OKB thirrje për Jemenin: Të ndërpritet vuajtja e civilëve

Kombet e Bashkuara (OKB) u bënë thirrje palëve ndërluftuese në Jemen, koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite dhe rebelëve Huthi me vendet që u ofrojnë mbështetje me armë, që të ndërmarrin urgjentisht hapa konkretë për t’i dhënë fund vuajtjeve të civilëve në vend, raporton Anadolu Agency (AA).

Komisarja e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Michelle Bachelet dërgoi një deklaratë me shkrim me rastin e përleshjeve të fundit në qytetin Al Hudaydah të Jemenit, duke thënë se kanë shkaktuar viktima civile.

“Koalicioni, i kryesuar nga Arabia Saudite dhe forcat Huthi, me vendet që i mbështesin me armë, kanë fuqi apo ndikim për të ndaluar urinë dhe vrasjen e civilëve dhe në këtë mënyrë të sigurojë paqe për popullin e Jemenit”, tha Bachelet.

Duke iu referuar të dhënave të Zyrës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Bachelet ritheksoi se në Al Hudaydah, Sad dhe Sana, nga 31 tetori deri më 6 nëntor janë kryer të paktën 110 sulme ajrore, dhe se ato janë duke u intensifikuar.

Ajo tha se avionët e forcave të koalicionit fluturuan mjaft ulët. Sipas saj, forcat Huthi kanë përdorur raketa anti-ajrore dhe mortaja ndërsa në Al Hudaydah kanë vazhduar përleshjet në rrugë.

“Është konfirmuar se të paktën 23 civilë u vranë në sulmet në Al Hudaydah nga 24 tetori e deri më tani por kemi frikë se numri mund të jetë shumë më i lartë. Rreth 445.000 njerëz janë të zhvendosur brenda në Al Hudaydah nga fillimi i qershorit”, tha Bachelet.

“Palët ndërluftuese duhet të ndërmarrin hapa urgjente për t’i dhënë fund vuajtjeve të civilëve në këtë vend”, tha ajo.

Sipas OKB-së, nga 26 marsi 2015 deri në 8 nëntor 2018 në Jemen janë vrarë të paktën 6.872 civilë dhe janë plagosur 10.768 të tjerë.

Jemeni është përfshirë nga një konflikt shkatërrues që nga viti 2014, kur rebelët Huthi morën nën kontroll pjesën më të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin Sana dhe Hudaydah.

Konflikti u përshkallëzua në vitin 2015, kur Arabia Saudite dhe aleatët e saj arabë nisën një fushatë masive ajrore në Jemen, që synonte rikthimin e territoreve të marra nën kontroll nga lëvizja Huthi.

Dhuna ka shkatërruar infrastrukturën e Jemenit, përfshirë sistemet e tij shëndetësore dhe sanitare, duke bërë që OKB-ja ta përshkruajë situatën si “një nga fatkeqësitë më të mëdha humanitare të kohëve moderne”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button