Arrest pas çdo postimi

Realiteti në të cilin jetojmë është ky: Gruevski u arratis duke qenë i mbrojtur nga gjashtë policë të MPsë e cila për katër ditë me rradhë nuk e dinte se ku e ka të akuzuarin kryesor, dhe në një rast edhe të dënuarin, në proceset më të rëndësishme penale të ngritura ndonjëherë në këtë shtet. Për ditë me rradhë dhe deri më sot neve ende nuk kemi asnjë informatë oficiale për atë se çfarë ndodhi dhe si rrodhi ky proces i ikjes brenda shtetit, ndërsa për rrugën e udhëtimit të tij tërrësisht të ligjshëm brenda territorit të Shqipërisë, Malit të Zi, Serbisë dhe Hungarisë, tani më kemi informata detajore. Realiteti i hidhur është se në vend të informatave oficiale, morrëm informatë nga vetë i arratisuri i cili shkruajti në profilin e tij në Facebook, edhe atë dy herë, një herë për të tregar që ka arritur shëndosh e mirë në Budapest dhe herën e dytë për të na njoftuar se ka fituar të drejtën e azilit në Hungari. Një shtet i Unionit Evropian, i po atij Unioni Evropian që kriter themelor për anëtarësim e ka sundimin e së drejtës dhe bartjen e përgjegjësisë penale, i dha azil një të dënuari për keqpërdorim të detyrë zyrtare. Sado keq të tingëllojë kjo, sërish, faji primar nuk duhet kërkuar tek veprimi i shtetit hungarez por tek mosveprimi i shtetit tonë që të ndalojë arratisjen, atë arratisje spektakolare për të cilën edhe sot e kësaj dite nuk kemi informatë zyrtare se si ndodhi.

Në anën tjetër, trupi parlamentar për pajtim do të propozojë sipas të gjitha gjasave Ligj për amnesti për disa nga personat e involvuar në ngjarjet e 27 prillit. Këtu me gjasë do të përfshihen personat që kanë hyrë në kuvend atë ditë por nuk kanë kryer akte dhune ndaj deputetëve. Si do të bëhet kjo ndarje nuk e kam të qartë kur vet akti i hyrjes me detyrim në kuvend është akt dhune! Sipas të gjitha gjasave pjesë e kësaj amestije do të jenë edhe deputetët të cilët u kapën nga kamera duke i hapur dyzert e kuvendit dhe duke mundësuar në këtë mënyrë ngjarjet e dhunshme që ndodhën aty. Dhe tani, duke qenë se shumica e kualifikuar varet pikërisht nga votat e atyre deputetëve, drejtësia do të duhet ti mbyllë sytë për veprimin e tyre jo vetëm të turpshëm por edhe të rrezikshëm, veprim i cili do të kalojë në mendjen e secilit deputet të ardhshëm i cili mund të mos pajtohet me shumicën parlamentare dhe me transferrin e qetë të pushtetit sipas rrendit kushtetues të këtij vendi. Tani befas, disa nga të involvuarit nuk janë edhe aq terroristë sa të tjerët, nuk janë edhe aq të rrezikshëm, bile në disa raste mund të jenë edhe të dobishëm, prandaj, pse të mos amnistohen?! Çfarëdolloj amnestije lidhur me 27 prillin është një mesazh shumë i keq dhe një akt i papranueshëm për një vepër aq të rëndë penale, për një sulm të tillë direkt kundër demokracisë dhe rrendit kushtetues në Maqedoni. Juridikisht një gjë e tillë asnjëherë nuk mund të arsyetohet, si që nuk mund të arsyetohet juridikisht asnjëherë fakti që Guevski fitoi azil për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Politikishit këto veprime mund të kuprohen bile edhe të arsyetohen, sepse politika bën kompromise që drejtësia asnjëherë nuk mund ti bëjë. Maqedonia si shtet duhet të ndërmarë një sërë veprimesh politike për të mundur të anëtarësohet në NATO dhe BE, dhe veprimi kryesor aty është implementimi i Marrëveshjes së Prespës, por njëherit, Maqedonia është e detyruar të dëshmojë se është shtet i së drejtës ku sundon ligji. Me ikjen e Gruevskit dhe me Ligjin për amnesti të pjeshme për 27 Prillin Maqedonia vetëm sa dëshmon edhe më tej se asnjëherë nuk do të jetë një shtet ku vërtet sundon ligji dhe jo politika.

Por të kthehemi edhe tek pasojat e arratisjes së Gruevskit. Pas postimit të tij të parë në Facebook, pasoi arrestimi i menjëhershëm i Mile Janakievskit dhe i Kiril Bozhinovskit. Pas postimit të tij të dytë, ku në një referat të gjatë tregon për fitimin e të drejtës së azilit dhe vazhdimin e luftës për “kauzën maqedonase” pasoi arrestimi i menjëhershëm dhe aspak i pritur i Saho Mijallkovit, ish drejtorit të DSK. Po të ndodhë edhe një postim i tretë i Gruevskit në Facebook, besoj që edhe Jankullovska më në fund do të përfundojë në Shutkë.

Arrestimi i Mijallkovit është kthesë e madhe në këtë vazhdë ngjarjesh të njëpasnjëshme të cilat dita ditës e varrosnin shpresën se drejtësia në këtë vend mund të bëhet e mundur. Por megjithatë është ende herët të flitet. Mbetet të shihet si do të shkojë më tej procesi Target dhe Fortesa, a do të bartë vërtetë përgjegjësi penale Mijallkov, dhe si do të reflektojë e gjithë kjo në procesin poltik në kuvend.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button