Haradinaj: Taksa 100 për qind nuk rrezikon marrëdhëniet Kosovë-BE

 Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi se çështja e taksës 100 për qind të vendosur për produktet nga Serbia dhe Bosnjë dhe Hercegovina nuk rrezikon marrëdhëniet mes vendit të tij dhe Bashkimit Evropian (BE), raporton Anadolu Agency (AA).

Haradinaj sot pas takimit me Komisionerin Evropian për Politika të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn, i cili gjendet për vizitë zyrtare në Kosovë, mbajti një konferencë për media. Me këtë rast, Haradinaj tha se gjatë takimit komisioneri Hahn ka kërkuar të zgjidhet gjendja e krijuar me vendosjen e taksave.

“Ai kërkonte një zgjidhje për gjendjen e krijuar me taksën. I dhashë shpjegimet se po, zgjidhja ekziston, është një marrëveshje gjithpërfshirëse, pra për njohje, ku njëra nga temat për të cilën do të mirreshim vesh do të ishte edhe tregtia e lirë, pra pa tarifa dhe pa barriera tjera jotarifore”, tha Haradinaj.

Në lidhje me atë se a mund të rrezikojë çështja e taksave marrëdhëniet Kosovë-BE, Haradinaj tha se “Ne nuk i kemi vënë taksë BE-së. Pra, as një vendi të BE-së nuk i kemë vënë taksë. Nuk është e rrezikuar marrëdhënia Kosovë-BE. Ne kemi një kërkesë nga BE-ja për heqjen e taksës, është e vërtetë që e kemi, mirëpo partneriteti ynë me BE-në në kuadër të MSA-së (Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim) dhe të CEFTA-s (Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore) pra ekziston, kjo është një masë ndaj dy vendeve që na kanë rrezikuar subjektivitetin tonë dhe është në përputhje pikërisht me obligimet që ka Kosova”, tha ai.

Ndërkaq, lidhur me atë se a do të futet çështja e liberalizimit të vizave në axhendën e Këshillit të Ministrave të BE-së, Haradinaj tha se BE-ja nuk jep një garancë të fuqishme që kjo do të ndodhë tash.

“Ne kemi mbajtur shpresë dhe ende mbajmë shpresë që mund të ndodhë që të hyjmë në axhendën e Këshillit të Ministrave. Sido që të jetë, nga BE-ja është një spekticizëm. Ata japin shumë arsyetime, prej atyre që kjo është diçka e logjikshme. Thonë se me Ukrainën e Gjeorgjinë ka zgjatur një vit e gjysmë periudha kohore mes komisionit edhe vendimit. Me këtë nuk e përjashtojmë mundësinë që në një të ardhme të afërt, meqë Këshilli mbledhet çdo tre muaj, për çdo tre muaj ka një takim si ky, mirëpo nuk na japin një garancë të fuqishme që do të ndodhë tash”, tha ai.

Më tej gjatë kësaj konference, Haradinaj informoi për zhvillimet rreth taksës 100 për qind të vendosur për produktet nga Serbia dhe Bosnjë dhe Hercegovina, duke theksuar se ky vendim po respektohet në tërësi nga dogana dhe të gjithë mekanizmat e tjerë. Ai shtoi se në të njëjtën kohë është shtuar kujdesi për produktet që kanë të bëjnë për spitalet, kishën ose në rastet e kërkesave humanitare dhe ato të donacioneve.

“Nëse qeveria e Kosovës ka informata se diku është ndonjë krizë e mungesës së ndonjë produkti vital, ne do të ndërmarrim veprime. Ne jemi në gjendje të furnizojmë spitalin e Mitrovicës së Veriut me ilaçe, apo ambulantat e tjera në Kosovë. Nuk do të mungojnë ilaçet, as materialet e tjera të nevojshme për të gjithë. Mirëpo, po ashtu ne do të respektojmë vendimin e marrë të qeverisë dhe ky vendim, sikurse e dini, mund të anulohet me rastin e njohjes së pavarisë së Kosovës nga Serbia. Ndoshta na duket shumë larg kjo, por ne do të punojmë që tani të shkruajmë një marrëveshje gjithpërfshirëse, me të gjithë kapitujt e tjerë, borxhet, të zhdukurit, të drejtat e komunitetit serb në Kosovë dhe plotë tema tjera, e njëra nga këto do të jetë edhe tregtia e lirë mes Kosovës dhe Serbisë. Ky është qëndrimi që ka paraqitur qeveria dhe unë në takimet e sotme”, tha Haradinaj.

Ai vuri në dukje se serbët e Kosovës nuk janë të rrezikuar nga ky vendim dhe ftoi Listën Serbe për të biseduar për këtë çështje për t’i siguruar se ky vendim nuk u drejtohet serbëve të Kosovës.

Eurokomisari Hahn, gjatë vizitës në Kosovë u takua edhe me presidentin e vendit, Hashim Thaçi, dhe kryeparlamentarin Kadri Veseli.

Ndryshe, qeveria e Kosovës më 21 nëntor mori vendim për rritje të taksës për 100 për qind për produktet e importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë dhe Hercegovina. Ky vendim mori reagime të shumta si nga Serbia, si dhe nga komuniteti serb në Kosovë. Ndërkaq, vizita e komisionerit Hahn erdhi pas situatës së krijuar pas këtij vendimi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button