Qeveria britanike miraton marrëveshjen për Brexit me BE-në

Këshilli i Ministrave në Britani të Madhe ka miratuar marrëveshjen për Brexit për të cilën vendi është dakordësuar me Bashkimin Evropian (BE), transmeton Anadolu Agency (AA).

Kryeministrja britanike Theresa May, në një deklaratë pas takimit të kabinetit i cili ka zgjatur më shumë se 5 orë të mërkurën në mbrëmje, ka njoftuar miratimin e draft-marrëveshjes që vendi i saj është dakordësuar me BE-në.

“Marrëveshja u miratua pas një diskutimi ‘të gjatë dhe të detajuar’. Unë absolutisht besoj se kjo (marrëveshja) është më e përshtatshmja për interesat e gjithë Britanisë”, tha May.

Ajo shtoi se lidhur me marrëveshjen do ta informojë edhe Parlamentin britanik.

Më tej bëhet e ditur se ende nuk është shpalosur për opinionin publik teksti i marrëveshjes së arritur në negociatat për Brexit mes Britanisë dhe BE-së. Por, sipas detajeve që u publikuan në media, Britania do të nisë një “proces kalimi” pas 29 marsit 2019 kur vendi do të largohet zyrtarisht nga Unioni. Ky proces në të cilin Britania do të ketë përparësi dhe detyrime specifike për anëtarësimin në BE do të vazhdojë deri në fund të dhjetorit 2020.

Në këtë proces do të hyjë në fuqi “neni i masave” nëse mes Britanisë dhe BE-së, nuk do të mund të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse për marrëdhëniet e ardhshme tregtare mes palëve dhe për pozitën e Irlandës së Veriut. Sipas nenit, derisa negociatat për marrëveshjen e re do të vazhdojnë, e gjithë Britania do të vazhdojë të mbetet brenda Bashkimit Doganor me BE-në.

Me nenin e masave do të pengohet vendosja e një kufiri fizik dhe një muri doganor mes anëtarëve të BE-së, Republikës së Irlandës dhe Irlandës së Veriut e cila është e lidhur me Britaninë. Mbështetësit e Brexit në Britani dhe Irlandën e Veriut kanë shprehur kundërshtimet e tyre se vendi me këtë nen do të mbetet për një kohë të pacaktuar në përputhje me rregullat e BE-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button