Zëvendësministri Makraduli: Kemi zbuluar faktorin më të madh të ndotjes së ajrit, problemi do të zgjidhet

Puna e inspektorëve dhe kapaciteteve industriale, si dhe menaxhimi me hedhurinat, janë pyetjet që më së shumti u përsëritën në onlajn “bisedën” e parë të zëvendësministrit Jani Makraduli me qytetarët. Ai, me përgjigjet, promovonte të ashtuquajturin “Plan të ri për ajër të pastër”, që duhet të jep zgjidhje për ndotjen e ajrit. Megjithatë, gjysmë ore nuk mjaftoi për t’u përgjigjur as edhe gjysma e pyetjeve të parashtruara në Fejsbuk dhe Tuiter.

Makraduli theksoi se kanë bërë identifikimin e ndotësve në transport dhe ndërtimtari. Ai disa herë theksoi se faktori më i madh për ndotjen e ajrit janë pikërisht ekonomitë shtëpiake, duke përdorë thëngjill dhe mjete tjera të cilat e rrisin fuqinë kalorike të koftorëve joefikas, transmeton Portalb.mk.

“Rastet sociale që ngrohen me mjete jo-ekologjike do të marrin ndihmë nga shteti dhe zëvendësim të drejtpërdrejtë të asaj që e përdorin”, premtoi zëvendës-ministri.

Mirëpo, së pari zëvendësimi i sistemeve jo-ekologjike për ngrohje do të bëhet në kopshtet për fëmijë dhe shkollat.

“Nuk mund të lejohet që ndonjë shkollë, apo kopsht për fëmijë që në periudhën e dimrit të shpenzojë 30.000 euro e ndonjëherë edhe deri 40 000 euro për naftë”, tha ai.

“Disa ekonomive shtëpiake do t’u marrin invertorë, disa pompa termale, ndërkaq disa prej tyre sërish do t’i kyçim në ngrohjen qendrore”, duke theksuar se një invertor kushton 250 euro.

Një pjesë e komenteve të publikut kishin të bëjnë edhe me buxhetin e ndarë për ballafaqim me ndotjen e ajrit.

“Ne duam të ballafaqohemi me ndotësit, e jo t’u blejmë maska të gjithë njerëzve. Maska nuk është zgjidhje për ballafaqim me ndotjen”, u përgjigj ai në një prej pyetjeve të parashtruara në rrjetet sociale.

Zëvendës-ministri sqaroi se 1,6 milion euro do të dedikohen vetëm për uljen e ndotjes së ajrit, ndërsa 22 milionë për fushat tjera të mjedisit jetësor. Megjithatë, ai pranoi se këto mjete nuk janë të mjaftueshme, por sipas tij është fillim i mbarë, duke mbajtur shpresë edhe në paralajmërimet nga disa institucioneve ndërkombëtare financiare.

“Edhe me këto mjete do të tregojmë se ekzistojnë rezultate”, tha Makraduli.

Sa u përket subvencioneve për automjete – sqaroi se gjatë subvencionimit nuk do të bëhet dallim ndërmjet personave juridikë dhe fizikë, përkatësisht 3000 euro do të jenë subvencionet për automjet hibrid, kurse 5000 për automjet elektrik. AI shtoi edhe se në disa organe qeveritare veç më ka kërkesë për të përdorur mjete ekologjike transportuese. Për etiketat, në anën tjetër, sërish tha se ato do të caktohen në bazë të nivelit të emetimeve që i shkarkojnë, e jo sipas vitit të prodhimit.

Inspektorë, kontrolle dhe puna e kapaciteteve industriale

Një nga çështjet për të cilën opinioni ishte më së shumti i interesuar ishte edhe puna e inspektorëve dhe e kapaciteteve industriale.

“Në Maqedoni ka gjithsej 396 kompani me licenca legale, prej të cilave 160 me licencë A, nga të cilat 125 janë aktive si dhe 236 me licenca B. Ka edhe kompani të cilat punojnë në harmonizim të planit operativ, sikur Jugohromi, sipas të cilit nga viti 2014 nuk ia ka dalë të harmonizohet, të blejë pajiset me filtra dhe tani nuk punon”, tha Makraduli.

Ndërkaq, për inspektorët u përgjigj: “Gjithmonë nuk ka inspektorë, mirëpo nga tre inspektorë që ishin në Qytetin e Shkupit deri në vitin 2017, tani janë 18. Ka edhe 5 të ri në Inspektoratin Shtetëror”.

Informoi se për momentin në Regjistrin Elektronik të dispozitave – ENER është publikuar Ligji për këshill inspektues, që do të jetë ombrellë e të gjithë inspektorëve dhe siç pohoi, do të mundësojë kompetenca më të mëdha për intervenim me çka do të parandalohen shmangia e përgjegjësisë.

Në lidhje me kontrollet që i bëjnë inspektorët, Makraduli tha se mund të jenë të rregullta apo të jashtëzakonshme. Informon se në periudhën kontrollet janë bërë më shpesh.

“Inspektorët e Qytetit të Shkupit kanë bërë kontrolle të jashtëzakonshme të të gjitha kompanive të cilat kanë licencë B dhe në muajt shtator e tetor të këtij viti, janë shqiptuar dyfish më tepër dënime se vitin  e kaluar”, theksoi Makraduli.

Për matjet e emetimeve të dëmshme që i shkarkojnë kapacitetet industriale, zëvendës-ministri u përgjigj se ato matje i bëjnë laboratorë të akredituar.

“Për momentin bëhet akreditim i laboratorit që ekziston në Ministrinë për mjedis jetësor. Për atë qëllim është blerë peshore e shtrenjtë e cilat ishte jofunksionale”, njoftoi ai.

Për kapacitetet më të mëdha industriale sikur “Makstil” dhe “Usje” pohon se atje vazhdimisht bëhen matje.

“Për të marrë ndonjë impiant leje, duhet të ketë instrument matës dhe ato t’i masin të dhënat dhe t’i dërgojnë në Ministri apo i publikojnë në ueb faqen”, tha Makraduli.

“Janë duke u bërë kontrolle të rregullta dhe të rrepta”, theksoi ai.

“Me ligjin e ri për emetime industriale,  ato kontrolle do të shtohen edhe më tepër”, premton zëvendës-ministri.

Ai informoi se KEX Manastir ka nënshkruar kontratë me kompaninë “MZT Inzhenering” për 22 milion denarë për të gjetur zgjidhje për pluhurin, që një periudhë të gjatë e mbulonte tokën dhe të mbjellat bujqësore në rrethinë.

“Do të fillojë edhe procesi i filtrave elektrostatikë, do të mbillen 50 000 akacie, kurse deri më tani janë mbjellë 20 000”, premtoi ai.

Lindani nga OHIS

Makraduli tha se me grupin punues në të cilin bëjnë pjesë ministri Sadulla Duraki, sekretari i përgjithshëm i Qeverisë dhe ministri pa resor Adnan Qahil, është përgatitur plan për ballafaqim me këtë problem të hidhur, megjithëse nuk njoftoi cili është plani.

“Është vendosur që pas procedurës së falimentimit, paratë nga shitja e objekteve të dedikohen për mjete për pastrim, mbulim të pjesës dërmuese të hedhurinave, kurse pjesë tjetër më e vogël do të trajtohet me praktika dhe teknika bashkëkohore. Mendoj se do të jetë befasi vërtetë e këndshme. Unë vetë isha skeptik, por gjërat po lëvizin në drejtim pozitiv”, u përgjigj ai.

Ligji për menaxhim me hedhurina

Në lidhje me djegien e hedhurinave, për çka qytetarët alarmojnë në vazhdimësi, denoncojnë dhe dërgojnë fotografi në rrjetet sociale, Makraduli u përgjigj se Qyteti i Shkupit për herë të parë ka parashtruar disa kallëzime penale për ndezje zjarri në vend të hapur. Theksoi që sipas informatave të tyre, në shtet nuk ka hedhurina radioaktive.

Ligji për menaxhim me hedhurina, në anën tjetër, duhet të kalojë në Qeveri, pasi të përfundohet leximi i parë, lajmëroi zëvendës-ministri.

“Do t’i plotësojmë të gjitha direktivat që kërkohen nga ne”, premtoi ai.

Një nga pyetjet e shumta që i parashtroi Radio MOF kishte të bëjë edhe për komunikimin në ministri gjatë sjelljes së vendimeve. Makraduli u përgjigj se ai dhe Duraki kanë komunikim të shkëlqyeshëm, por që secili e kryen funksionin e vet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button