Correa shpëtoi Lazion, Gattuso ndjen peshën e mungesave

Nuk ka fitues në “Olimpico”, me Lazion dhe Milanin që ndajnë pikët në një barazim 1-1 dhe ruajnë të njëjtat pozita në tabelën e renditjes, përkatësisht në vendin e katërt dhe të pestë.

Spektakël, gola, grintë dhe gjithçka të bukur kishte sfida e kësaj pasditeje në kryeqytetin italian, ndërsa në fund barazimi duket se kënaqi më shumë kuqezinjtë e Gattusos, që erdhën të gjymtuar nga dëmtimet.

Lazio kishte kontrollin e lojës për pjesën më të madhe të kohësh dhe i shkoi disa herë pranë golit të avantazhit, ndërsa skuadra e Gattusos kundërsulmonte rrezikshëm, njofton Supersport.al.

Donnarumma ndali disa herë bardhekaltrit e Inzaghit, ndërsa në një zbritje të shpejtë të Milanit në minutën e 78’, gjuajtja e Kessie u devijua nga Wallace dhe përfundoi në rrjetën e portës së Strakoshës.

Gjithsesi Lazio nuk mund të pajtohej me humbjen dhe u hodh e tëra në sulm, në kërkim të golit të barazimit, ndërsa Gattuso, i detyruar nga mungesat e shumta, nuk e pa të udhës të shfrytëzojë asnjë prej zëvendësimeve në dispozicion.

Goli i barazimit erdhi në minutat shtesë, ku argjentinasi Correa mori një top në zonë dhe gjuajti menjëherë me të majtën, duke mposhtur edhe Donnarummën dhe duke rikthyer baraspeshën.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button