Kryeparlamentari Xhaferi takoi ambasadorin e EBA-së

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, sot realizoi takim me ambasadorin e Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) në Maqedoni, Sager Naser Ahmed Abdullah Alraisi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një njoftimi të parlamentit të Maqedonisë, Xhaferi ka shprehur mirënjohje për marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve të vendosura në vitin 1996, edhe pse, siç thuhet, rrallë shënohen takime të ndërsjella në nivel të lartë bilateral.

Xhaferi ka theksuar se si kryetari i Kuvendit, e inkurajon grupin parlamentar për bashkëpunim me vendet e Lindjes së Afërme dhe të Mesme në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, të vendosin komunikim me kolegët e tyre nga parlamentet përkatëse dhe ta iniciojnë diplomacinë parlamentare e cila, siç theksohet, është shumë e rëndësishme.

Kryeparlamentari i Maqedonisë e ka cilësuar si të mirë bashkëpunimin në planin multilateral, gjegjësisht në organizatat ndërkombëtare dhe në sistemin e Kombeve të Bashkuara, duke shtuar se kandidimet e ndërsjella shpeshherë mbështeten dhe se Maqedonia tradicionalisht e mbështet kandidimin e EBA-së në kuadër të organeve të organizatave ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, ambasadori i EBA-së, Alraisi, ka shprehur mbështetje të hapur dhe të fuqishme për Maqedoninë, duke i sugjeruar përfitimet për vendet e vogla nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe në NATO, dhe përparësitë që mundësohen për vendet anëtare të plotfuqishme të këtyre organizatave.

Alraisi e ka ftuar Xhaferin që së bashku me delegacion ti vizitojnë EBA-në dhe parlamentin e tyre. Ai ka theksuar se me këtë ftesë, do të intensifikohen marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve.

Sipas njoftimit të parlamentit, bashkëbiseduesit janë pajtuar se kultivimi dhe përparimi i marrëdhënieve ndërmjet dy parlamenteve duhet të shënojë intensitet në periudhën që vijon, si dhe të thellohet në fushën e arsimit, ekonomisë, ambientit jetësor dhe në fusha të tjera me interes të ndërsjellë për të dyja vendet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button