Gjykata Kushtetuese lajmëroi anulim edhe të referendumit të Gjevgjelisë kundër minierave

Gjykata Kushtetuese në mbledhjen e mbajtur më 31 tetor miratoi vendim për nisje të procedurës për anulim të vendimit të Këshillit të Komunës Gjevgjeli për shpallje referendumi për minierat në Kozhuf, informojnë për “Meta” nga Gjykata Kushtetuese, duke sqaruar se vendimi duhet fillimisht të publikohen në ueb-faqen zyrtare të Gjykatës, shkruan “Meta“, transmeton Portalb.mk.

Së këtejmi, tregojnë se në kohë shumë të afërt do të vendoset për këtë lëndë dhe duke gjykuar sipas përvojës me lëndët paraprake që kanë të bëjnë me vendime të vetëqeverisjes lokale për hapje të minierave në territor të tyre edhe ky vendim do të anulohet.

“Procedura është iniciuar me kërkesë të DPTS “Rezervoar mineral Makedonija” SHPKPV Shkup që ka parashtruar iniciativë për zbatim të procedurës për vlerësim të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Vendimit për shpallje të referendumit në nivel lokal, të miratuar nga Këshilli i komunës Gjevgjeli”, thotë zëdhënësja e Gjykatës Kushtetuese, Olivera Filipovska.

Arsyetimi i iniciativës së “Rezervoar minerals” ndër të tjera është se “lëndët e para minerale si pasuri natyrore paraqesin të mira të interesit të përgjithshëm të republikës, pavarësisht pronësinë mbi tokën, për ato vendosin organet e pushtetit shtetërore, ndërkaq jo organet e vetëqeverisjes lokale”.

Në referendumin në Gjevgjeli, që është mbajtur më 23 prill 2017 shumica e qytetarëve të Gjevgjelisë janë deklaruar kundër hapjes së minierave në territori të komunës, me çka Këshilli i komunës Gjevgjeli ka dhënë mendim negativ për kërkesën e “Rezervoar minerals” për vazhdim të marrëveshjes për koncesion për hulumtim të lëndëve të para minerale metalike në Kozhuf.

“Rezervoar minerals”, ka pasur koncesion për hulumtime detajore gjeologjike në lokalitetin Konsko, mirëpo pas referendumit, Qeveria e atëhershme nuk ua ka vazhduar marrëveshjen për koncesion.

Gjykata Kushtetuese, me të njëjtin arsyetim më 2 maj e anuloi edhe vendimin për shpallje të referendumit të Komunës Vallandovë kundër minierës Kazandoll.

Atëherë prej Gjykatës Kushtetuese arsyetuan se vendimet për referendum nuk janë kushtetuese dhe ligjore, për shkak se çështja e koncesioneve nuk është me rëndësi lokale që vetëqeverisja lokale të mund të shpall referendum.

Ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi në gusht të këtij viti me shkrim ka informuar kryetarët e komunave në Maqedoninë juglindore, ku planifikohet hapje e dhjetëra minierave të reja për metale se “në ligjin për lëndë të para minerale si dhe në ligjin për koncesione dhe partneritet privat publik nuk ka bazë për pezullim të njëanshëm të marrëveshjes për koncesion nga ana e koncedentit përkatësisht Qeverisë për shkak të referendumit të mbajtur ose nismës qytetare kundër fillimit me eksploatim të koncesioneve tash më të ndara për eksploatim të lëndëve të para minerale”.

“Gjykata Kushtetuese u pozicionua në anën e atyre që planifikojnë Maqedoninë ta shndërrojnë në shkretëtirë, të bëjnë gjenocid mbi më tepër se 500.000 qytetarë”, akuzon aktivisti i “Shpëtim për Gjevgjelinë”, Angell Nakov.

Për nesër në orën 11.30 deri në orën 13:00 është planifikuar bllokimi i parë nga seria e bllokimeve të lajmëruara të rrugëve të kalueshme në drejtim të dhe prej Strumicës, në organizim të shoqatave ekologjike nga zona e Strumicës, që luftojnë hapjen e minierës për bakër dhe ari Illovicë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button