Dita e Flamurit – Ansambli Shqiptar i Maqedonisë do të nis rrugëtimin artistik (VIDEO)

Më 28 nëntor, për nderë të Ditës së Flamurit në bashkëpunim me shoqatat kulturore në Maqedoni, do të realizohet edhe aktiviteti i parë i Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Shqipe në Maqedoni (ASHKVSHM). Por ky manifestim nuk do të shënojë edhe nisjen me punë të Ansamblit, sepse procedura për funksionalitetin e tërësishëm të tij, dhe formimin e trupës, ende janë në vijim, transmeton Portalb.mk.

Megjithatë, dita e mërkurë do të mbahet mend, sepse do të ngrit siparin e veprimtarisë së këtij ansambli, e që ajo të jetë në nivelin e duhur, krahas drejtorit të ASHKVSHM-së, Fatos Lumani, profesionalisht është angazhuar edhe profesori nga Shqipëria, Artan Ibërshimi.

Koreografi Ibërshimi vlerësoi lartë strategjinë kulturore të Ansamblit, dhe duke e pasur parasysh se Dita e Flamurit paraqet një nga datat më të rëndësishme kombëtare, manifestimi do të reflektojë angazhimin jo vetëm profesional, por edhe kombëtar.

“Kjo parasheh një strategji kulturore të Ansamblit dhe Këngëve dhe Valleve të Maqedonisë. Jam angazhuar për të kontribuar në nivelin artistik të ansamblit. Është një moment tejet kombëtar, i ndërgjegjes sonë, që në një formë ose tjetër, jemi privuar që të japim kontributin tonë, me sinqeritetin përkatës, si profesional por edhe kombëtar”, tha Ibërshimi.

Në koncert do të prezantohen dy koreografi nga anëtarë të shoqërive kulturore artitike në Maqedoni: “Bajram Shabani”, “Dibra”, “Drita e Dervenit”, “Duflla”, “Emin Duraku”, “Jahi Hasani”, “Jehona e Malësisë”, “Karshiaka”, “Ibe Palikuqi”, “Shkupi”, “Shqiponja” dhe “Xheladin Zeqiri”, nën përcjellje të këngëtarëve dhe instrumentistëve: Adnan Aliu, Arben Asllanaj, Bajramali Idrizi, Emin Xhaferi, Hasan Limani, Jetmir Rexhepi, Musa Izeri, Mustafa Imeri, Qerim Hamidi, Saranda Imeri dhe Selami Kolonja.

Koreografi Ibërshimi sqaroi se koreografia e parë do të përcjell mesazh për rëndësinë e identiteti kombëtar në shoqëritë diversive dhe në botë duke përcjellë pjekuri kulturore dhe civilizuese, kurse koreografia e dytë simbolikisht do të unifikojë trevat shqiptare.

Në Maqedoni nuk ka shkollë fillore dhe të mesme për koreografi, dhe as akademi, dhe kjo e ka detyruar udhëheqësinë, që ASHKVSHM-ja të jetë laborator artistik, në të cilin do të kryhen matje dhe testime të anëtarëve, për të vetmin qëllim, krijimin e një trupe sa më cilësore dhe larg shablloneve ekzistuese.

Ansambli – laborator artistik dhe larg shablloneve

“Kemi krijuar një laborator artistik i cili bazohet në kërkimin shpirtëror dhe lart shablloneve. Kemi kërkuar një laborator ku ne kërkojmë ta shprehim veten tonë sa më mirë. Kërkojmë që të shprehim marrëdhëniet tona brenda qytetërimeve tona, me modesti dhe me profesionalizimit tonë”, tha koreografi Artan Ibërshimi.

“Ansambli do të jetë një laborator. Nuk do të marrim anëtarë të gatshëm. Do të ketë kurse dhe trajnime, dhe do të jetë një shkollë në vete. Ndryshe nga Shqipëria që ka shkollë fillore, të mesme dhe akademi koreografie, ne nuk i kemi ato kushte. Prandaj për ta tejkaluar këtë mangësi, ne do të duhet të gjejmë alternativa të shëndosha, për të krijuar një trup cilësore”, tha drejtori i Ansamblit, Fatos Lumani.

Duke folur për procedurën e funksionalitetit të tërësishëm të Ansamblit, drejtori Lumani njoftoi se deri më tash është formuar këshilli i shoqërive artistike të ansambleve ekzistuese në Maqedoni, dhe paralajmëroi se punësimet do të bëhen shumë shpejtë. Pritet pëlqimi i Ministrisë së Financave, që të dihet numri i saktë.

“Është formuar këshilli i shoqërive kulturore artistike ekzistuese në Maqedoni. Kemi kërkuar nga çdo shoqëri dhe ansamble nga dy çifte. Disa i dërguan, kurse disa të tjerë nuk kanë dërguar. Në bazë të asaj çfarë na dërguan, janë përzgjedhur ata pjesëtar me të cilët i kemi realizuar këto dy koreografi. Konkursi për Ansamblin do të jetë shumë shpejtë. Jemi në procedurë. Kemi marrë pëlqimin nga Ministria për Shoqëri Informatike dhe Administratë, kurse tash presim që pëlqimi të miratohet edhe nga Ministria e Financave, që brenda disa javëve të dalim me konkursin dhe kriteret. Ende nuk dihet se për sa vende të punës do të jepet pëlqim, prandaj edhe nuk dihet se sa punësime do të realizohen në Ansambël. Kjo është vetëm njëra nga arsyet, por arsyeja tjetër është se Ansambli parashihet të formohet brenda vitit. Dhe që mos t’ua humbim mundësinë gjeneratave të ardhshme. Mendojmë që disa vende të lehen bosh, për gjeneratat e ardhshme”, tha Lumani.

Ansambli nuk ka as edhe objekt vetanak, kurse provat për koncertin e së mërkurës janë realizuar në hapësira e SHKAKV “Iber Palikuqi” në Shkup.

Përndryshe koncerti festiv për festën e 28 Nëntorit – Ditën e Flamurit, do të mbahet në hapësirën e Shtëpisë së Armatës në Shkup të Maqedonisë, me fillim prej ora 19:00. Të ftuar special, Ansambli Shkëlzen Doli.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button