ishte tashmë në Madrid. Kroati kërkoi leje nga klubi për të marrë pjesë në funeralin e trajnerit të parë.

Modric ëndërroi për të qenë i barabartë me Boban, idhullin e tij, ish-lojtarin e Milanit, kostumin sportiv të të cilit e kishte që fëmijë. Tani, Zvonimir, dora e djathtë e Infantinos në FIFA, e di se Luka e ka tejkaluar atë. Ai, madje, e kujtoi në fjalën përshëndetëse në Londër, si “The Best 2018” tashmë, duke e bërë të qajë Boban.

Mbrëmë, në Paris, ku mori “Topin e Artë” për vitin 2018, në festë iu bashkua edhe Vanja, gruaja dhe figura thelbësore në karrierën e tij, si dhe dy djemtë. Aty, Modric jetoi një nga momentet më të veçanta të jetës së tij. Një mrekulli, po të kesh parasysh trajektoren e jashtëzakonshme, nga kullotja e dhive në malet e Kroacisë tek “Olimpi” i futbollit, lojtari më i mirë i vitit në botë.

Kohë më parë është shfaqur një video, ku Luka 5-vjeçar është kapur duke ruajtur dhitë në Velebi, pranë Zadarit, prej nga është dhe vendlindja e tij. Por si është bërë ajo video? Mos vallë prej atëherë, syri që e ka kapur fëmijën-çoban, e ka ditur se në të ardhmen do të jetë një ndër mbretërit e fushave, që kushton miliona euro? Sigurisht që jo. Materiali është filmuar nga Paul Balenovic 28 vite më parë, ndërsa ka dashur të realizojë një dokumentar mbi ujqërit. Pra, është krejt një koinçidencë.

Luka 5 vjeç shfaqet për disa sekonda, pas minutës së dytë të regjistrimit. Vetë autori Balenovic rrëfeu se si shkoi deri te fokusimi i një çobani, që më pas u bë i famshëm: “Që nga fëmijëria, unë magjepsesha nga natyra dhe kafshët. Ndër to, edhe ujqërit. Ndaj dhe nisa të udhëtoj për t’i studiuar ato nëpërmjet filmimeve”. Dhe në rrugëtimin e tij nëpër fshatra, ka njohur dhe familjen “Modriç”.

“Ata ishin njerëz të mirë. I vizitoja sa herë që shkoja për të filmuar kafshë të egra, natyrën dhe jetën në male. Kështu që një ditë regjistrova dhe fëmijën e tyre, Luka, që ruante një kope dhish. Menjëherë pas vitit 1990, lufta e shkatërroi shtëpinë e tyre. Gjithçka ndryshoi papritur dhe nuk i pashë më. Ata u larguan si shumë njerëz nga ajo zonë. Dhe vetëm pak vite më parë jam informuar mbi atë djalë të vogël, që ishte bërë futbollisti i njohur, Luka Modric”, – përfundon Paul Balenovic, njeriu që nga pasioni për kafshët i ofron sot botës të shkuarën e pazakontë të një ylli botëror, që mbrëmë fitoi çmimin me prestigjioz individual në futboll, “Topin e Artë”.

Pa asnjë tatuazh. Pa rrëfime të shumta në gazetat rozë. Pa krehje të jashtëzakonshme, por me një model flokësh nga e kaluara. Nga jeta private e tij dihet shumë pak, çka në futbollin modern duket sikur të jetë një person jashtë kohës. Kapiteni i Kroacisë me një gjatësi prej vetëm 1.72 metra duket i tërhequr, flet rrallë dhe nuk ka dëshirë të dalë shpesh para kamerave televizive, në konferencat e shtypit. Jashtë fushës së futbollit, me dëshirë jeton i tërhequr. E ka të vështirë të flasë për veten, pati deklaruar njëherë për gazetën gjermane “Die Welt”.

Por, në fushë ai është shef. “Lufta dhe jeta në kampet e refugjatëve, më kanë forcuar”, – deklaroi Luka Modric njëherë për mediat. Në fillim të luftës së Kroacisë, në vitin 1991, ai u detyrua të largohet nga fshati i lindjes, së bashku me familjen. Një hap që e ka forcuar për t’u përballur sot me sukses edhe në konkurrencën e një ekipi si Real Madridi. “El Pony”, siç e quajnë bashkëlojtarët, mban sot në fanellë numrin 10, një vlerësim i lojërave të mrekullueshme të tij. Luka Modric është një artist dhe luftëtar me top. Veçoria e lojës së tij janë pasimet me pjesën e jashtme të këmbës së djathtë, me një saktësi të jashtëzakonshme në gjatësi prej 30-40 metrash.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button