Skender Asani: Kujtojmë Alfabetin dhe falënderojmë Amerikën

Sot paradite nisën aktivitetet për shënimin e 11-vjetorit të themelimit të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, që përkon me 110-vjetorin e Kongresit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir.

Pas urimit për patronazhin e Institutit dhe Ditën e Alfabetit, drejtori Skender Asani, tha se ka kënaqësinë që sot ta prezantojë një zbulim të mikut  David Haseflook, që sjell një risi për himnin e alfabetit, melodia e të cilit është përdorur nga studentët e Kolegjit ‘Jale’ në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  Megjithatë, shtoi ai, “kur jemi këtu, meqë ne jemi të vendosur në një objekt që për vite të tëra ka qenë seli e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup, dëshirojmë t’ju themi se ky për shqiptarët nuk është një objekt dosido, por ai është një monument që shënon një histori, një kujtesë, dhe që flet edhe me muret dhe kthinat e veta. Në këtë objekt ka punuar miku i shqiptarëve dhe zgjidhësi i konfliktit të Kosovës, Ambasadori Hill, Ambasadori Riker e shumë të tjerë. Prandaj, ne konsiderojmë se ky objekt sot më ka peshë dhe rëndësi historike, dhe për këtë arsye ne kemi vendosur që në këtë ditë ta vendosim një  pllakë që do të jetë shenja mbrojtëse e asaj kujtese dhe ura që do ta lidhë të kaluarën dhe të tashmen tonë”, u shpreh drejtori Asani.

Më pas studiuesi David Haseflook, prezantoi punimin e tij rreth origjinës së panjohur të Himnit të Alfabetit. Ai tha se në vitin 1909, Parashqevi Qiriazi shkroi “Himnin e alfabetit”, botoi një abetare me alfabetin e ri, si edhe themeloi shoqërinë kombëtare për gra “Yll’ i Mëngjezit”. Sipas Hosaflook, kur erdhi koha që Parashqevisë i duhej një muzikë e mirë për të frymëzuar shqiptarët për t’u bashkuar dhe për të ruajtur besën e dhënë në Kongresin e Manastirit, përballë trysnisë së krijuar nga xhonturqit, të cilët kundërshtonin alfabetin e ri, ajo e shfrytëzoi melodinë që ende oshtinte në kokën e saj prej vitesh (nga studimet e saj në SHBA), duke qenë e sigurt se ajo muzikë mund të këndohej lehtë dhe se do të kujtohej për një kohë të gjatë, deri në ditët tona.

Me këtë rast, drejtori i ITSHKSH-së, Skender Asani, ndau mirënjohje për Ambasadën amerikane në Maqedoni, dhe në emër të ambasadorit Xhes Bejli, mirënjohjen e pranoi Mikaela Shfajcerbllum, zëvendësambasadore. Mirënjohje iu nda edhe David Hosafllok, drejtor i Institutit për Studime Shqiptare dhe Protestante me seli në Tiranë, bashkëpunëtor i jashtëm i Institutit tonë, për zbardhjen e fakteve të reja historike lidhur me Kongresin e Manastirit dhe familjen Qiriazi.

Më pas u zbulua pllaka falënderuese në oborrin e Institutit, me përmbajtje: “Në këtë objekt, në vitet 2006-2009, ka qenë e vendosur Ambasada e SHBA-ve në Shkup. Kjo pllakë vendoset në shenjë mirënjohjeje për popullin amerikan”.

Mbështetës i aktiviteteve të sivjetme për 110-vjetorin e Kongresit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe, me moton “DIELLI PËR NE LIND NË PERËNDIM”, është Sekretariati për Çështje Evropiane i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, si dhe Kuvendi i Republikës së Maqedonisë.

Gjithashtu,  sot  me fillim në ora 15:00, në hapësirat e Muzeut të alfabetit shqip në Manastir  mbahet akademi solemne me rastin e 22 Nëntorit- Ditës së Alfabetit shqip dhe 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit që e organizon Sekretariati për Çështje Evropiane, në emër të Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë.

Në akademinë solemne  marrin pjesë përfaqësues eminent nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Akademisë Shqiptare për Studime albanologjike, Instituti Albanologjik i Kosovës, Instituti i Historisë i Kosovës, dhe më shumë përfaqësues shkencor, shoqëror dhe politik nga Maqedonia.

Ndryshe, Kongresi i  Manastirit, Kongresi i unifikimit të një alfabeti të gjuhës shqipe  është tubimi i dijetareve shqiptarë prej më 14 nëntor deri më 22 nëntor të vitit 1908 në Manastir, në qendrën e atëhershme të Vilajetit  për përcaktimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Gjendja gjatë zhvillimit te letërsisë shqipe ishin hartuar disa alfabete të ndryshme. Një nga më të fundit ishte ai i krijuar në Stamboll dhe quhej Alfabeti i Stambollit. Mendimi zotërues ishte se shkronjat jolatine nuk ishin të përshtatshme për mbarësinë e shqipes bashkimit gjuhësor kombëtar. Për këtë arsye, shoqëria më aktive dhe e mirënjohur “Bashkimi” në Manastir, thirri Kongresin e Parë të Përgjithshëm për diskutimin e një alfabeti të njësuar. Një alfabet i njësuar do të ishte fillimi i letërsisë mbarë shqiptare. Prandaj më 14 nëntor 1908 në Manastir u mblodh Kongresi i Manastirit ose Kongresi i Alfabetit.

Në kongres ishin të pranishëm 160 delegatë, të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, si dhe nga komunitetet shqiptare në Rumani, Itali, Greqi, Turqi, Egjipt, Amerikë etj. Kryetar i Kongresit u zgjodh Gjergj Fishta.  Sekretare e komisionit u zgjodh Parashqevi Qiriazi, mësuese e shkollës së vashave në Korçë. Nënkryetar u zgjodh Grigor Cilka, nga Korça si dhe 11 anëtarë të tjerë. Në atë Kongres merrnin pjesë shqiptare te fesë myslimane, katolike, ortodoksë, dhe protestantë, njerëz të ditur dhe të gjithë erdhën së bashku, për arritjen e një qëllimi të madh kombëtar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button