fbpx

Debat: Në Maqedoni jetojnë rreth 2000 qytetarë pa asnjë dokument

Në Maqedoni nuk ka një të dhënë zyrtare për numrin e personave të cilët nuk kanë shtetësi dhe si rrjedhojë nuk posedojnë asnjë dokument personal, ndonëse një hulumntim i OJQ-ve nxjerr shifrat prej 596, ky numër realisht mund të shkojë në rreth 2000 persona “pa identitet”, raporton Anadolu Agency (AA).

Ky ishte njëri nga konstatimet në debatin me temë “Zgjidhje sistematike për regjistrimin e personave pa dokumente dhe parandalimin e qytetarëve të mbeten pa shtetësi”, që u mbajt në Shkup, ku u theksua se numri më i madh i këtyre personave i takojnë komunitetit rom, ndonëse numri i atyre nga komuniteti shqiptar nuk është i papërfillshëm.

Tema e debatit, ishte në fakt një analizë e bërë nga profesori universitar, Borçe Davitkovski, për rekomandimet mbi zgjidhjen e këtij problemi, e përgatitur në bashkëpunim me organizatat ndërkombëtare UNHCR dhe OSBE, ku ai propozon zgjidhje përmes ndryshimeve në ligjin për Evidencë Amë dhe përmes ndryshimeve në ligjin për Procedurë Jashtëgjyqësore.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, pjesë e panelit, duke ofruar mbështetjen e tij të plotë për zgjidhjen e këtij problemi, tha se koncepti “një shoqëri”, asnjëherë nuk do të realizohet, nëse qoftë edhe një qytetar mbetet jashtë përkujdesit institucional, gjë e cila po ndodhë me një kategori qytetarësh të cilët nuk regjistrohen në librin amë, me çka privohen nga identiteti juridiko-qytetar në të gjitha institucionet shëndetësore dhe të punës.

Zaev tha se janë të përkushtuar që koncepti “një shoqëri”, të jetë i realizueshëm dhe jo vetëm një deklaratë politike.

“Po bëjmë parakushtet ta realizojmë këtë, duke nisur nga respektimi i të drejtave dhe lirive të njeriut, në çdo vend, në çdo kohë dhe për secilin bashkë me sundimin e ligjit në plan kombëtar dhe ndërkombëtar pavarësisht përcaktimit etnik dhe politik të individit”, tha Zaev.

Profesori universitar, Borçe Davitkovski, propozues i ndryshimeve ligjore, tha se problemi daton që nga pavarësimi i Maqedonisë, ndërsa u shpreh i lumtur për qasjen serioze të zgjidhjes së tij.

Ai tha se problemi qëndron tek “fantomët”, të cilët i shohim në semaforë, në rrugë, njerëz për të cilët tha se janë pa identitet, pa status të qytetarit.

“Te ne të evidentuar janë 650 persona, por çdo herë shifrat e kanë edhe anën e tyre të errët, njëjtë si me përdoruesit e drogave kur themi 1000 janë 3000, prandaj në këtë rast shifrat mendoj se lëvizin mes 1500-2000 bashkëqytetarë tanë të cilët jetojnë, por pa mundur të realizojnë asnjë drejtë të tyre themelore”, tha Davitkovski, për të shprehur se me një vullnet të mirë, problemi mund të zgjidhet deri në fund të vitit.

Pjesë e debatit i cili vazhdon gjatë tërë ditës janë edhe ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska, ambasadori i BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar, përfaqësuesi i UNICEF-it në Shkup, Dejan Kladarin, si dhe shefi i Misionit të OSBE-së, Clemens Koja, të cilët bashkë me përfaqësuesit e institucioneve shtetërore dhe organizatave joqeveritare, do të diskutojnë mbi modalitetet e zgjidhjes së problemit me qytetarët “pa identitet”.

Në vitin 2011 Maqedonia nënshkroi Deklaratën e Zagrebit ku merr përsipër regjistrimin e qytetarëve në librin amë, për çka është formuar një grup pune me përfaqësues të MPB-së, Ministrisë së Drejtësisë, UNHCR-së dhe OSBE-së dhe OJQ-ve për marrjen e hapave konkret drejt zgjidhjes së problemit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button