A do ta zëvendësojmë presidentin Ivanov me Maleskin?

Asnjë reagim nga partitë në lidhje me deklaratën e kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti se profesori universitar, Denko Maleski i plotëson standardet për të qenë kandidat për president. Përfaqësuesit e partive politike thonë se ende nuk e kanë hapur këtë çështje dhe nuk komentojnë në lidhje me atë se a është ose jo i pranueshëm, Maleski për ta përkrahur për president, njofton Portalb.mk.

Kostadin Kostadinov, LSDM

Partneri i koalicionit qeveritar, LSDM ende nuk ka vendosur për kandidatin, por thotë Maqedonisë i duhet president i cili do t’i mbrojë interesat e qytetarëve, pa dallim të përkatësisë së tyre.

“Në korniza të trupave dhe organeve të partisë, ende nuk është hapur kjo çështje. Gjithsesi kur të hapet, nëpërmjet procesit demokratik do të konstatohet edhe kandidati. Qëndrimi ynë është i qartë se Maqedonisë i duhet president i cili do t’i mbrojë interesat e qytetarëve, pa dallim të përkatësisë politike, etnike, ose çfarëdo përkatësie”, thotë për Portalb.mk, zëdhënësi i LSDM-së, Kostadin Kostadinov.

Aleanca për Shqiptarët thotë se ende nuk kanë diskutuar për emra, ndërkaq ata kërkojnë që presidenti i ardhshëm të jetë i pranueshëm për të gjitha partitë dhe i njëjti t’i respektojë interesat e të gjithëve dhe jo të jetë në shërbim të subjekteve politike në pushtet.

Flakron Bexheti
Flakron Bexheti, zëdhënës i Aleancës për Shqiptarët

“Ne vlerësojmë se debati për zgjedhjet presidenciale është i hershëm kur dihet se duhet të bisedohet për ndryshimet kushtetuese. Sa i përket vendimit, ne si subjekt politik do ta shqyrtojmë në debatet partiake dhe vendimet finale për të tilla raste i merr Kuvendi Qendror dhe organet partiake. Ajo çka është me rëndësi është që këtë herë shqiptarët do të vendosin për një kandidat i cili do t’i respektojë kërkesat e tyre dhe jo siç ka qenë rasti deri më tani, kur presidentët janë zgjedhur me ndihmën e votave shqiptare, ndërkaq presidenti nuk i ka përfaqësuar interesat shqiptare. Është me rëndësi që kompetencat e kryetarit të shtetit të jenë në kuadër të përcaktimeve të tija dhe jo të ketë abuzim me kompetencat, siç ka qenë rasti me faljen që ka bërë Ivanovi, ose me emërimet në Këshillin Gjyqësor si dhe në aspektin e sigurisë që gjithmonë kanë qenë partiake. Është koha që presidenti i cili do të zgjidhet të jetë i kapshëm për të gjitha subjektet politike dhe të jetë në frymën e një presidenti konsensual dhe jo në shërbim të subjekteve partiake që janë në pushtet”, thotë zëdhënësi i Aleancës për Shqiptarët, Flakron Bexheti.

Orhan Murtezani
Orhan Murtezani

Të dy krahët e Lëvizjes BESA, nuk kanë ndonjë qëndrim zyrtar për çështjen e zgjedhjeve presidenciale, duke shtuar se do të njoftohet opinioni në vijim.

“Kemi filluar debat të brendshëm rreth konceptit të pjesëmarrjes tonë në zgjedhjet presidenciale. Kur të kemi qëndrim përfundimtar do ta bëjmë publike”, thotë për Portalb.mk, zëdhënësi i Lëvizjes BESA me kryetar Afrim Gashin, Orhan Murtezani.

Elmedin Memishi
Elmedin Memishi

“Sa i përket kësaj çështje ende nuk është diskutuar në organet partiake. Në këtë periudhë jemi të angazhuar me procesin e ndryshimeve kushtetuese dhe kur do të shpallen zgjedhjet edhe zyrtarisht do të dalim e qëndrimin tonë”, thotë zëdhënësi i Lëvizjes BESA me kryetar Bilall Kasami, Elmedin Memishi.

RDK-ja vlerëson se konsensualiteti në Maqedoni është i rëndësishëm, ndërkaq profesori Maleski, sipas tyre është personalitet i respektuar dhe përvoja dhe maturia e tij është e nevojshme për Maqedoninë.

“Konsensualiteti është koncept i rëndësishëm për zhvillimin e vendit në të ardhmen në përgjithësi dhe për shqiptarët e Maqedonisë në veçanti, dhe për këtë arsye nuk duhet trajtuar këtë sistem politik si përmbushje kriteresh sepse në të ardhmen mund të shkaktojë pasoja të padëshirueshme. Përndryshe profesori Maleski është personalitet i respektuar si brenda ashtu edhe jashtë vendit për çdo pozicion të mundshëm të shtetit. Përvoja dhe maturia e tij do të kishin qenë shumë të nevojshme në këto momente të polarizimit të skajshëm të shoqërisë sonë në përgjithësi”, thotë për Portalb.mk, kryetari i RDK-së, Vesel Memedi.

Kush është Denko Maleski?

Ka lindur në vitin 1946, është politikan, analist politik, ministër i parë i Punëve të Jashtme të Maqedonisë dhe profesor i rregullt në Fakultetin Juridik në Shkup.

Ligjëron politikën ndërkombëtare dhe juridikun, por edhe sistemin politik modern. Në periudhën 1990-1991, ka mbajtur ligjërata në studimet e rregullta dhe postdiplomike në Universitetin Bouling Grin, Ohajo të SHBA-së. Në vitin 1985 është zgjedhur për dekan të Studimeve Interdisiplinore për Gazetari. Nga viti 1997, është udhëheqës i Studimeve Postdiplomike për të Drejtë Ndërkombëtare dhe Politikë Ndërkombëtare në Fakultetin Juridik në Shkup. Nga viti 1991 deri në vitin 1993, ka qenë ministër i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, ndërkaq nga viti 1993 deri në vitin 1997 a qenë përfaqësues i përhershëm i Maqedonisë në Kombet e Bashkuara. Maleski është i martuar dhe ka tre fëmijë.

Ndryshe, presidentit Gjorge Ivanov i skadon mandati më 12 maj të vitit 2019-të, ndërkaq zgjedhjet presidenciale duhet të shpallen prej 60 deri më 90 ditë përpara skadimit të mandatit, kjo i bie që prej në mes të shkurtit mund të shpallen zgjedhjet.

Që nga pavërësimi i Maqedonisë, Ivanov është presidenti i katërt. Paraprakisht, presidentë kanë qenë Kiro Gligorov, Boris Trajkovski dhe Branko Cërvenkovski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button