LIBRAT E VJETËR DHE ANKTHET E REJA

Mahnitës janë librat e moçëm. Mahnitëse është ngjyra e zbehtë e germave që mezi lexohen. Mahnitëse janë vizatimet dhe gravurat. Mahnitëse janë hartat e vjetra, si të Al Idrisit, ku gjejmë emërtime vendesh, që janë ndryshuar ose përshtatur në gjuhët e pushtuesve të ndryshëm. Mahnitës janë manuskriptet, kodekset, atlaset, enciklopeditë, fotografitë. I dua “vjetërsirat” edhe kur s’e kuptoj se çfarë thonë.

Leximi i shënimeve të moçme na mundëson ta përfytyrojmë një botë të largët, të harruar. Në shënimet e moçme mund ta “lexojmë” jo vetëm kohën e kaluar, por edhe kohën tonë.

Tani lexoj një libër të motit 1918, ku flitet për shumicën e qyteteve të Maqedonisë në kufijtë e sotëm. Teksa e lexoj librin kam përshtypjen se e “lexoj” kohën time. Aty përshkruhen vende, karaktere njerëzish e popujsh, flitet për bukurinë ose shëmtinë e qyteteve. Ka në këtë libër shumëçka kontestuese, sepse studiuesit e kësaj periudhe, duke qenë në shërbim kauzave kombëtare, i hynin në hak të vërtetës shkencore. Edhe te ky libër e vërteta gjendet nëpër fragmente. Nëpërmjet fragmenteve e krijoj një përfytyrim për vendet, për njerëzit, për veshjet e tyre, tryezat, dasmat, vdekjet, dashuritë e zhgënjimet, që shumë rrallë i përmend historia.

Zakonisht shënimet e këtilla, si fragmente, i kanë shënuar kronistët, udhëpërshkruesit, emisarët, aventurierët e ndryshëm. Janë shënime të harruara, që nuk e kemi ditur se ekzistojnë.

Autori e përshkruan edhe Tetovën, si qytet me panoramë të bukur, me shtëpi dykatëshe, me pemë të shumta që i zbukurojnë oborret dhe kopshtet e shtëpive, me rrugë të pastra, të shtruara me kalldrëm. Tetova, thotë ai, njihet për pemët, klimën e shëndetshme, pasurinë ujore, tregtinë e zhvilluar, ku më shumë tregtohej vaji, gështenjat, mollët, arrat, fasulja. Fusha e Tetovës i duket e bukur e cilësore dhe e krahason me një kopsht të madh.

Pasi lexon kësi librash të vjetër mendon për të sotmen. Askund nuk sheh kopshte e oborre me gjelbërim. Nuk ka ajër të pastër, as ujë të kulluar, as tregti të zhvilluar. Askund nuk sheh rrugë të vjetra, të restauruara, të shtruara me kalldrëm, ashtu siç ruhen në çdo vend të botës. Askund. Vetëm kaos, papastërti, rrugë të arnuara. Vetëm ajër të ndotur, ujë që kundërmon erë të rëndë. Punojnë me fitim vetëm institucionet që i dënojnë qytetarët. Ky vend e ka humbur edhe kujtesën. Rrugët e tij kanë emra të çuditshëm. Ata që nuk e ndryshojnë emrin e një rruge flasin për heroizma, trimërira, për kauza të mëdha.

Mos harrojmë se jetojmë në një shekull tjetër, kur duhej të ishte përmirësuar standardi jetësor, kur duhej të kishim vetëdije më të lartë për ambientin, për monumentet kulturore dhe historike, që më nuk ekzistojnë.

Botën e humbur e gjejmë vetëm në kujtime, në shënime dhe libra kronistësh, udhëpërshkruesish, aventurierësh, diplomatësh, emisarësh të ndryshëm, që ishin magjepsur me “vendin e fundosur në gjelbërim“, me “kopshtin që ngjante si parajsë tokësore“.

Bota që u mbijetoi shekujve u shkatërrua në shekullin tonë për shkak të makutërisë së atyre që duhej ta mbronin.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button