E mjera Maqedoni, me “Instagram” rini!

Në këtë shkrim nuk dua të dal fare me përfundim apo të sugjeroj se si të dilet nga kjo situate por  thjeshtë dua të reflektoj!

Sa më shumë të rinjtë në Maqedoni përpiqen të jenë në koherencë me botën euro-atlantike kjo mbetet vetëm tentativë apo realizimi është vetëm imagjinativ dhe kurrsesi pragmatik sepse e  gjithë përpjekja përfundon në një foto të realizuar dhe të plasuar ne rrjetet sociale.

Çfarë bluaj në mendje me këtë :

Është thelbësorë dhe jetësor ajri qe thithim ne radhë të parë! Së dyti ushqimi që konsumojmë! Sistemi shëndetësorë! Kushtet nëpër shkolla! Sistemi arsimor! Hapësirat publike! Mundësitë dhe kushtet për atraksion! Mundësitë për të lëvruar talentet! Mundësitë e gjetjes së një vendi të punës sipas aftësive apo profesionit! Mundësitë e ngritjes në detyrë në bazë të aftësive profesionale. Pagat e ulëta! Standardi i lartë jetësorë!

Kjo është Maqedonia për të rinjtë! Këto janë kushtet dhe mundësitë që ofron shteti ynë!

Atëherë çfarë bëjnë të rinjtë në këto rrethana! Ashtu siç e dimë të gjithë një numër frikshëm i madh  mësyjnë vendet evropiane konkretisht  Gjermaninë për një jetë më të mirë! Pjesa tjetër aktron një rini që se ka patur kurrë, me ngarkesa të shumta sociale!

I vetmi vend atraksioni është telefoni i mençur që lëvrohet me orë të tëra brenda ditës ku të rinjtë dalin nga realiteti dhe shkrijnë sytë përpara ekranit dhe duke fantazuar jetën e ‘’Instagramit’’ me ushqime të shëndetshme me vende të bukura me parqe, me gjelbërim me jetë luksoze me veshje nga moda më e fundit! Sytë e rinisë në  Maqedoni në këto momente janë sikur sytë e fëmijës me këpucë të grisura në mes të dimrit të acartë që sheh në dritaret e një shitoreje një palë këpucë të bukura e të ngrohta e që e dinë që nuk do të mund  t’i mbathë kurrë!

Tradicionalisht, gjeneratë pas gjenerate është përcjellë kultura e druajtjes, durimit  që është duke u kthyer mbrapshtë si armiku më i madh i rinisë. Të rinjtë në Maqedoni kryesisht jetojnë një jetë që s’është e tyre sepse nuk mund të marrin vendimin të drejtohen nga ajo që ata janë dhe duan. Është e dhimbshme sa shumë  fëmije deri në moshën para adoleshente kanë shfaqur talente të ndryshme në shkenca ekzakte, në art, në muzikë , në sfera të veçanta por që kanë ngelur si ëndrra në sirtarë në pamundësi për t’u rritur bashkë me to.

Kushtet e vështira ekonomike apo edhe sociale detyrojnë të rinjtë në  Maqedoni të politizohen për t’i mundësuar vetes së paku një vend pune apo një pozitë më të lartë në sektorin ku punon dhe kjo sjellë si pasojë që këta të rinj në vend që të kenë besim te vetja e tyre apo te aftësitë e tyre ata besojnë tek partitë përkatëse politike të cilat i zhvatin deri në nivelin ku ata ndihen të përdorur!

Modeli se si të bëhesh i pasur apo i suksesshëm për të rinjtë në Maqedoni është modeli më i shëmtuar  që  ofrohet një të riu me ëndrra plotë, është modeli i servilizmit, i nënshtrimit, i manipulimit!

Nëse  kemi shembuj të mirë kur të rinjtë, studentët kanë mundur të bëjnë revolucion sepse janë bërë bashkë si një trup për një qëllim, sot është e vështirë sepse pas çdo  iniciative qytetare apo studentore është e pamundur të mos nxjerrë kokë një ngjyrim politik i cili me mjeshtri përpiqet të përdor këto nisma qytetare apo studentore për të fituar poenë politike.

I zymtë ky realitet ashtu siç është e zymtë përditshmëria e një të riu këtu.

Në këtë shkrim nuk  dua të dal fare me përfundim apo të sugjeroj se si të dilet nga kjo situate por  thjeshtë dua të reflektoj!

Sepse ne Maqedoni po dole në përfundim mbyllet çështja dhe arkivohet!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button