Merkeli prezantoi vizionin e saj për Evropën: Solidaritet, shtet të së drejtës dhe ushtri evropiane

Angela Merkel kërkoi në Parlamentin Evropian solidaritet, shtet të së drejtës dhe një ushtri evropiane. Respekti për të tjerët dhe respektimi i interesave të veta nuk janë në kundërshtim me njëra-tjetrën, thotë ajo.

Mes britmave dhe thirrjeve të disa ekstremistëve të djathtë, mes të cilëve edhe një deputet britanik i Ukip-it, Angela Merkel bëri të ditur mesazhin e saj të papritur në fjalimin e mbajtur në Parlamentin Evropian (PE): Ajo kërkoi thellimin e politikës së përbashkët të mbrojtjes, në mënyrë që të krijohet në fund një “ushtri e përbashkët evropiane”. Kjo ushtri mund të futet në përdorim edhe brenda NATO-s.

Por, tha kancelarja: “Kanë kaluar kohët, kur ne mund të mbështeteshim tek të tjerët. Ne duhet të marrim më shumë në dorë fatin tonë, nëse duam që të mbijetojmë”. Njëjtë ka folur Angela Merkel shpesh që prej zgjedhjes së presidentit amerikan Donald Trump, por për herë të parë tani ajo thotë bashkë me Emmanuel Macron se me këtë ka parasysh pavarësi më të madhe ushtarake.

Më pak vizionare, më shumë të realizueshme

Pavarësisht nga këto hapa dramatike për të dalë nga rehatia, në politikën e jashtme dhe atë të sigurisë, Angela Merkel mbetet tek gjërat që janë të realizueshme. Dhe ajo kujton parimet themelore të përbashkëta: “Evropa mund të funksionojë vetëm si komunitet i shteteve të së drejtës dhe nëse të gjithë e respektojnë shtetin e të drejtës njësoj”.

Kush e lë shteti i së drejtës mënjanë, kufizon shtypin, vë nën presion shoqërinë civile, ai rrezikon shtetin e së drejtës në gjithë Bashkimin Evropian. Ky është një refuzim i qartë i tendencave autokratike në Hungari, Poloni dhe vende të tjera të BE. Edhe një kritikë jo direkte ndaj Italisë, ishte pjesë e fjalimit, sepse ai që merr borxhe të reja pa patur parasysh monedhën e përbashkët, vepron në kundërshtim me parimet bazë të Evropës.

Puna është të “kapërcejmë egoizmat nacionale”, tha Merkel, për të mirën e të gjithëve. Kështu ajo pozicionohet qartë kundër rrymave të reja të nacionalizmit në Evropë, që venë në plan të parë të drejtën e shteteve të veçanta dhe duan që ta mbajnë Evropën sa më të dobët që të jetë e mundur.

Për unitetin

Në fjalimin e saj, kancelarja gjermane i kthehet gjithnjë një pike që ka të bëjë me parimet e politikës evropiane, por që injorohet gjithnjë e më shumë: “Respekt për të tjerët dhe respektimi i interesave të veta nuk shkojnë në kundërshtim me njëra tjetrën, përkundrazi”. Vetëm e bashkuar BE mund të konfrontohet në arenën botërore me Kinën, Indinë dhe nëse është e nevojshme me SHBA. Ajo ka mirëkuptim për reagimet e ndryshme të vendeve të tjera, por solidariteti duhet të jetë në qendër të komunitetit, tha Merkel: “Bashkimi dhe vendosmëria për të ardhmen e Evropës janë të domosdoshme”. Prandaj Merkel kërkon një “Këshill evropian sigurie” dhe heqje dorë sa të jetë e mundur nga unanimiteti në marrjen e vendimeve të BE, transmeton KTV.

Më në fund kancelarja gjermane i premton presidentit francez, se do të çojë përpara reformën e zonës së euros në takimin e nivelit të lartë, që pritet të mbahet në dhjetor. Por, ajo do, që të mos bëjë një hap shumë të madh, por të eci me hapa të ngadalta. Ajo flet edhe për një taksë të përbashkët digjitale, por kjo duhet vendosur kur të arrihen zgjidhjet ndërkombëtare për këtë çështje.

Merkel mbron politikën ndaj refugjatëve

Gjermania nuk ka vepruar gjithnjë “pa gabime”, tha Angela Merkel, duke mos kthyer mbrapsht vendimin që ajo ka marrë më 2015 për pranimin e refugjatëve, përkundrazi. Është kuptuar me shumë vonesë sa e papërballueshme ka qenë situata për miliona refugjatë, që kanë shkuar nga vendet e luftërave civile në vendet fqinje si Turqia ose Libani. Kjo është arsyeja pse shumë prej tyre përfunduan në Evropë. Ajo sfidon kështu kundërshtarët e saj në politikën ndaj refugjatëve: “Ne pranuam në Evropë 1,5 milionë njerëz, a na bën kjo të jemi të aftë për të vepruar?”

Gati me të njëjtën frymë ajo lëvdoi forcimin e Agjencisë Evropiane për ruajtjen e kufirit dhe detit, Frontex, marrëveshjen me Turqinë dhe politikën e re për Afrikën, me të cilën BE kërkon tani të pengojë vazhdimin e migracionit me ndihmë në vend.

Shumë aprovim dhe një refuzim i hidhur

Partitë e mëdha të Parlamentit Evropian patën në pak çështje kritika për parimet e Merkelit dhe fjalimin e saj. Philippe Lambertz nga të Gjelbrit përshëndeti vlerësimin prej saj të vlerave evropiane. Por ai mendon se kancelarja nuk ka nevojë të flasë për solidaritet, dhe të veprojë pastaj në nivel nacional si në rastin e skandalit të naftës. Nga Gjermania ai pret më shumë vendosmëri politike.

Disa populistë të djathtë reaguan me forcë ndaj Angela Merkelit, si për shembull Ryszard Legutko nga partia polake, PiS. Ai akuzoi kancelaren gjermane se “ajo kërkon zhvendosje majtas të Parlamentit Evropian dhe kristiandemokratëve gjermanë”. Për këtë akuzë dhe të tjera ajo tha në fund: “Ekzistojnë në Parlamentin Evropian grupe që mendojnë se mund t’i zgjidhin problemet në nivel evropian, dhe ka edhe të tjerë që mendojnë se shtetet nacionale mund ta bëjnë këtë gjë më mirë”.

“Kemi njerëz që duan të largohen nga BE”, pranon kolegu i Merkelit, David McAllister, dhe këtu ai nuk ka parasysh vetëm konservatorët britanikë. Kundërshtimet ndaj Merkelit vijnë nga skaji i djathtë i Parlamentit, dhe “në të ardhmen duhen bërë përgatitje për konfrontime të ashpra”. Angela Merkel nuk e prishi gjakun, por klima në pjesë të Parlamentit Evropian mund të jetë një shenjë për zgjedhjet e ardhshme evropiane.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button