Bushati-Cerar: Sllovenia mbështet integrimin e Shqipërisë në BE

Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Sllovenisë, Miro Cerar, deklaroi se vendi i tij mbështet procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin e Evropian (BE), si dhe procesin e reformave në sektorë të ndryshëm, raporton Anadolu Agency (AA).

Cerar po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë, ndërsa pas takimit me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë, Ditmir Bushati, të dy homologët mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat në ambientet e MEPJ, duke u fokusuar në bashkëpunimin mes dy vendeve, ndihmën e Sllovenisë për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, si dhe në zhvillimet në rajon.

Ministri Bushati tha se gjatë takimit me homologun slloven kanë shkëmbyer pikëpamjet në lidhje me ecurinë e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Shqipërisë dhe Sllovenisë në planin politik, ekonomik dhe tregtar.

“Vlerësojmë ndihmën e çmuar të Sllovenisë në kuadër të procesit të integrimit evropian. Sllovenia është një vend mbështetës në procesin e zgjerimit, vend mbështetës për Shqipërinë. Gjithashtu patëm një diskutim të frytshëm sa i përket bashkëpunimit tonë në organizatat ndërkombëtare. Vendi ynë ka shprehur ambicien për të marrë drejtimin e OSBE-së në 2020 dhe Sllovenia e mbështet zyrtarisht kandidaturën e Shqipërisë. Shpresojmë që forumi i biznesit të jetë edhe një sinjal i qartë për të shtuar vëllimet tregtare ndërmjet dy vendeve, për të rritur impulsin e bashkëpunimit ekonomik, i cili nuk reflekton marrëdhëniet shumë të mira në planin politik”, theksoi kryediplomati i Shqipërisë.

Pjesë e diskutimeve mes ministrave Bushati dhe Cerar ishin edhe shkëmbimi i pikëpamjeve për situatën e sigurisë dhe sfidat më të cilat përballet Ballkani Perëndimor. “Shprehim vullnetin tonë për të vijuar punën bashkërisht për të dhënë kontributin e duhur për forcimin e mëtejshëm të stabilitetit demokratik të rajonit dhe për të siguruar perspektivën euroatlantike për të gjitha vendeve të rajonit”, tha më tej Bushati.

Bushati në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi tha se: “Mendoj se deklarata e sekretarit amerikan të Shtetit pas takimit me presidentin e Kosovës është e qartë dhe bën thirrje për një marrëveshje të qëndrueshme, të zbatueshme, dhe që do të shtojë sigurinë në Ballkanin Perëndimor”.

– Cerar: Do të vazhdojmë të mbështesim Shqipërinë në procesit integrimit në BE

Kryediplomati slloven theksoi se marrëdhëniet mes Sllovenisë dhe Shqipërisë janë miqësore dhe pa asnjë çështje të hapur, si dhe shtoi se do të vazhdojnë të mbështesin Shqipërinë në procesit integrimit të saj në BE, duke zbatuar projekte dypalëshe të ndihmës teknike.

“Jam i bindur që ka mjaft mundësi për të përforcuar më tej bashkëpunimin sidomos në fushën e ekonomisë. Ne kemi ardhur me një grup biznesmenësh sllovenë dhe besoj se takimi i njerëzve nga biznesi do të kontribuojë për një bashkëpunim më të mirë ekonomik, që për momentin është ende modest. Ne në mënyrë konstante dhe aktive mbështetshim integrimin në BE të Shqipërisë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë një gjë të tillë. Presim që negociatat do të nisin qershorin e vitit tjetër. Sllovenia në mënyrë absolute do të mbështesë shumë fort që këto negociata për anëtarësimin të nisin për Shqipërinë në qershor të vitit të ardhshëm. Duam të jemi sa më të dobishëm për të mbështetur reformat dhe rrugëtimin deri në anëtarësimin përfundimtar në BE “, u shpreh ministri Cerar.

Ministri slloven në lidhje me perspektivën evropiane të Kosovës, Serbisë, Maqedonisë dhe Bosnjë dhe Hercegovinës, tha se “Mund të them që ndajmë dhe kuptojmë se procesi i integrimit evropian duhet të vazhdojë. Unë besoj se BE duhet ta lërë derën e hapur për të gjitha këto vende, por ato duhet të trajtohen mbi baza individuale”.

Cerar për dialogun Kosovë-Serbi si dhe për debatet e fundit rreth çështjes së kufijve mes dy vendeve, theksoi se “Ky është një proces mjaft i vështirë, por besojmë në dialog dhe besojmë se dialogu duhet të vijojë dhe të sjellë marrëveshje që do t’u japë mundësi të dy vendeve e popujve të jetojnë në paqe dhe pa konflikte të mëtejshme. Nëse ka një marrëveshje te re për kufijtë ajo duhet jetë shumë konkrete dhe e zbatueshme dhe duhet jetë një shembull i mirë për gjithë rajonin, jo shembull i keq. Do të vijojmë të mbështesim dialogun dhe rrugën politikë për një marrëveshje të tillë.”

Ministri i Jashtëm i Sllovenisë do të takohet edhe me zyrtarë të tjerë të lartë të Shqipërisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button