Është ngrirë prona dhe transaksionet e Kamçevit dhe të dyshuarve në lëndën “Perandoria”

Gjykatësi i procedurës paraprake duke vepruar ndaj kërkesës së Prokurorisë Speciale Publike (PSP) për rastin “Perandoria” për shqiptimin e masës së përkohshme të marrjes së pronës për shkak të sigurimit, ka shqiptuar masa të përkohshme dhe ndalesë për shitje dhe dhënie me qira të pronave të personave juridik për të cilët ekziston dyshim i bazuar se kanë përfituar pronë në mënyrë të paligjshme duke kryer vepra penale, njofton Portalb.mk.

Ndryshe, Orce Kamçev, Jordan Kaçev, Cvetan Pandeleski, Nenad Josifoviq, Zorica Arsovska dhe Todor Mirçevski të cilët janë të akuzuar në rastin “Perandoria”, të shtunën kanë marrë paraburim prej tridhjetë ditëve dhe janë dërguar në burgun e Shutkës.

Vendimet për shqiptimin e paraburgimit nga ana e gjykatësit të procedurës paraprake, siç informojnë nga PSP, i ka marrë të premten prokurorja Katica Janeva dhe Lile Stefanovska.

PSP më 9 nëntor që nga mëngjesi ka kryer bastisje në selinë e “Orka Holding” dhe në kompani të tjera jashtë Shkupit, në bazë të urdhrit gjyqësor. Aksioni është bërë me asistencë të Repartit për Ndalim të Krimit të Organizuar dhe Korrupsion të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Më 29 gusht të vitit 2016, Kamçev është marrë në pyetje në PSP, por Prokuroria atëherë nuk tregoi se në çfarë cilësie ka qenë dhe për cilin rast është ftuar.

PSP pas procedurës parahetimore të kryer, ka hapur lëndë të re me emrin “Perandoria” kundër Jordan Kamçevit, Sasho Mijallkovit, Nenard Josifoviqit, Cvetan Pandeleskit, Ratka Kunoska-Kamçevskës, Hristina Kamçeva-Stojçeskës, Zorica Arsovskës, Liljana Gajdovskës, Vladisall Stajkoviqit, Todor Mirçevskit, Dejan Janevit, Vançe Mijallçevit dhe Jovançe Taskovskit për shkak të ekzistimit të dyshimit për vepër penale “shoqërim kriminel”.

“Ata akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizim, mashtrim dhe larje parash dhe vepra tjera penale. Në rrjedhën e procedurës parahetimore, me ndërmarrjen e veprimeve të ndryshme hetuese janë siguruar dëshmi të mjaftueshme nga të cilat ka dalë dyshim se në periudhën prej vitit 2002 deri më 2013 të dyshuarit i kanë bërë veprat penale për të cilat akuzohen personalisht dhe përmes personave juridik”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale Publike.

“Gjatë ditës së sotme nga ana e Prokurorisë Publike në bashkëpunim me MPB-në janë kryer 12 bastisje dhe janë privuar nga liria pesë persona të dyshuar, të cilët do të ftohen në Gjykatë dhe do t’ju kërkohet masë për prani. Shumë shpejt pritet edhe zgjerimi i hetimit për persona të rinj për vepra të reja penale, ndërsa në drejtim të sigurimit të pasurisë –për sigurimin e lëndëve që rrjedhin nga veprat penale do të kërkohen edhe masa për sigurimin e përkohshëm të pasurisë”, thanë nga PSP në ditën e bastisjes.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button