MPJ: Serbia harton ‘lista të zeza’, e jo Kosova

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka përgënjeshtruar raportimet e mediave serbe për të ashtuquajturën “Listë të Zezë” dhe ekzistimin e ndonjë vendimi nga ana e institucioneve të Kosovës, nëpërmjet të së cilës i ndalohet hyrja apo vizitat eventuale në territorin e Republikës së Kosovës zyrtarëve më të lartë të shtetit fqinj – Serbisë, njofton Koha.net.

“Ministria e Punëve të Jashtme rikujton se për dallim nga praktikat e hartimit të ‘Listave të Zeza’ dhe ‘personave të padëshiruar’ nga shteti fqinj, që kanë përfshirë, por nuk janë kufizuar vetëm në ndalimin dhe moslejimin e hyrjes në territorin e tyre të sportistëve, artistëve, akademikëve, shtetasve ordinerë, që kanë vizituar të afërmit e tyre dhe zyrtarëve të tjerë të lartë shtetërorë nga Republika e Kosovës, institucionet e Kosovës kanë zbatuar në frymë dhe në shkronjë Marrëveshjen e Brukselit, e cila specifikon në mënyrë të qartë se si zhvillohen vizitat e zyrtarëve të lartë në të dyja shtetet respektive”, thuhet në një komunikatë të MPJ-së.

“Novosti” thotë se Bërnabiqi e funksionarët tjerë serbë do të arrestohen nëse provojnë të hyjnë në Kosovë

Autoritetet e Kosovës kanë hartuar një listë me “persona të padëshiruar”, në të cilën më së shumti ka funksionarë serbë, shkruan e përditshmja serbe “Novosti”.

Kjo gazetë shkruan se, Qeveria e Kosovës, para se të merrte vendimin për ngritjen e taksave ndaj produkteve serbe në 100 për qind, më 1 nëntor kanë marrë një vendim që funksionarëve më të lartë të Serbisë të mos u lejohet hyrja në Kosovë.

Tutje, gazeta thotë se lista e personave të padëshiruar u është dërguar të gjitha pikave kufitare me paralajmërimin që të arrestohen menjëherë nëse vijnë deri tek ndonjëra pikë kufitare, transmeton Koha.net.

Në dokumentin që “Novosti” thotë ta ketë parë, janë funksionarë serbë, duke nisur nga kryeministrja Ana Bërnabiq, ministrat e Qeverisë serbe, e deri tek gjykatësit.

Në këtë “listë të zezë”, siç e quan gazeta serbe, janë edhe ministri i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, ministri i Punëve të Brendshme, Nebojsha Stefanoviq, ai i Tregtisë, Rasim Lajiq, ministrja tjetër Zorana Mihajloviq dhe ministri i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin.

Më tej, “Novosti” thotë se në listë janë edhe deputetë të Kuvendit të Serbisë, si kryetarja e kuvendit, Maja Gojkoviq dhe nënkryetarët Veroljub Arsiq, Vladimir Marinkoviq, Gjorgje Miliqeviq, Verica Radeta dhe Gordana Çomiq, 14 gjykatës së Gjykatës Kushtetuese në krye me Kryetaren e këtij institucioni, Vesna Iliq Preliq, katër gjykatës të Gjykatës Supreme dhe kryetari i saj, Dragomir Milojeviq, sikurse edhe shumë sekretarë shtetërorë, ndihmës-ministra, etj,.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button