Senatorët u kundërvihen politikave të administratës ndaj Riadit

Senatorët amerikanë votuan pro rezolutës për të ndalur mbështetjen që u japin Shtetet e Bashkuara fushatës ushtarake të udhëhequr nga sauditët në Jemen. Rezoluta u miratua, megjithëse Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo dhe Sekretari i Mbrojtjes Jim Mattis u takuan me dyer të mbyllura me anëtarët e Senatit për t’i bindur të votonin kundër.

Një mesazh i qartë kundër politikave saudite nga Kapitoli, dy muaj pas vrasjes së gazetarit Xhamal Kashogi në konsullatën saudite në Stamboll, transmeton VoA.

“Përgjigja jonë ndaj kësaj vrasjeje dhe shtypjes së egër që u bëjnë sauditët disidentëve do të shërbejë si mësim për vendet e tjera që ndjekin këto politika,” tha Senatorja demokrate, Amy Klobuchar.

Me këtë votë rezoluta miratohet nga Komisioni për Marrëdhënie me Jashtë dhe kalon tani para Senatit të plotë për votë.

“14 milionë vetë janë në prag të zisë së bukës në Jemen; gjërat po keqësohen përditë. Koha nuk pret,” tha Senatori republikan, Todd Young.

Disa orë më parë, figura të larta të ekipit të presidentit për sigurinë kombëtare u përpoqën të bindin senatorët se nëse ndërpritet mbështetja amerikane për Arabinë Saudite, mund të shuhen shpresat për bisedime paqeje në Jemen.

“Ky është synimi që po përpiqemi të arrijmë prej muajsh me rrugë diplomatike dhe mendojmë se jemi shumë pranë. Administrata, po ashtu unë dhe Sekretari Mattis, jemi të mendimit se miratimi i rezolutës në këtë moment i minon këto përpjekje. Miratimi do t’u jepte zemër kryengritësve huti dhe iranianëve,” – tha Sekretari Pompeo.

Por shumica e senatorëve nuk u bindën nga këto argumente.

“Jemi angazhuar në luftë për hesap të dikujt tjetër, megjithëse Kongresi nuk ka shpallur luftë, megjithëse nuk ka pasur autorizim force nga Kongresi,” – tha Senatori republikan, Mike Lee.

Një tjetër shqetësim për senatorët ka qenë mospjesëmarrja e drejtoreshës së CIA-s, Gina Haspel në seancën për informim. Sipas njoftimeve, CIA ka arritur në konkluzionin se Princi saudit i kurorës, Mohamed Bin Salman dha urdhër për vrasjen e Kashogit, një gazetar me banim në Shtetet e Bashkuara.

“Është revoltuese që Senati nuk ka mundësi të dëgjojë shpjegimet e drejtoreshës së CIA-s. Kjo, për mua, tregon qartë se çfarë po ndodh,” tha Senatori demokrat, Bob Menendez.

Shtëpia e Bardhë këmbëngul se nuk janë arritur konkluzione të prera mbi personin që dha urdhër për eliminimin e Kashogit.

“Nuk kemi prova të qarta se princi i kurorës ishte i përfshirë. As agjencitë e zbulimit, askush tjetër nuk ka gjetur prova të tilla,” tha Sekretari i Mbrojtjes, Jim Mattis.

“Mendoj se ka ardhur koha që t’i përcjellim një mesazh të qartë dhe të prerë aleates sonë, Arabisë Saudite se do të ketë pasoja për veprime që bien ndesh me vlerat tona themelore, si përfshirja në vrasjen e një gazetari me banim në Shtetet e Bashkuara,” – tha Senatori Chris Coons.

Analistët vënë në dukje se fakti që kjo rezolutë u miratua në një komision të Senatit nuk nënkupton se janë prishur marrëdhëniet mes Riadit dhe Uashingtonit.

“Ne i mbështesim në nevojat për sigurinë, ata ndihmojnë për përmbushjen e nevojave globale për naftë. Kjo marrëdhënie, kjo aleancë nuk do të tronditet thjesht nga një votë,” – thotë analisti Michael O’Hanlon.

Por në Kongres po ndryshojnë qëndrimet ndaj Arabisë Saudite. Afro 20 senatorë që votuan kundër një rezolute të ngjashme lidhur me fushatën në Jemen para vrasjes së Kashogit, tani kanë bashkuar zërat me ata që e mbështesin rezolutën e re.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button