Presidenti Thaçi shpreh vullnetin për përpjekje maksimale për marrëveshje me Serbinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e mbylli vizitën njëjavore në Uashington, duke e mbrojtur me forcë nevojën për një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, që sipas tij do të sillte paqe për dy vendet dhe rajonin. Në një diskutim në Këshillin e Atlantikut, presidenti Thaçi tha se koha është tani për të lënë të shkuarën pas. Siç njofton kolegia Keida Kostreci, zoti Thaçi u largua nga Uashingtoni, me një mbështetje nga administrata amerikane për arritjen e këtij objektivi që do të ishte “historik” sipas zyrtarëve të lartë, por mbetet ende për t’u zbuluar se si do të trajtohej çështja e kufijve mes dy vendeve.

Shumë detaje mbeten ende të pashpjeguara publikisht lidhur me përpjekjet e mëtejshme për një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, por Presidenti Thaçi hodhi dritë mbi disa aspekte, transmeton VoA.

Duke thënë se procesi nuk do të jetë shumë popullor, ai pranon se do t’i duhet të bëjë lëshime.

“Ndoshta ndonjëherë në politikë ke të drejtë 100 për qind, por nëse do të merresh vesh me dikë, duhet të kesh një kompromis”.

Dhe megjithëse nuk e përdor më shprehjen korrigjim kufiri, zoti Thaçi thotë se nuk mund të ketë marrëveshje mes dy vendeve pa “definim të kufirit”, siç u shpreh ai.

“Serbia nuk na e dhuron njohjen veç me vullnet të mirë, ose për dëshirë të (Hashim) Thaçit apo dikujt tjetër”, tha zoti Thaçi.

Por në këmbim, thotë presidenti i Kosovës, do të ketë njohje reciproke mes dy vende, integrim euro-atlantik, anëtarësim në OKB, transformim të Kosovës dhe paqe në rajon. Ajo që ai thotë se nuk do të pranohet, është shkëmbimi i popullsisë dhe ndarja në vija etnike. Pyetjeve lidhur me kundërshtimet brenda vendit, përfshirë qëndrimet e ndryshme të kryeministrit Ramush Haradinaj, ai u përgjigjet:

“Është lehtë të kritikosh, por cila është ideja e tyre, cila është alternativa e tyre, cili është projekti i tyre përpos të qëndrojmë siç jemi. Kjo gjendje është e paqëndrueshme”.

Por pse mendon ai se tani është momenti i përshtatshëm?

“Sepse më herët nuk kemi mundur vetëm në mënyrë unilaterale, vetëm Kosova. Kemi pasur mundësi në Rambouillet, kemi dështuar (sepse) Serbia ka refuzuar, kemi pasur mundësi në Vienë në negociatat e udhëhequra nga Presidenti Ahtisaari, Serbia ka refuzuar. Tash ekziston një vullnet reciprok për të gjetur një zgjidhje paqësore dhe për ta përmbyllur konfliktin një herë e përgjithmonë”.

Zoti Thaçi nuk u përgjigj direkt se çfarë do të thotë ky vullnet reciprok dhe as Presidenti serb Aleksandar Vuçiç nuk është shprehur se çfarë e bën këtë moment unik.

Për ta vënë në kontekst përpjekjen e tij, ai u kujtoi të pranishmëve se 20 vjet më parë ishte në male duke luftuar për lirinë e vendit të tij:

“Mashtrohet keq dikush nëse mendon se kam harruar se Serbia ka vrarë mbi 13 mijë civilë shqiptarë, apo 20 mijë gra të dhunuara, rreth 40 për qind të infrastrukturës së shkatërruar. Unë të gjitha këto i di dhe i ndjej. Nuk harrojmë por nuk jemi vendet e vetme që kemi qenë në luftë dhe kemi arritur paqen”, tha ai.

Edhe kur u pyet për vendosjen e tarifës 100 për qind ndaj importeve serbe pasi Kosova nuk i siguroi votat për anëtarësim në Interpol dhe këmbënguljes së kryeministrit Haradinaj për të mos u tërhequr nga ai vendim, zoti Thaçi foli në kontekstin e perspektivës që hap një marrëveshje.

“Derisa të vazhdojë kjo gjendje e status-quo-së me probleme ditore, atëherë do të kemi vazhdimisht problematika, do të kemi tensione dhe akuza të ndërsjella dhe bllokadë të ndërsjellë Kosovë-Serbi”.

Zëvendës Presidenti Ekzekutiv i Këshillit të Atlantikut, Damon Wilson që e drejtoi bisedën është dakord, se një marrëveshje i heq këto çështje nga tryeza.

“Vendosja e tarifës 100 për qindëshe është e dëmshme, për Kosovën, Serbinë dhe konsumatorët nga të dyja palët”, tha ai.

Zoti Wilson tha se ekziston shansi për një mundësi historike për një zgjidhje përfundimtare.

“Ajo që unë mbështes, dhe mendoj se për këtë mbështetje po dëgjojmë në Uashington dhe vende të tjera: ne do të mbështesim çdo lloj marrëveshjeje që këta udhëheqës mund të sjellin dhe që këto vende mund të arrijnë, nëse negociohet paqësisht mes tyre dhe ofron perpsektivë për një zgjidhje të qëndrueshme dhe përfundimtare, ne do ta mbështesim dhe për këtë mendoj se bëhet fjalë”, tha ai.

Zoti Wilson shtoi se do të ketë shumë vështirësi dhe se ai ka një optimizëm të matur për një sukses të mundshëm, duke u nisur nga vullneti i dy udhëqësve. Dhe Presidenti Thaçi duket se e ka të qartë një gjë të tillë, kur bën thirrje për mbështetjen e Uashingtonit dhe Bashkimit Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button