fbpx

Lexuesit të besojnë vetëm kur gazetari ka përdorur fakte dhe jo supozime

Burimi: KriThink

Thirrja në probabilitet dhe analogjia e rrejshme janë dy mekanizma për të manipuluar me opinion. Të dy mekanizmat e karakterizojnë produktin gazetaresk që sot po e recensojmë. Thirrja në probabilitet bëhet me tendencë që të besohet se diçka që mund të ndodhë është argument se e njëjta patjetër duhet të ndodhë. Ndërkaq, analogjia e rrejshme ka të bëjë me prirjen për të bërë analogji mes dy gjërave që nuk lidhen dhe pastaj analogjia të përdoret për të ngritur supozime.

Link deri te artikulli origjinal: “Me 6 truproja, shofer e veturë zyrtare MPB ende nuk bie në gjurmët e ish kryeministrit Gruevski?”

Data dhe koha e publikimit: 10.11.2018

Data e recensionit: 16.11.2018

Recensues: Xhenis Sulimani

 

 

 

Në gazetari s’ka “ndoshta”, por duhen fakte!

Teksti, që e kemi objekt recensioni, duke dhënë informacionin se ish kryeministri- tani deputet aktual- Nikolla Gruevski ka veturë zyrtare me shofer dhe 6 truproje- nga radhët e MPB-së, pretendon se i njëjti shumë lehtë mund të kapet ka policia dhe të burgoset.

“Parashtrohet pyetja, nëse këto 6 truproje dhe shoferi kanë dalur nga kontrolli zyrtar policor, apo MPB dhe Qeveria po luajnë blof se gjoja nuk dinë ku gjendet Gruevski?”

Autori e ngre pyetjen pavend, në këtë storje s’ka hapësirë probabiliteti, sepse fakti që të angazhuarit si truproje janë nga radhët e MPB-së, nuk do të thotë se të njëjtit do të jenë edhe policët që duhet ta arrestojnë Gruevskin. E aq më pak të bëhet analogji mes privilegjeve që i ka si ish kryeministër dhe rastit kur Gruevski po ndiqet penalisht. Autori tekstit sikur nuk e din se Gruevski arrestohet pasi që ta ketë pranuar vendimin, se është refuzuar ankesa për anulimin e burgosjes së tij. Kërkesë kjo edhe pse u bë publike ende nuk është pranuar nga ana e Gruevskit.

Nuk ka nevojë për supozime, kur kemi argumente për veprimet e nevojshme të institucioneve

Opinioni duhet ta dijë, atë që nuk është përfshirë në tekstin që po e recensojmë, se Këshilli penal të enjten (8 nëntorë) ka refuzuar ankesën e avokatëve të ish kryeministrit Nikolla Gruevski, ankesë të cilën Gruevski vet e kishte dorëzuar për anulim të dënimit me burg. Në vendimin e Këshillit penal shkruan se “pas vlerësimit te fakteve dhe argumenteve në ankesë Këshilli penal ka sjellë vendim dhe ka vërtetuar vendimin e gjykatësit për aplikimin e sanksioneve. Vendimi është dërguar te pala dhe i njëjti hy në fuqi kur pala do të pranojë vendimin“.

Do të thotë që në momentin kur Gruevski e pranon vendimin e Gjykatës penale duhet të paraqitet në burgun e Shutkës. Jo sikur pretendohet në tekstin që po e recensojmë se truprojet e tij nga MPB duhet ta detyrojnë që Gruevski të hyjë në burg. Gruevski është i dënuar me dy vjet burg për rastin “Tenk”, të Prokurorisë Speciale Publike.

Është domosdoshmëri që gazetari më tepër të fokusohet në gjendjen faktike dhe argumentet e mirëfillta, pa tendencë për probabilitet ose analogji të rrejshme. Kur lexuesi lexon faktet krijon mendim më të shëndoshë për proceset politike, ndërsa supozimet dhe spekulimet çorientojnë opinion dhe nuk i japin hapësirë për një edukim mediatik, por edhe politik. Andaj kur të shihni një tekst të tillë, ta keni parasysh se nuk duhet konsideruar si produkt serioz gazetaresk.

*Projekti KriThink – “Të menduarit kritik për qytetarët me aftësi mediatike – CriThink” zbatohet nga Metamorfozis dhe Eurothink.  Projekti financohet nga Bashkimi Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button